Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë në një konferencë për mediat mesditën e sotme, duke bërë analizën e grabitjes së 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit.


Pa mbajtur aspak përgjegjësi për ngjarjen e rëndë, Lleshaj ia ka deleguar fajin kompanisë koncesionare nga Kina, e cila sipas ligjit ka për detyrë të garantojë sigurinë brenda perimetrit të aeroportit Nënë Tereza.


“Nga analiza rezulton se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë në përgjegjësi të kompanisë koncesionare të aeroportit. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur që përgjigjet për sigurinë fizike nuk kanë arritur të zbatojnë standardet, tha Lleshaj.


Duke kujtuar se çdo pasagjer që kalon në Rinas paguan rreth 3 euro si kostot, Lleshaj theksoi se do të mjaftonte mbledhja e këtyre kontributeve për të vendosur nga koncesionari në aeroport rendin dhe sigurinë e duhur.


Sipas ministrit të Brendshëm, policia e Shtetit ka ndërhyrë në kohë duke ndjekur grabitësit, pavarësisht se koncesionari nuk e ka sinjalizuar policinë për të kryer neutralizimin.


Ata kanë refuzuar në shumë raste këshillat e Policisë së shtetit për marrjen e masave, theksoi Lleshaj, teksa bëri me dije se autorët e grabitjes kanë lënë pas prova të shumta materiale që po verifikohen nga Prokurorët.


Autorët kanë lënë në dorë prova të shumta materiale që po i nënshtrohen verifikimeve përkatëse. Banda kriminale që edhe më parë ka kryer grabitje në aksin Qafë-Kashar Rinas ka marrë një goditje shkatërruese që po thellohet nga ora në orë nga prokuroria dhe Policia e Shtetit, tha ministri duke lënë të kuptohet se uniformat blu mund të kenë mbërritur te autorët e ngjarjes.