TIRANE-Qeveria i merr pronën Komunitetit Mysliman, të cilën ia ktheu me një vendim të posaçëm në vitin 2007, e shtetëzon dhe e kalon si fond fizik pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky vendim u mor në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, të mërkurën e kaluar, ku qeveria njeh gabimin e bërë me kthimin e bërë dy vite më parë dhe ia zvogëlon kështu pronën komunitetit mysliman. Kjo pronë ndodhet në rrugën e Kavajës, në kryqëzim me rrugën “Kajo Karafili” dhe ekzaktësisht bëhet fjalë për katin përdhes të Ministrisë së Kulturës. Janë plot 1185 metër katrorë që kthehen si pronë shtetërore pranë AKP-së, e cila do të përdoret më pas për kompensimin e ish-pronarëve. Por, vendimin i së mërkurës rrëzon dhe dy vendimet e dhëna nga ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Tiranës. Njëri me numër 459 është i vitit 1996 dhe tjetri me numër 345 është i vitit 2000.
“Historia e kësaj prone është e gjatë. Në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave është bërë një ankesë”, - citohet relacioni i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Duke u bazuar te kjo ankesë e ardhur, ekspertët e këtij departamenti ushtruan kontroll administrativ mbi vendimet e marra vite më parë. “Gjatë ushtrimit të kontrollit, kanë vërejtur se ky vendim është i parregullt nga ana ligjore dhe teknike, duke arsyetuar se ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i Bashkisë Tiranë në këtë rast është shprehur vetëm për sipërfaqen 3534 metër katrorë dhe nuk është shprehur për pjesën e truallit, ish-pronë e pretenduar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar”, - theksohet në relacionin e përgatitur nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Më poshtë këtij relacioni bëhet e ditur se ka qenë Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës që ka bërë ankesën pranë Departamentit Antikorrupsion të Kryeministrisë, madje ka qenë kjo ministri që kërkuar verifikimin në terren të pronës, pasi prona e kompensuar nuk është aty ku e ka kthyer qeveria në 2007, po është diku tjetër. "Dhe konkluzioni i arritur nga grupi i ekspertëve është se prona e vjetër e Komunitetit Mysliman me atë të njohur nga ish KKKP-ja e Bashkisë Tiranë nuk ndodhet në të njëjtin nivel”, - vazhdojmë e citojmë relacionin e këtij vendimi, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Pas këtij konkluzioni, i cili i është paraqitur edhe AKKP-së, kjo e fundit ka marrë vendim më 2 tetor të këtij viti, që kjo pjesë e pronës t’i kthehet shtetit, e për pasojë të jetë në fondin fizik të saj për të qenë pjesë e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky vendim u mor nga qeveria, e cila shfuqizon vendimin e dhjetorit 2007, e marrë po nga qeveria e djathtë vetëm për 1185 metër katrorë, ndërsa pjesa tjetër mbetet ajo që është, pra 3534 metër katrorë i mbesin Komunitetit Mysliman. Në mbledhjen e dhjetorit 2007, e njëjta sipërfaqe iu kthye Komunitetit Mysliman si detyrim që ka qeveria për të kompensuar fizikisht ku ka mundësi komunitetet fetare. Madje, disa herë Berisha e ka deklaruar se ky kthim pronash duhet të jetë prioritet kryesisht për këto komunitete.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)