Marta Bllanusha, serbe nga Beogradi, është studente e Gjuhës shqipe në Katedrën e Albanologjisë, në Universitetin e Beogradit. Bllanusha, e cila është afër përfundimit të studimeve katërvjeçare, edhe pse ka qenë vetëm njëherë në Prishtinë, flet gjuhën shqipe pastër, sipas rregullave gramatikore dhe pa ndonjë pengesë.


Ajo është njëra prej 100 studentëve, kryesisht me prejardhje serbe që për momentin studiojnë në katedrën e Albanologjisë në Beograd. Kjo katedër, që këtë vit shënon 87-vjetorin e themelimit të saj, ka filluar si seminar për filologjinë shqipe në vitin 1925, dhe prej atëherë gjuha shqipe është mësuar në Beograd.


Vitet e 50-ta pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë koha prej nga kanë buruar kuadrot e para universitare për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Kosovë. Tani kjo katedër ka bashkëpunim vetëm me Shqipërinë, prej nga vijnë ligjërues, por dëshira e madhe e mësimdhënësve në këtë degë është që në një të ardhme të afërt të marrin edhe ligjërues nga Universiteti i Prishtinës.


Çdo vit në këtë degë regjistrohen rreth 20 studentë, profesorët e të cilëve tregojnë se interesimi i të rinjve serbë për të mësuar këtë gjuhë, çdo vit është në rritje, me shpresën që do gjejnë punë pasi që nevojat në Serbi për përkthime sidomos të gjuhës shqipe janë të mëdha, por ka edhe prej tyre si Marta Bllanusha, që gjuhën shqipe krahas dëshirës për të gjetur punë e studion nga interesimi për kulturën, traditën dhe historinë e shqiptarëve.


Gjatë studimeve katërvjeçare Bllanusha ka qenë vetëm njëherë në Prishtinë, ku para dhe pas kësaj vizite përshtypja e saj për shqiptarët ka ndryshuar tërësisht për të mirë.


Dua të njoh historinë shqiptare


Para se të shkoj në Prishtinë, kam pasur shumë frikë. Por, gjatë pjesëmarrjes në një seminar të gjuhës shqipe vitin e kaluar, ndryshova mendim, ishte më ndryshe nga çprisja. Jam befasuar me takimet që kam pasur me studentët shqiptarë atje, të cilët më kanë pritur shumë mirë, shprehet Bllanusha, në gjuhën shqipe.


Ajo thotë se motivi për të studiuar gjuhën shqipe, është që të gjejë punë me lehtë, por është edhe dëshira që të njohë vetë historinë shqiptare.


Dua ta njoh vetë historinë, të njoh njerëz nga Shqipëria dhe Kosova dhe të shoh unë me sy të mi realitetin, thotë ajo për Zërin.


Ka edhe studentë të vitit të parë, të cilët vendimin për të studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe e kanë bazuar edhe në të kaluarën e familjes.


Valentina Bahtiari, është studente e vitit të parë, e cila është lindur në Prizren, nga martesa e prindërve me prejardhje serbe dhe shqiptare. Ndoshta edhe pse kam jetuar në Prizren, kam pasur dëshirë të studioj gjuhën shqipe, por është mirë edhe për punë, pasi që pak e njohin këtë gjuhë, shprehet Bahtiari.


Këta studentë përveç ngjarjeve politike, që kanë përcjellë Serbinë dhe Kosovën për shumë vite, për të cilat kanë dëgjuar si përmes prindërve të tyre apo lajmeve televizive, nuk dinë shumë për historinë dhe jetën e shqiptarëve.


Sanja Trajkoviq, studente në këtë fakultet, thotë se ajo që di për shqiptarët është se gjuhën shqipe e flasin 6 milionë njerëz me prejardhje indoevropiane, ku kryesisht rreth 4 milionë e flasin vetëm në Shqipëri, kurse pjesa tjetër e flasin në Kosovë, Maqedoni e disa vende tjera. Po ashtu e di se ekzistojnë dy dialekte, ajo gegë dhe toskë, shprehet Trajkoviq.


Shqipja në Beograd mësohet prej 100 vjetësh


I pari që ka filluar të ligjërojë lëndën Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe, në kuadër të seminarit Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane, në vitin 1920/1921, ka qenë indoevropianisti serb, Henrik Bariqi.


Tash në katedrën e Gjuhës shqipe japin mësim 7 profesorë, prej tyre 3 shqiptarë nga Shqipëria, 3 shqiptarë nga Beogradi dhe një serb.


Pothuajse shumica prej tyre fakultetin, masterin dhe doktoraturën e kanë kryer në këtë fakultet. Njëra prej tyre, me prejardhje shqiptare, por që jeton në Beograd, Naile Mala- Imami, është edhe autore e Gramatikës së gjuhës së sotme shqipe, e cila është botuar në Beograd, vitin e kaluar. Ajo thotë se ky libër është rezultat i punës së saj dhjetëvjeçarë në këtë katedër.


Duke marrë parasysh se gjuhën shqipe e studiojnë studentët, të cilët kryesisht nuk e kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe, e kam parë të nevojshme që ti përvishem punës e të hartoj një gramatikë (fonetika dhe morfologjia) duke i shpjeguar rregullat e gjuhës së sotme shqipe në gjuhën serbe, por me shembuj në gjuhën shqipe, thotë profesoresha Mala-Imami.


Ajo tregon për Zëri, se përkundër shumë vështirësive që e kanë përcjellë kohë pas kohe këtë katedër, sot me punën e saj dhe kolegëve ka arritur që të krijojë një atmosferë shumë të volitshme dhe relaksuese për punë.


Prioritet: Angazhimi i profesorëve të UP-së në Beograd


Fatkeqësisht ne ende nuk kemi angazhim të profesorëve nga Prishtina, por shpresojmë se së shpejti do të krijohen mundësitë që të angazhojmë profesorë edhe nga UP-ja, thotë Mala-Imami. Ajo që UP-ja bën për studentët serbë në Beograd, është se për çdo vit i fton ata në seminarin e gjuhës shqipe dhe i mirëpret jashtëzakonisht mirë, tregon Mala-Imami.


Kurse ndihma që kjo katedër ka marrë nga Shqipëria është një fond prej 50 librash që i janë dhuruar në vitin 2007, kohë kjo kur për herë të parë, këtë katedër e ka vizituar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.


Që atëherë profesoresha Mala-Imami tregon se çdo vit katedra merr nga tre lektorë nga Shqipëria. Sa i përket interesimit të studentëve ajo tregon se interesimi i tyre për të studiuar këtë gjuhë është çdo vit në rritje. Për çdo vit regjistrohen nga 10 studentë, të cilët financohen nga buxheti i Serbisë, dhe nga 5-10 me vetëfinancim. Ky numër gjithnjë e më shumë është në rritje. Përndryshe shumica e studentëve nuk e kanë shqipen gjuhë amtare, thotë ajo.


Shumica e studentëve vazhdojnë studimet për master dhe studimet e doktoraturës, ku aktualisht në studimet e doktoraturës janë 5 doktorantë.


Shqipja në Beograd


Përveç shumë profesorëve nga Shqipëria, por edhe serbëve nga Kosova, që kanë ligjëruar gjatë viteve të ndryshme në katedrën e shqipes në Beograd, ligjëratat deri në fund të viteve të 80-ta i kanë mbajtur profesorët e UP-së, prof. Latif Mulaku, dhe i ndjeri prof. Latif Berisha. Sot katedra e gjuhës shqipe, gjendet në qendër të Beogradit, ngjitas me rrugën e njohur Knjaz Mihajlova, vend ky më i frekuentuari në kryeqytetin serb./zëri/