Shezai Rrokaj

Synimi i këtij shkrimi është të trajtojë disa dukuri që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljen e gjuhës shqipe këto dy dekadat e fundit. Ajo po përballet me sfida themelore:
1. çlirimi gradual prej “gjuhës së drurit”, e cila shprehte perceptimin e shqiptarëve brenda kornizës së dogmës ideologjike.
2. Ndryshimi gjeopolitik, pas viteve ‘90-të krijon mundësi të reja qarkullimi të njerëzve, bashkë me ta edhe të fjalëve, të cilat dalin nga enklavat, duke kapërcyer pengesat e dikurshme, që vinin nga kufijtë politikë. Brenda kufijve politikë lëvizja e lirë ka vënë në dyshim konceptet klasike të të folmeve dhe të dialekteve në të mirë të krijimit të sociolekteve a të një “përzierjeje të folmesh” me prurje heterogjene. Gjuha standarde ka prirje të zgjerohet dhe të larmohet me prurje të rëndësishme dhe cilësore kryesisht nga dialekti geg.
3. Ndryshimet politike e shoqërore e hapën shoqërinë shqiptare ndaj globalizmit, gjë që shoqërohet me një trysni të madhe të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, duke e futur hera-herazi në labirintet e “Kullës së Babelit”
Të ndalemi më gjerë në çështjet e mësipërme:
1. është i njohur fakti se gjuha përfaqëson mënyrën sesi folësit perceptojnë rrethinën dhe vetveten. Ky perceptim trashëgohet nga brezi në brez dhe çdo fëmijë, qysh me lindjen fillon e kundron botën me po të njëjtin perceptim, që bashkësia e vet ka ngulitur në fjalët e gjuhës. Ky fakt është i njohur në teorinë gjuhësore me emrin prerje e realitetit. Gjuhët ndryshojnë nga njëra-tjetra, jo thjesht prej faktit se ato fliten e shkruhen ndryshe, por para së gjithash, ngaqë ato kanë përfaqësuar në tingujt dhe shkronjat përvoja të ndryshme të bashkësive gjuhësore përkatëse.
Ky fakt na çon drejt argumentimit se në disa tipa ligjërimesh gjuha shqipe, duke dashur t’i përshtatej perceptimit të dogmës ideologjike marksiste-leniniste, filloi të ngurtësohej e të kalkohej në një shtrat të gjerë parafabrikatesh tipike për shprehjen e një vetëdijeje botëkuptimore për këtë dogmë. Në terminologjinë gjuhësore, kjo mënyrë komunikimi është quajtur edhe “gjuhë druri”, gjuhë e ngurtësuar, e cila “përkthen” perceptimin e dogmës. Ky përdorim gjeti shtrat të përshtatshëm në ligjërimet politike si, për shembull, ato që lidhen me kodin e besimit, marrëdhëniet shoqërore, ligjërimet nacionaliste, ligjërimi ndërinstitucional etj. Po japim disa shembuj1: “I gjithë populli ushtar; lavdi marksizëm-leninizmit, internacionalizmit proletar; të mendojmë, të punojnë, të luftojmë si revolucionarë; kur flet klasa hesht burokracia; kursim natë e ditë; njeriu i ri; sjelljet, shfaqjet e huaja; forcim i stilit në punë, i vigjilencës, i radhëve të partisë, i unitetit; ç’thotë partia bën populli, ç’don populli bën partia; nga fitorja në fitore, agjitacion dhe propagandë; agallarë, bejlerë, kulakë; aksion me goditje të përqendruar; frymë revolucionare, frymë e aksioneve; ambient mikroborgjez; aksionist; analizë klasore; brigadat e arave; aparat i Komitetit Qendror; armatos me teorinë marksiste-leniniste; kritikë asgjësuese; autokritikë e shëndoshë; armë politike, ideologjike; internim; bie nga fiku, rrëshqet këmba; Shqipëria një kala, vigjilenca fort e mban, feja është opium për popullin” etj...
E gjithë kjo mënyrë të foluri, e mbështetur mbi dogmën, e ngulitur në gjuhë, në fjalorë, që përdorej në shkollë, në jetën e marrëdhënieve politike, shoqërore, kulturore do të bjerë bashkë me përmbysjen e sistemit, duke krijuar fillimisht një boshllëk, një krizë elokuentia, e cila, me kalimin e viteve, gradualisht po kthehet në një deformim perceptimi dhe në një të folur arkaike.
2. Padrejtësia historike që i është bërë kombit tonë nëpërmjet copëzimit, ka lënë gjurmë të thella në tërë përbërjen e tij materiale e shpirtërore. Ndarja e tij në shtete me gjuhë dhe kultura të tjetërfarta, trysnia e tyre e pashmangshme, e mbarsur në mjaft raste me ideologji etnike bizantine, vrasëse të shteteve përqark, mbyllja e shtetit komunist shqiptar dhe politizimi i kulturës, kanë sjellë pasoja të tilla që i kanë detyruar shpeshherë shqiptarët të sillen ndaj njërit-tjetrit jo si bashkëkombës, por si fqinjë. Si mund të flitet për njësim të historisë, të kulturës e të gjuhës në këto rrethana? Njësimi është një proces vetëdijesimi i përbashkët për tërësinë e vlerave shoqërore, historike, kulturore e gjuhësore. Ai kryhet në kushtet kur këto vlera nuk mbeten vetëm potenciale, por kthehen në pjesë përbërëse të çdo individi. Atëherë shtrohet pyetja: Sa dhe si e njohim ne shqiptarët njëri-tjetrin, sa dhe si e njohim historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të përbashkët? Si mund të bëhet realitet njësimi gjuhësor për gjuhën shqipe, kur gati gjysma e popullsisë shqiptare ndodhet jashtë kufijve të Shtetit shqiptar?
Vetë çrregullimi demografik e politik i arealit gjuhësor të shqipes nuk vinte në ndihmë për një njësim të natyrshëm, pasi folësit e saj gjendeshin në kushte veçimi tejet specifike por, ndërkaq, edhe njësimi i pretenduar është ende larg së qeni gjithëpërfshirës.
Mirëpo, pas viteve ‘90-të, kanë ndodhur dy dukuri demografike me ndikim të drejtpërdrejtë në arealin gjuhësor të shqipes. Janë hequr pengesat gjeopolitike, që pengonin qarkullimin e njerëzve e bashkë me ta, edhe mallrave, ideve, marrëdhënieve shoqërore e kulturore, të cilat gjejnë shprehje në rrjetën e shenjave gjuhësore. Gjithmonë e më shumë, shqiptarët po dalin nga enklavat, ku i pati vendosur padrejtësia historike dhe po homogjenizohen. Bashkë me ta edhe kultura, gjuha, institucionet, mënyra e njëjtë e perceptimit të botës dhe formimit të vetëdijes gjuhësore e kombëtare.
Përpos kësaj dukurie makrolinguistike, një dukuri tjetër po ndodh në arealin e shqipes: zhvendosja e lirë e njerëzve brenda enklavave, hap pas hapi, po “prish” dialektet dhe të folmet, të paktën në kuptimin klasik të këtyre koncepteve, duke dhënë një pamje të re në atlantin gjuhësor të shqipes. Kjo gjë ka bërë të mundur që brumi i shqipes të vihet në lëvizje shumë më të gjerë, duke rritur ndjeshëm kontaktet. Në këto kushte, çështja e standardit nuk mund të trajtohet me të njëjtin këndvështrim si më parë. Dukuria e parë që lind dhe bëhet funksionale në lidhje me standardin është mundësia për krijimin e varianteve, të cilat marrin një rëndësi të veçantë në gjuhën shqipe. Në pamje të parë, ekzistenca e varianteve, duket sikur i kundërvihet njësimit dhe kjo ka pjesën e saj të së vërtetës, siç është po aq e vërtetë se ato përbëjnë mozaikun, larminë, vitalitetin dhe bukurinë e një gjuhe. Dukuria tjetër ka të bëjë me lindjen e sociolekteve si dhe me një qarkullim më të madh të formave në ligjërimin publik, kryesisht në letërsinë e shkruar. Ky vitalitet vihet re në disa drejtime kryesore: a) Në rigjallërimin e fjalëve dhe të strukturave dialektore a të folmeve, që nuk gjenden të pasqyruara në fjalorë; b) në krijimin e fjalëve të prejardhura; c) në krijimin e fjalëve me devijim klase; d) në shqipërimin e fjalëve të huaja me prejardhje të largët e të afërt.
Në këto kushte, del si domosdoshmëri vënia në qarkullim e formave, të cilat do të duhet mjaft kohë për t’u hapur ndaj gjithë bashkësisë së folësve. Për këtë gjë do të duhej doemos që i gjithë ky potencial fjalësh dhe strukturash të mos mbetet i panjohur për tërësinë e folësve, ai duhet të faktohet e të shpjegohet në dokumente të tilla, siç janë fjalorët dhe gramatikat thesare. Në vend që të merremi me diskutime shterpë për mënyrën sesi u arrit njësimi i sotëm, se çfarë u mor dhe çfarë nuk u mor për bazë, se çfarë duhet shtuar e çfarë duhet hequr, ndërkohë që folësve në të gjitha trevat nuk mund t’u imponohet konkretisht kurrfarë forme, mendoj se do të ishte më mirë t’u jepej në dorë çfarë ka gjuha jonë, e mandej vetë ata, në kushte jashtëgjuhësore të caktuara, të na impononin ne gjuhëtarëve një përzgjedhje më të arsyeshme të formave përfaqësuese për një standard gjuhësor sa më pranë realitetit të gjuhës mbarëkombëtare. Ndonjë prirje për ta riparë çështjen e standardit nga pozita të një voluntarizmi krahinorist, hera-herës nisur nga po i njëjti model konceptual si në ‘72-shin, kur dihet se shqipja nuk është më në rrethanat e dikurshme, si rezultat i ndryshimit të faktorëve jashtëgjuhësorë dhe prirjes drejt një zhvillimi të natyrshëm njësues, mund “ta trazojë” keqas çështjen e standardit, duke sjellë pasoja për gjuhën dhe unitetin e kombit. Vetë aktorët jashtëgjuhësorë dhe institucionet duhet të jenë shumë të kujdesshme për ndërhyrjet në gjuhë, pasi është ende herët të ndërhyhet në standard, sidomos në mënyrë emocionale, kur dihet se nuk kanë kaluar ende katër (realisht dy pas viteve ’90-të ) dekada dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe për gjuhë të tjera, do të duhen ende disa dhjetëvjeçarë për të gjykuar për efektet e standardizimit të gjuhës sonë. Kur vetë kombi po shkon natyrshëm drejt lëvizjes dhe njësimit të vlerave, është ende herët për një kirurgji tjetër eksperimentale nga ana e gjuhëtarëve.
3. Në një shoqëri të hapur politikisht dhe ekonomikisht, siç është shoqëria shqiptare sot, ndihet edhe trysnia e gjuhëve të vendeve të fuqishme politikisht dhe ekonomikisht, me të cilat jemi në kontakt. Kjo trysni është e pashmangshme në fazat e para të hapjes ndaj botës. Fjalët dhe strukturat e huaja vërshojnë nga të gjitha anët, aq sa të krijohet përshtypja se po ia marrin frymën gjuhës. Por, hap pas hapi, folësit fillojnë e reagojnë me vetëdijen e vetëmbrojtjes, shtien në punë kujtesën e përbashkët për të kërkuar brenda gjuhës që përdorin, gjegjëset e tyre dhe, vetëm kur bëhet i pamundur zëvendësimi, atëherë pranojnë t’i përdorin, duke ua nënshtruar sistemit të gjuhës së tyre. Sa më i plotë të jetë standardi i një gjuhe nga pikëpamja e gjithëpërfshirjes gjuhësore anekënd dhe masës së folësve që e përdorin, aq më shumë rritet qëndresa ndaj trysnisë së huazimeve.
A kemi të drejtë të shqetësohemi, kur përditë veshët na dëgjojnë dhe sytë na shohin përçudnime të tilla si: “kishin mundur të fitonin duke aplikuar me emrin e firmës (duke përdorur emrin e ndërmarrjes), çamët do të diskutohen në Athinë (çështja çame do të diskutohet), bëj mjekun, bëj mësuesin (është mjek, mësues), konvertoj paratë (këmbej), bord (kryesi), integritet (tërësi), krucial (i qenësishëm), kredibilitet (besim), fazë tranzicioni (kalimtare), takoi Bush (Bushin), debolesë (dobësi), axhendë (rend dite), demilitarizim (çmilitarizim), handikap (pengesë), konfrontimi (ballafaqimi), Aa! (ëë), Aha (ëhë), bla-bla-bla (llaka-llaka, dërr-dërr, gam-gam), jeni të mirëpritur (mirardhëshi), kontaktoni me numrat (lidhuni me), i avancuar (i përparuar), divergjencë (papajtueshmëri), konfidencë (mirëbesim), novacion (risi) OK! (Po!, mirë), i dha OK ( i dha pëlqimin), salutoj (përshëndes), përfitoj nga rasti t’ju shpreh komplimentat e mia (përgëzimet), komunitet (bashkësi), abonohem (pajtohem), aprovoj (miratoj), publicitet (reklamë), gelateria (akullore), pasticeria (ëmbëltore), Pizzeria (Piceri), adoptoj (birësoj), adaptoj (përshtas); primar (parësor), seleksionoj (përzgjedh), intermediar (ndërmjetës), përtej kësaj (pavarësisht nga kjo), premio (çmim), nazionale (kombëtare), pankinë (stol), GDP (PPB), Shërbimi Inteligjent (Shërbimi Informativ), komision bipartizan (dypartiak)” etj.
Në përfundim, mund të themi se uniteti i një kombi arrihet kur çdo kombas ndërgjegjësohet për tërësinë e vlerave që i përkasin. Nëse këto vlera mbeten të copëzuara, nëse ato nuk njihen dhe nuk bëhen pjesë e përbashkët e gjithsecilit, ky unitet mbetet abstrakt, nuk jetësohet. Një nga vlerat më të mëdha të tij është gjuha, një amanet i të parëve, pjesë e vetëqenies sonë, e identitetit kombëtar, e shqiptarësisë. Kjo vlerë duhet ruajtur e pasuruar nj’ashtu si e thotë Fishta se “Fjala ndryshon prej fjale . Fjala tjetër është ... në gojë të Homerit, të Demostenit, të Ciceronit ... e tjetër në gojë të ndonjë deputeti semianalfabet, egoist e regresist, intrigant e shtazë e parlamenteve të Evropës, si dhe në pendë të ndonjë gazetari a letrari, sidomos shqiptar”. Këtë dashuri për gjuhën Naimi do ta shprehë: “Të gjithë kanë bërë faj që s’falet e të metë që s’ndjehet, kur kanë përzier gjuhën e bukur shqipe me fjalë të huaja! Gjuha jonë duhet shkruar thjesht shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë”.
Midis “gjuhës së drurit” dhe “kullës së Babelit”, gjuha shqipe rrjedh e qetë në arteriet e kombit si një vetëdije, me të cilën shqiptarët kanë lidhur jetë e mot shqiptarësinë.