20/04/2012   “Daily Mail” zbulon të paaftët e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut


ANGLI- Ledi Bianku, përfaqësuesi shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, rezulton një nga 7 prej 11 gjyqtarëve që kanë pak ose aspak përvojë gjyqësore. Një zbulim të tillë e ka publikuar dje gazeta britanike “Daily Mail”. Sipas kësaj gazete, Bianku bën pjesë në rastet e atyre që nuk kanë pasur kurrë eksperiencë si gjyqtar, por vetëm se ka punuar dikur si avokat dhe pedagog. Vota e këtyre 7 gjyqtarëve ka qenë e dobishme në bllokimin e deportimit të predikuesit Abu Qatada nga Londra për në Jordani. “Daily Mail” shkruan se vota e Biankut ishte kyçe, për sa i përket ndalimit të deportimit. Këta 7 gjyqtarë do të kryesojnë një rast të dytë pas Qatada depozitoi një ankesë kundër deportimit të tij në Jordani. Gazeta shkruan se edhe presidenti i GJEDNJ-së, avokati britanik Nikolas Bratza kurrë nuk ka mbajtur një pozicion të lartë gjyqësor dhe përvoja e tij ishte e kufizuar. Françoise Tulkens, belgu zëvendëspresident i gjykatës, nuk ka përvojë të lartë në gjyqësor. Më pas gazeta rendit gjyqtarët Jociene Danute, Anatoli Kovler, David Thor Bjorgvinsson dhe Peer Lorenzen si pa përvojë në gjyqësor, si dhe disa prej tyre kanë dhënë deklarata. Në gusht të vitit 2008 tabloidi i njohur britanik “The Sun”, nëpërmjet një editoriali të titulluar “Gjykatësit e llumit”, ironizonte këtë trupë gjyqtarësh që kryesisht vinin nga vendet e Lindjes apo nga shtete me demokraci të re dhe të brishtë, siç është edhe Shqipëria. Ata votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait në SHBA.