Strategjia bazë e shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës është, ndërtimi i shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, shtetit në të cilin, siç deklaron vazhdimisht kryeministri Thaçi, do të sundojë ligji. Kjo, sepse, sundimi i ligjit, zbatimi i vendosur i standardeve themelore të shtetit të së drejtës janë themelet mbi të cilat ngrihet dhe fuqizohet demokracia në shtetin dhe në shoqërinë e Kosovës. Prandaj, edhe në rrethanat e Kosovës relacionet e shtetit dhe të demokracisë nuk janë aq të thjeshta. Shteti, në radhë të parë shteti i së drejtës, shteti ligjor, shteti ku liria e veprimit institucional del nga djepi i demokracisë, mund të prosperoj, mund t’i hap perspektivat e demokracisë vetëm duke çarë shtigje të e reja për qytetarin, pra edhe duke i luftuar dhe eliminuar paraprakisht pengesat që i bëhen demokracisë. Natyrisht, siç mund të konstatohet, një prej sfidave të mëdha të kohës, të shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës është efikasiteti i institucioneve, pra, edhe i Qeverisë sonë për të luftuar, për të çrrënjosur ato situata, ato veprime të cilat e rrezikojnë frymën e demokracisë, siç është edhe korrupsioni.
Ditë më parë, Kryeministri Thaçi, pasi kishte përsëritur sloganin me të cilin ngadhënjeu në zgjedhjet e kaluara nacionale, “ Një qeverisje ndryshe”, paralajmëroi se Qeveria të cilës ai i prin, “...nuk do të toleronte çfarëdo keqpërdorimi të pozitës”. Ai, madje ishte edhe më ekskluziv kur, në paraqitjen para qytetarëve të Republikës së Kosovës ripohoi se:”...Qeveria e mendon atë që e thotë kur deklaron se do të ballafaqohet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe do ta çrrënjos atë nga sistemi”. Pa dyshim, jo vetëm qeverisjes ndryshe të z. Thaçi, por edhe të gjitha segmenteve të institucioneve të Kosovës ju duhet një zë kaq i vendosur dhe kaq kategorik , siç është ky i kryeministrin tonë, për luftimin dhe çrrënjosjen e dukurive negative në shoqëri, në radhë të parë për ballafaqimin e guximshëm me korrupsionin, i cili, mjerisht ka hyrë edhe në segmentet e vetë sistemit . Në këtë gatishmëri të plotë qytetare dhe institucionale për ta luftuar korrupsionin, në çdo pore të jetës ku ai paraqitet dhe ku kërkon hapësirë, kryeministri dhe mbarë udhëheqja e jonë shtetërore e ka përkrahjen e secilit qytetar. Nga ana tjetër, edhe miqtë ndërkombëtar, madje edhe Tony Blair në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që, lufta kundër korrupsionit të jetë e pamëshirshme, e prerë dhe me rezultatet konkrete. Kjo do të thotë se, luftimi i kësaj të keqe, është një ndër kushtet për zgjerimin e hapësirave të reja të demokracisë në shoqërinë tonë, standard i pa diskutueshëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbi të gjitha, parakusht që Kosova, shteti ynë të bëj përparime konkrete në rrugëtimin drejt Evropës së bashkuar.
Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri të hapur, një shtet demokratik, me pamje të qytetërimit evro-perëndimor dhe, lufta kundër korrupsionit duhet të jetë një ndër prioritetet e të gjitha institucioneve tona shtetërore, sepse, suksesi ose jo i Qeverisë sonë në këtë betejë drejtpërdrejt reflekton në imazhin e shtetit tonë para botës së qytetëruar, para miqve tanë që, dje dhe sot janë për krah neve. Lufta kundër çdo dukurie negative në shoqëri,pra në radhë të parë edhe kundër korrupsionit e rrit besimin e qytetarëve tek shteti, tek institucionet qeverisëse, tek prijësit tanë në çdo nivel, rrjedhimisht, i bën më të besueshme shpresat e rinisë sonë për një të sotme dhe të ardhme më të qëndrueshme në rrafshin social-ekonomik.
Prandaj, është koha të veprojnë segmentet e shtetit të së drejtës, në radhë të parë, policia, gjykatat dhe të gjitha ato nivele institucionale të cilat janë të thirrura dhe kanë përgjegjësi kushtetuese për ta luftuar dhe çrrënjosur korrupsionin. Hapja e një perspektive të re të luftimit të korrupsionit jep frymë të re edhe bashkëpunimit dhe përkrahjes ndërkombëtare për shtetin tonë, për institucionet e vendit, pra edhe për udhëheqjen e Republikës së Kosovës. Prandaj, presim që, kryeministri Thaçi , i cili e ka përkrahjen e vendosur jo vetëm të bashkëpunëtorëve të tij, por edhe të gjithë qytetarëve të vendit, të mos zmbrapset nga vendosmëria dhe guximi i tij që, siç e ka deklaruar edhe vetë, të jetë në vijën e parë politike, qeveritare dhe shtetërore në luftimin e korrupsionit dhe çdo dukurie tjetër negative, abuzive që e sfidon ecjen e shtetit tonë kah forcimi i demokracisë, kah mirëqenia sociale-ekonomike, kah një e sotme dhe e nesërme edhe më e sigurt, edhe më e lumtur për secilin banor të Kosovës.

Autori është shef i Departamentit të Shkencës Politike të Universitetit të Prishtinës

...