Nga Rando Devole


U bënë disa vjet që numri i qytetarëve shqiptarë në Itali është në ulje. Pasi u kapërcye gjysmë milioni në fillim të vitit 2014, numri i tyre filloi të binte rregullisht deri në ditët e sotme.


Sipas të dhënave të fundit të porsa botuara nga Instituti italian i statistikave, në Itali jetojnë si rezidentë 448.407 shqiptarë[i]. Më këtë shifër ata kapin vendin e dytë midis të gjithë kombësive të huaja, duke u renditur menjëherë pas rumunëve, numri i të cilëve e ka kaluar prej kohësh milionin.


Megjithatë, po të rreshtohen në listën e vendeve jashtë BE-së, shqiptarët rezidentë zënë vendin e parë. Pas tyre vijnë marokenët (420.651), kinezët (281.972) dhe ukrainasit (234.354). Shqiptarët përbëjnë 8,9% të numrit të përgjithshëm të rezidentëve të huaj.


Çfarë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar me shqiptarët?


Në fillim të 2016-s në Itali jetonin si rezidentë 467.687 shqiptarë[ii], pra aktualisht vihet re një ulje prej 19.280 vetash. Ulja e mëparshme ishte edhe më e madhe.


Me pak fjalë, trendi i reduktimit të numrit vazhdon të jetë i dukshëm, edhe pse me një ritëm pak më të ulët.


Po ta shprehnim me përqindje uljen e numrit të shqiptarëve (-4,1%), do të shikonim se zënë vendin e dytë pas moldavëve në këtë dukuri që prek edhe bashkësi të tjera migrantësh.


Po të kemi parasysh se qytetarët shqiptarë hyjnë në kategorinë e migracionit të hershëm, në një farë mënyre të stabilizuar, tre janë faktorët kryesorë të uljes së numrit të tyre: marrja e shtetësisë italiane, emigrimi drejt vendeve të tjera, mungesa e prurjeve balancuese nga Shqipëria[iii].


Të dhëna më të detajuara për marrjen e shtetësisë italiane priten të botohen së shpejti nga Istat, megjithatë bilanci demografik na mundëson të krijojmë një ide të përgjithshme për dukurinë. Fillimisht duhet të kujtojmë se pjesa më e madhe e imigrantëve në Itali janë me qëndrim afatgjatë. Kjo vlen veçanërisht për shqiptarët, çka do të thotë se një pjesë e madhe e tyre i kanë mbushur vitet e nevojshme për të kërkuar shtetësinë e vendit ku jetojnë.


Megjithatë, duhet të pranojmë se shifra e të huajve, që kanë marrë shtetësi italiane gjatë 2016-s, është përnjëmend mbresëlënëse: 201.591 persona.


Shqiptarët zënë vendin e parë meqë, gjithnjë sipas Institutit të statistikave, përbëjnë 18% të numrit të përgjithshëm. Me një llogaritje të thjeshtë, mund të themi se gjatë vitit të kaluar mbi 36.000 shqiptarë kanë marrë pasaportë italiane.


Ritmi i shqiptarëve që bëhen qytetarë italianë mbetet i lartë edhe këtë vit. Le të kujtojmë se gjatë vitit 2015 shqiptarët që morën pasaportë italiane kapën shifrën 35.134[iv]. Brenda disa viteve, kryesisht të fundit, numri i bashkëkombësve që kanë marrë pasaportë italiane shkon përafërsisht rreth 100 mijë vetë. Shifra marramendëse për një dukuri sociale me interes të jashtëzakonshëm në shumë plane.


Pavarësisht nga shifrat e sakta apo të përafërta, e përtej dallimeve statistikore midis rezidentëve dhe atyre me lejeqëndrim, fakti që del qartë në pah është se me këtë ritëm numri i qytetarëve shqiptarë, pra me pasaportë shqiptare, do të reduktohet në mënyrë drastike në pak vite. Kjo nuk do të thotë se do të zhduken shqiptarët, por se shumica e tyre do të pajisen me pasaporta të huaja, çka i bën qytetarë të një vendi tjetër, edhe kur e ruajnë dyshtetësinë.


Përshtypja është se politikat e vendeve të interesuara dhe opinionet publike përkatëse, të shpërqendruara e të hutuara, nuk po e rrokin sa duhet peshën e këtyre ndryshimeve epokale, të cilat kërkojnë një qasje thellësisht të ndryshme.


Shqipëria është ngërthyer prej kohësh nga debatet e brendshme politike, që vetëm sa e bëjnë më të dukshme harresën ndaj emigrantëve të vet në botë, përtej deklaratave të bujshme retorike.


Politikat kushtëzohen nga emergjencat, interesat e ngushta dhe objektivat afatshkurtra.


Askush nuk e ngre shikimin nga horizonti, që natyrisht është shumë i gjerë./ shqiptariiitalise.com


[i] Istat, Bilancio demografico nazionale, Anno 2016, 13 giugno 2017 (Bilanci demografik kombëtar, viti 2016, 13 qershor 2017)

[ii] Shiko shkrimin Më pak pasaporta shqiptare

[iii] Istat, Bilancio demografico nazionale, vep. cit

[iv] Istat, Cittadini non comunitari: presenza, nuovi ingressi e acquisizioni di cittadinanza, 29 settembre 2016