u3_ndreca


Nga Ardian Ndreca


Bani shumë përshtypje këto ditë në media dekreti që presidenti i Berishës, Bujar Nishani, firmosi për shkarkimin nga detyra të zëvendës shefit të shtabit të Forcave të Armatosuna (FA), gjen. brig. Sandër Lleshit dhe dy kolegëve të tij. Emni i këtij ushtaraku u ndie së pari vitin e kaluem, kur Ismail Kadareja ua propozoi të gjitha forcave kryesore politike si kandidat të përshtatshëm për president të Republikës. Propozimi u hodh poshtë pa mëdyshje prej Berishës dhe Metës, ndërsa Edi Rama qe i vetmi që e pranoi dhe e mbështeti kandidaturën e tij.


Berisha parapëlqeu nji kandidat tjetër për president, nji ish-funksionar të naltë të drejtësisë komuniste dhe ish-antar të PPSH, mandej edhe kur u tërhoq prej këtij zgjodhi nji të dytë që në momentin e fundit doli se kishte qenë hafije e Sigurimit; në fund krejt përfundoi me nji ish-nënoficer që në vitin 1991 ishte tregue i gatshëm me mbrojtë me gjak bustin e Enver Hoxhës në ambjentet e shkollës Skënderbej.


Sigurisht nji individ si Nishani asht ideal për Sali Berishën, por edhe ata dy kandidatët para tij nuk do të kishin qenë ma pak të përshtatshëm po të ishin zgjedhë.


Problemi i Nishanit nuk janë kufizimet e tija të dukshme fizike, pse bota ka njohtë presidenta ulokë si puna e Franklin Delano Roosevelt, që edhe pse i gozhduem prej poliomielitit fitoi Luftën e Dytë botnore. Në rastin e Nishanit problemi rrjedh prej paaftësisë së tij morale me përballue edhe nji situatë krejt normale; mjerisht ai nuk ka qenë asnjiherë presidenti i shqiptarëve, por vetëm nji kukull lepe-peqe i Sali Berishës. E çka mund të pritet prej nji kryepari të republikës që ka marrë si këshilltar të vetin nji pretendues të fronit që mban titullin imagjinar princ! Tek ne republika këshillohet nga monarkia! Nji idiotësi të tillë mund ta bante vetëm nji figurë groteske si Nishani, i cili asht shenji ma i dukshëm i dekadencës strukturore të institucioneve republikane. Maksimumi që do të mbesin prej tij ka me qenë mesazhi i fundvitit të kaluem kur i uronte shqiptarëve (citoj jo tekstualisht!): autostradat me aviona, pjatat me makarona dhe detin me kamiona!


Para pak ditësh hakmarrja primitive e Berishës, Imamit, Nishanit e Gjunkshit ra mbi gjen. Sandër Lleshin, e me ketë rast kryeministri shqiptar, në ditët e fundit të mandatit të tij të fundit u hakmor për faktin se pikërisht ky ushtarak i naltë kishte guxue me kritikue në rrugë institucionale frymën antidemokratike të Projektiligjit për Disiplinën në FA, tue vu në dukje kufizimet e lirisë personale të ushtarakëve të karrierës dhe tentativat me kontrollue politikisht FA. Gjithashtu ai kishte kritikue nxjerrjen e njësive ushtarake jashtë kazermave dhe përdorimin e tyne për qëllime joushtarake në kundërshtim me procedurat dhe ligjet, kishte kritikue faktin që MM asht kthye në nji dyqan bakallit ku merren vendime për emna të përveçëm dhe për vogëlsina tjera e lihet qëllimisht mbas doret tash sa vjet miratimi i dokumentit të strategjisë së sigurimit kombtar. Lleshi skishte ngurrue me vu në dukje mungesën e kujdesit për dinjitetin, pagat, sigurinë, kushtet e punës së efektivave ushtarake, gjana që me sa duket nuk kanë përba asnjiherë përparësi për ministrin Imami. Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit në vend që me u marrë me çeshtje madhore duket se janë ma të interesuem me seleksionue emnat e ushtarakëve që shkojnë në misione NATO, tue skartue hera herës në çastet e fundit ushtarakë të përgatitun me pretekstin e mungesës së kushteve të pastërtisë së figurës. Ky asht nji paradoks i madh pse del që nji ushtarak që në Shqipni asht i pastër dhe i pranueshëm si figurë për me shërbye në FA, nuk asht i tillë për me shkue në Afganistan. Pra, për serasqerët tanë ka ma shumë randësi siguria e Afganistanit sesa ajo e Shqipnisë! Sigurisht që mbas këtyne preteksteve qëndron korrupsioni kapilar që ka përfshi drejtuesit e naltë të ushtrisë shqiptare.


Siç shihet gjendja e FA paraqitet e mjerueshme, mjaft të mendojmë se në krye të dikasterit të mbrojtjes ndodhet nji ish-aktor filmash që ka qenë protagonist në nji prej akteve ma të dhunshme të tragjedisë sonë të tranzicionit, atëherë kur në vitin 1997 hipte mbi tanket e grabituna në arsenalin e ushtrisë dhe sulmonte Shtetin shqiptar. Në asnji vend normal të botës nji person që ka sulmue me armë Shtetin nuk do të emnohej ministër, e madje nji ministër burracak që pengonte deri dje komisionin parlamentar me kontrollue aktivitetin e ministrisë së tij, i gatshëm me i shitë armë në mënyrë të paligjshme regjimeve diktatoriale afrikane apo me vu në shërbim të politikës asetet ushtarake tue përgjue opozitën dhe përfaqsitë e hueja diplomatike.


Edhe kësaj here në përballjen mes Shtetit dhe antishtetit, fitoi ky i fundit, triumfuen përkohsisht bajraktarët e antishtetit: Sali Berisha, Arben Imami, Bujar Nishani, Xhemal Gjunkshi me shokë. Fituen ata që me anë të korrupsionit e të dobësimit të sovranitetit duen me e çue punën deri atje sa Shqipnia të gjunjëzohet edhe prej shasmeve (saçmeve) të atyne që nuk na e duen të mirën.


Shkarkimi nga detyra e ushtarakëve të naltë vetëm pak ditë para zgjedhjeve asht nji sinjal alarmit për sigurinë kombtare dhe për të gjitha institucionet shtetnore. Mos ndoshta Sali Berisha po kërkon me lanë në krye të FA njerëz që janë tregue vazhdimisht të gatshëm me veprue në kundërshtim me ligjin themelor të Republikës në mënyrë që me pasë dorë të lirë për me i përdorë në rast të humbjes së zgjedhjeve?!


Shpresojmë që në mendjen e tij mbrapshtane mos të kenë ba fole skenare të tilla të errta pse kjo gja do të shenjonte fundin e tij të menjihershëm. Sidoqoftë lirimi nga detyra i personave që i kanë shërbye vetëm institucioneve republikane asht hakmarrja e pastër e Berishës ndaj çdo njeriu që ven Shtetin përpara interesave të tija të ulta klanore dhe asht nji arsye ma tepër për mos me e votue ketë individ që asht kthye në simbol të antishtetit.