Sulmuesi i Vllaznisë, 19-vjeçari Bekim Bala, fitoi trofeun “Talenti i sezonit”, edicioni i dytë i tij, i organizuar nga shoqata sportive “Sporti na bashkon” me mbështetjen e kompanisë “Sportiva”, që ka të drejtën ekskluzive të artikujve “Nike”.

Çmimin “Fair-Play” të organizuar nga shoqata sportive “Sporti na bashkon”, Federata Shqiptare e Futbollit dhe përfaqësuesja shqiptare e “Martini” dhe “Gillete” e fitoi portieri dhe kapiteni i Besës, Orges Shehi. Në një ceremoni shumë festive, të organizuar në një nga sallat e Teatrit Popullor vetëm një ditë pas përfundimit të sezonit 2009-2011, e ku merrnin pjesë drejtues të lartë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatën Shqiptare ish-trajnerë të ekipit kombëtar të futbollit, trajnerë aktualë klubesh, ish-lojtarë të famshëm dhe gazetarë sportivë, shoqata e njohur “Sporti na bashkon” ndau çmimet për “Talentin e sezonit” në edicionin e dytë të saj.

Pas tre raundesh të votimeve e pas seleksionimit të një liste paraparake me 25 lojtarë të përzgjedhur pas një bashkëpunimi të shoqatës me ekspertët e FSHF-së, gjashtë lojtarët më të mirë morën çmimet përkatëse. Aktori i njohur Vasjan Lami, një i pasionuar i përhershëm i futbollit, siç e quajti veten ai, moderoi edhe ceremoninë mbresëlënëse. Kryetari i shoqatës dhe një nga themeluesit e saj, Leka Kosta, e cilësoi aktivitetin si një mundësi më shumë për promovimin e talenteve të rinj. “Është një traditë e re që ne si shoqatë dëshirojmë ta vazhdojmë për promovimin e talenteve të rinj të futbollit shqiptar”.



Si u votua



Gazetari i vjetër sportiv, Gëzim Nushi, njëherësh edhe me cilësinë e kryetarit të jurisë, tha: “Ishte shumë e vështirë të zgjidhnim më të mirët, pasi konkurrenca ishte e madhe”. Nushi theksoi se votimet për të përzgjedhur më të mirët u bazuan në tre drejtime: “U votua nga specialistë të futbollit pranë Federatës Shqiptare dhe ekspertë të njohur të futbollit, gazetarë sportivë dhe përmes mesazheve, SMS, të dërguar nga futbolldashësit sipas listës së publikuar në gazetën sportive “Sport Ekspres”. Shoqata “Sporti na bashkon” ndau gjashtë çmime për futbollistët e rinj e të talentuar nën moshën 21 vjeç: tre çmime të treta, dy çmime të dyta dhe një çmimi të parë, të sponsorizuara këto nga kompania “Sportiva” përfaqësuese ekskluzive në Shqipëri të gjigantit amerikan të produkteve sportive “Nike”.



CMIMI I PARË



Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Vasil Bici, njëherësh edhe një ish-trajner i shumë skuadrave në Shqipëri, i dorëzoi çmimin e parë, si talenti më i mirë i sezonit, sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Bala, autor i 17 golave këtë sezon: 9 në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë.



DY CMIMET E DYTA

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, por dhe trajner kampion me Partizanin e Dinamon, Bejkush Birçe i dorëzoi çmimin e dytë sulmuesit fierak të Flamurtarit, Odise Roshi. Roshi: “Ndihem shumë i lumtur që të përfshihem në çmimet e ‘Talenti i sezonit’. Besoj do t’a shpërblej Flamurtarit, por dhe ekipeve kombëtare ku marr pjesë. Dedikimi ndaj Flamurtarit? Ky ekip më dha mundësinë të luaj dhe të shënoj golat. E ardhmja? Besoj se do të luaj jashtë, por të shohim”. Ish-trajneri tjetër i Kombëtares dhe Tiranës, por dhe kampion i Ballkanit me Kombëtaren U-21, Shyqyri Rreli, i dorëzoi çmimin tjetër të dytë sulmuesit të Besës, Sokol Cikalleshi. Rreli: “Tek e elementi i ri ka efekt moral, është një nxitje e madhe”. Cikalleshi: “Ia dedikoj familjes sime, ekipit të Besës, stafit teknik, dhe në mënyrë të veçantë trajnerit tim, Shpëtim Duro, i cili ka punuar personalisht me mua”.



TRE CMIMET E TRETA



Kryeredaktori i gazetës prestigjioze sportive “Sport Ekspres”, Fatmir Mneri, i dha çmimin e tretë mbrojtësit të Tiranës, Ditmar Bici. Bici: “Faleminderit të gjithëve, është një çmim që më emocionon. Thirrja në Kombëtare? Ndihem shumë mirë. Në radhë të parë falënderoj trajnerin Kuzhe për vlerësimin”. Gazetari i vjetër sportiv, ish-kryeredaktori i “Sporti Shqiptar” dhe botuesi i njohur i revistës “Futbolli shqiptar”, Besnik Dizdari ia dorëzoi çmimin e dytë të tretë futbollistit të Gramozit, Migel Metani, i cili një ditë më parë kishte shënuar një gol në fitoren 3-0 të Gramozit ndaj Apolonisë. Komentatori i famshëm shqiptar, Vladimir Grillo i dorëzoi çmimin tjetër të tretë portierit të Flamurtarit, Shpëtim Moçka. Moçka: “Ky është një vlerësim për tërë ekipin, stafin”.



Orges Shehi, futbollisti “Fair-play”



Kompania përfaqësuese shqiptare e “Martini” dhe “Gillete” mbështeti çmimin “Fair Play” në bashkëpunim edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani ia dorëzoi atë portierit dhe kapitenit të Besës, Orges Shehi. Prodani: “Është një veprimtari serioze. Falënderoj shoqatën “Sporti na bashkon”, që tashmë është në vitin e saj të dytë. Serioziteti dhe pasioni me të cilën është organizuar ky aktivitet besoj se shumë shpejt do të shndërrohet në shumë popullore në futbollin shqiptar. Përfitoj nga rasit të them, që Federata Shqiptare e Futbollit jo vetëm e inkurajon, por shumë shpejt do të bëhet pjesë e aktiviteteve të tilla”. Shehi ishte përcaktues në fitimin e Kupës së Shqipërisë nga ana e Besës: “Për mua është një trofe i rëndësishëm. Për mua ky është një sezon i veçantë, pasi fituam edhe Kupën e Shqipërisë me Besën Për mua “fair-play” është i rëndësishëm në futboll, sidomos për futbollin tonë që lë shumë për të dëshiruar. Dua të falënderoj organizatorët dhe uroj të ketë sa më shumë ‘fair-play’ në futbollin shqiptar. Ky është edhe një mesazh i imi për të gjithë aktorët e futbollit shqiptar, nga drejtuesit te lojtarët, pasi ne kemi nevojë edhe për tifozët në stadiume”.



Duro, “fristajleri” shqiptar



Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, talenti shqiptar i Free Style, apo xhonglimeve me top, Fabian Duro, i cili mori pjesë edhe në kampionatin botëror të këtij stili në Afrikën e Jugut, ekzekutoi me një top “Nike” disa ushtrime të një vështirësie të lartë. Duro: “Mora pjesë në Afrikën e Jugut dhe u eliminova nga një brazilian. Në juri ishin edhe Edgar Davids e Xhorxh Ueah. Në Japoni besoj se do të dalë më mirë”.





CMIMET E EDICIONIT TË DYTË

“Talenti i sezonit”



Cmimi i parë

Bekim Bala (Vllaznia)



Çmimi i dytë

Sokol Cikalleshi (Besa)

Odise Roshi (Flamurtari)



Cmimi i tretë

Ditmar Bici (Tirana)

Shpëtim Moçka (Flamurtari)

Migel Metani (Gramozi)



Çmimi “Fair-play”

Orges Shehi (Besa)

















21 Maj 2010