Zgjedhjet parlamentare në Tiranë do të drejtohen nga një shtab i ri elektoral i cili do të dalë nga kryesia e re e demokratëve të kryeqytetit. Emrat që do të drejtojnë fushatën elektorale për deputetët e rinj të PD-së në Tiranë do të mësohen në fillim të muajit shkurt. Është ky momenti kur dhe do të votohet kryesia e re. Kjo, për faktin se PD-ja ka ndryshuar formulën e zgjedhjes së kryesisë së degës së Tiranës. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të PD-së, në proces votimi hyn edhe anëtarësia e re e kryesisë së Tiranës. Më parë, kryetar dhe sekretar e nëndegëve, bëheshin automatikisht anëtarë të kryesisë. Kurse me formulën e re të zgjedhjeve të brendshme në PD, kandidatët do të votohen. Pretendohet që kryesia të jetë më e zgjeruar se ajo që është aktualisht, madje 35 për qind më shumë. Dhe kryesia e re që do të votohet, do të jetë pjesë kyçe e shtabit elektoral të zgjedhjeve parlamentare në Tiranë në qershor të 2009-ës. Lista e miratuar nga kryesia dhe grupi i punës për kandidaturat për anëtarë kryesie i përcillet sektorit të organizimit në kryesinë qendrore nga sekretari i degës. Kryesia qendrore ka të drejtën e refuzimit të kandidaturave të veçanta. Dhe gjithnjë nëse emrat e propozuar nuk plotësojnë disa kritere të qarta të përcaktuara në udhëzuesin e ri të organizimit të PD-së për zgjedhjet e reja brenda partisë. Me kriteret e reja, të cilat janë shumë më të forta se ato të zgjedhjeve të 4 viteve më parë, synohet që në forumet drejtuese të partisë të zgjidhen njerëz me integritet dhe që ofrojnë shanse për të ngritur në një nivel më të lartë veprimtarinë e degës së PD-së. Në bazë të statutit të PD-së, kryesia e degës është kompetente për të miratuar, pas konsultimeve me nëndegët përkatës të partisë, kandidaturat që përfaqësojnë PD-në në zgjedhjet elektorale. Kryesia e degës është përgjegjëse për veprimtarinë koherente të nëndegëve në varësi të saj me veprimtarinë e përgjithshme të partisë në çështjet e organizimit, veprimtarive politike publike, veçanërisht të fushatave elektorale. Zgjedhjet e reja brenda PD-së, të cilat pritet të mbyllen në nivel kombëtar në muajin prill të këtij viti, synojnë gjallërimin në një nivel më të lartë të veprimtarisë politike të PD-së, do të mbështesin dhe përmirësojnë qeverisjen lokale e qendrore të saj, do të intensifikojnë veprimtarinë publike e elektorale në territoret që mbulojnë degët, grup-seksionet. Përmes tyre do të synohet zgjerimi i anëtarësisë së PD-së dhe hapja e mëtejshme e saj, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e të gjithë atyre që po dëshmojnë përkushtim në realizimin me sukses të programit qeverisës në nivel qendror e lokal si dhe të shtresave elektorale mbështetëse të PD-së, inteligjencës, grupimeve shoqërore të interesave përkrah programeve të saj. Këto zgjedhje synojnë t’i shërbejnë PD-së për një mandat tjetër qeverisës përmes zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen vetëm disa javë pas tyre.











Statuti i PD-së





Kryesitë


Neni 26


1.-Kryesitë e degëve (rretheve, qarqeve, rajoneve elektorale, qyteteve që kanë më shumë se dy nëndegë) përbëhen nga jo më pak se 15 anëtarë. Kryesia e PD-së përcakton numrin e anëtarëve për çdo kryesi si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtar kryesie. Jo më pak se ¼ e anëtarëve të kryesive duhet të jenë zonja.


2.- Kryesia e degës përbëhet nga:


a) një numër anëtarësh të zgjedhur nga kryesitë e nëndegëve mes anëtarëve të tyre. Sekretari i degës u njofton kryetarëve të nëndegëve numrin e anëtarëve që do të zgjedhin si anëtarë kryesie dhe shpërndarjen e tyre sipas nëndegëve. Numri i anëtarëve të zgjedhur për çdo degë përcaktohet gjysma në përputhje me anëtarësinë në 31 dhjetor të vitit që paraprin zgjedhjet në parti dhe gjysma në përputhje me votat e partisë si subjekt elektoral në zgjedhjet më të fundit, rrumbullakosur në numrin e plotë më të afërt. Çdo nëndegë përfaqësohet në kryesi me të paktën tre anëtarë të zgjedhur, njëri prej të cilëve është kryetari i nëndegës dhe të tjerët anëtarë të votuar të kryesisë së nëndegës në Kuvendin e saj.


b) një numër anëtarësh me të drejtë të fituar, anëtarë të PD-së, ku bëjnë pjesë ministrat me banim aty, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që kanë dalë në territorin përkatës, kryetari i qarkut, kryetari i bashkisë së kategorisë së parë, kryetarët e organizatave partnere, nëse ka organizime të tilla që përputhen me organizimin e grup-degëve përkatëse, sekretari i degës dhe të nëndegëve, kryetari i bordit financiar (trezorieri).


c) Personat e dalë sipas gërmës “b” nuk mund të jenë më shumë se ata të gërmës “a”.


3. - a) Kryesitë mblidhen të paktën një herë në tre muaj.


Kryesia mund të mblidhet edhe me kërkesën e 2/3 të anëtarëve të kryesisë, kërkesë e cila i paraqitet kryetarit të degës. Në këtë rast rendi i ditës i mbledhjes duhet të përcaktohet në kërkesën e paraqitur dhe nuk mund të ndryshohet nga kryetari apo sekretari i degës. Mbledhja mbahet brenda një muaji nga paraqitja e kërkesës.


b) Kryesia vendos në emër të nëndegëve të PD-së që mbulon për çështje dhe kompetenca që ky statut i njeh asaj. Ajo i adreson të gjitha propozimet dhe kërkesat në emër të degës në organet qendrore të PD-së.


c) Kryesia vendos për ngritjen e bordeve, departamenteve e grupeve te tjera të punës që do të jenë të nevojshme për ushtrimin e detyrave që i ngarkohen.











Berisha, drejtues i fushatës në Tiranë





Zgjedhjet elektorale të PD-së në Tiranë dhe Durrës drejtohen nga lideri i mazhorancës, Sali Berisha, dhe ai informohet për çdo aspekt të zgjedhjeve të deritanishme. Ai bashkë me grupin e punës prej 11 anëtarësh të kryesisë së madhe të PD-së, ndjek të gjithë procesin elektoral në kryeqytet. Ata janë të shpërndarë në 11 minibashkitë e Tiranës dhe secili përgjigjet për ecurinë e njësisë që i është caktuar nga kryesia. Kështu, Sokol Olldashi është përgjegjësi për minibashkinë nr. 1; Jemin Gjana për atë nr. 2; Atsrit Patozi ndjek zgjedhjet në minibashkinë nr. 3; Ridvan Bodes i është besuar minibashkia nr. 4, kurse Genc Rulit ajo nr. 5; Ilir Rusmali dhe Lulzim Basha kanë detyrën e ndjekjes së procesit elektoral në minibashkitë nr. 6 dhe atë nr. 7. Aldo Bumçi dhe Jozefina Topalli përgjigjen për dy minibashkitë e tjera, nr. 9 dhe nr. 10. Kurse dy anëtarët e tjerë të kryesisë, Halit Shamata dhe Majlinda Bregu, kanë si përcaktim minibashkitë nr. 10 dhe atë nr. 11.