Alma Mile

“Keni fatin e Shekspirit, të cilit iu dogj shtëpia e iu rindërtua sërish!”. Kështu kujton t’i ketë thënë vite më parë shkrimtarit të madh Ismail Kadare, arkitekti Latif Lazimi, të cilit i ishte besuar realizimi i projektit të restaurimit dhe rikonstruksionit të shtëpisë së rrënuar. Kur ka mbaruar një pjesë e mirë e projektit dhe pritet të nisë puna për punimet e brendshme, arkitekti nuk e sheh më veten ndër emrat e realizuesve. Nuk flitet për ndonjë projekt të ri, por për atë të vulosur e firmosur nga të gjitha organet përkatëse. Tek i njëjti projekt (plus një shtesë ndërtese) figuron emri i një tjetër arkitekti. Lazimi, punonjës pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, thotë se ka prej vitit 2000 që merret me këtë projekt. “Jam marrë me rilevimin dhe realizimin e projektit, qysh kur u mor vendimi për rikonstruksionin e shtëpisë së Kadaresë. Hartova të gjitha planet, ndërtova edhe një maket, të cilin e pa edhe vetë shkrimtari e më pas u miratua në këshillin shkencor dhe në atë kombëtar”, - tregon arkitekti, i cili të ofron të gjitha dosjet dhe projektet e mundshme. Dhe në të vërtetë projektet që mbajnë emrin e tij janë vulosur nga këshilli Shkencor i IMK-së, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe mbajnë firmën e drejtorit të IMK-së, njëkohësisht sekretar i KKR, Lorenc Bejko. Po kështu edhe një tjetër projekt i azhurnuar, mbi bazën e gjurmëve të reja që dolën gjatë punës. Po të njëjtën firmë mban edhe projekti tjetër që nuk mban më emrin e Latif Lazimit. Arkitekti e pranon se projektit fillestar i është shtuar edhe një aneks, për të cilin, ai si specialist, por edhe këshilli shkencor nuk kishin qenë dakord të ndërtohej. Dhe kjo shtesë është projektuar nga inxhinier Genc Samimi, por jo plani i ndërtesës, apo rilevimi i saj, të cilat mbajnë firmën e Lazimit. Pikërisht mbi këtë projekt janë kryer punimet e ngritjes së ndërtesës, me vlerë 10 milionë lekë. Ai vetë për të kuptuar arsyen e këtij postimi e ka ngritur këtë çështje në mbledhjen e radhës së këshillit shkencor, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. I pyetur për këtë çështje, drejtori aktual, Valter Shtylla, thotë se kjo është një çështje që nuk i përket atij(siç shpjeguam më sipër), duke qenë se ndodhet në pozicionin e drejtorit prej vetëm tre muajsh dhe se me mbikëqyrjen e punimeve tanimë po merret UNESCO. Të njëjtën përgjigje marrim pak a shumë edhe pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I sigurt është fakti që Latif Lazimi është spostuar nga ky projekt. “Unë ndërkohë prisja që të sinjalizohesha për realizimin e projekteve të tjera, si ato hidrosanitare, ato kundër zjarrit, tërmeteve, etj., dhe më mirë se arkitekti këto nuk i di askush. Madje, duke qenë se shtëpia e shkrimtarit do të kthehet në një bibliotekë, më është dashur të bëj edhe nja dy shtojca të shpejta”, - thotë ai. Me një llogari të shpejtë, kushdo mund ta kuptojë se bëhet fjalë për përfitime financiare, por arkitektin nuk e shqetëson kjo. Përveçse është një vjedhje e të drejtave të autorit, e cila kryhet nga një institucion që duhet ta mbrojë atë, bëhet fjalë edhe për një dëmtim moral. Prej 35 vitesh ai merret posaçërisht me Gjirokastrën dhe ndër to 8 vite vetëm me shtëpinë e Ismail Kadaresë. Njeh symbyllur çdo detaj të kësaj shtëpie. Ka ringritur në letër shtëpinë e rrënuar pas djegies së vitit 1999, duke u munduar t’i rikthejë në jetë çdo detaj të shtëpisë, ku ka kaluar vitet e fëmijërisë shkrimtari, që nga shkallët e brendshme, oxhaku, deri tek rozetat.