Sipas ministrit të Brendshëm, aplikuan për letërnjoftime elektronike 1 402 000 shtetas shqiptarë







TIRANË- Ministria e Brendshme fsheh të dhënat për shtetasit pa pasaportë që nuk u bënë pjesë e procesit të aplikimeve për karta identiteti dhe që rrjedhimisht nuk do të kenë as mundësi më për të votuar në 28 qershor.





Pavarësisht se procesi i aplikimeve për këtë kategori zgjedhësish ka përfunduar dhe pavarësisht se të dhënat përveçse shkresore ekzistojnë edhe në mënyrë elektronike, kjo ministri nuk ka guxuar edhe një ditë pas mbylljes së këtij procesi të japë të dhëna për këtë çështje, që për opozitën por edhe për ndërkombëtarët është kthyer në një problematikë.





Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, megjithëse ka dalë posaçërisht për të njoftuar mbylljen e procesit të aplikimeve për shtetasit pa pasaportë, nuk ka përcjellë të dhëna se sa shtetas të kësaj kategorie u bënë pjesë dhe sa të tjerë jo.





Ai ka bërë të ditur vetëm se deri në përfundim të këtij procesi më datën 18 qershor aplikuan 1 milion e 402 mijë shtetas, por pa bërë të ditur se sa prej tyre kanë qenë zgjedhës pa pasaportë.





"Deri ditën e djeshme (19 qershor), kur ka qenë afati i fundit për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik për ata shtetas që nuk disponojnë një pasaportë, pra që nga mesi i muajit Janar kur nisi ky proces dhe deri dje, u paraqitën dhe aplikuan për letërnjoftimet elektronike 1 402 000 shtetas shqiptarë", - tha Nishani.





Duke e konsideruar këtë shifër si të kënaqshme, ai i ka paraprirë një problemi që mund të lindë me shtetasit që s'do mund të votojnë për shkak të mungesës së kartave, duke theksuar se kapaciteti i aplikimeve ka qenë për të marrë pjesë deri në 2.5 milionë zgjedhës.





"Gjej rastin të falënderoj të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët shfrytëzuan të gjitha kapacitetet, që për hir të së vërtetës kanë qenë shumë më të mëdha se ajo çka u realizua.





Nëse kanë aplikuar 1 402 000 qytetarë, këto kapacitete kanë qenë për 2.5 milionë qytetarë shqiptarë", - tha më tej Nishani. Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se deri më tani nga ana e kompanisë Aleat janë prodhuar 1 milion e 50 mijë karta, ndaj ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë pranë njësive vendore për t'i tërhequr.