shullazi-seance

Në një kohë kur dëshmitarët në procesin e Emiljano Shullazit po japin dëshmi të ndryshme para trupit gjykues krahasuar me ato të dhëna në Prokurori, mbrojtja ka kërkuar që të përshpejtohet gjyqi ndaj grupit kriminal.


shullazi-seance


Avokati Vladimir Meçi, ka kërkuar në seancën e djeshme që të zhvillohen dy seanca në javë. Mirëpo, trupi gjykues e pa të pamundur këtë gjë, ndaj vendosi që të shtojë numrin e dëshmitarëve në seancën e ardhshme, që mbahet ditën e martë, në orën 9:00. Kjo lëvizje bën që të martën të ketë dëshmi të personave VIP.


Për atë seancë, ishin planifikuar që të dëshmonin dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, si edhe Majlinda Keta, bashkë me Klodeta Dibra.


Mirëpo, për shkak të përshpejtimit të procesit, në të njëjtën seancë u thirrën edhe dëshmitarët VIP që do të thirreshin në atë pasardhësen. Bëhet fjalë për Haki Çakon dhe Samimir Tahirin. I pari është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i dyti ka qenë ministër i Brendshëm në kohën kur akuzohej për lidhjet me Emiljano Shullazin.


TAHIRI


Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dëshmuar më parë në Prokurori për rastin e Emiljano Shullazit. Ai është thirrur për të dëshmuar në lidhje me kërcënimin e rektorit të UT, Mynyr Koni. Mësohet se Koni kishte vënë në dijeni Tahirin, Çakon, ministren e Arsimit, Lindita Nikollin, dhe dy pedagogët Dibra dhe Keta, për kërcënimin që kishte marrë nga Shullazi, për të moskandiduar për rektor të UT-së.


Tahiri ka dëshmuar në Prokurori, në datën 24 mars të këtij viti. Unë iu përgjigja pozitivisht ftesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të treguar edhe këtu detyrën që kam bërë. Dhe më vjen mirë, në fakt, që jam ftuar të dëshmoj për detyrën që kam bërë lidhur edhe me këtë rast, kur të dy profesorët deklaruan se u kërcënuan, pati thënë Tahiri pasi doli nga Prokuroria. Për të njëjtën gjë do të pyetet edhe Çako, së bashku me dy pedagoget.


KULE DHE KONI


Në seancën e së martës do të dëshmojnë Dhori Kule dhe Mynyr Koni, që të dy kanë akuzuar Emiljano Shullazin se i ka kërcënuar gjatë zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës.


Isha në rrugë duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi te këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tre veta. Njëri prej tyre më tha Ti do tërhiqesh deri nesër nga gara!. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë, me ton të lartë, më tha: Ti do të japësh dorëheqjen, pati dëshmuar Mynyr Koni në Prokurori duke vënë gishtin mbi klanet e Emiljano Shullazit. Po ashtu, edhe Dhori Kule pati deklaruar se është kërcënuar nga Shullazi në zgjedhjet brenda Universitetit të Tiranës, në mënyrë që të tërhiqej.


ERALD DELIU/PANORAMA