Eno Bozdo

Historia 20-vjeçare e shtetit demokratik shqiptar është e mbushur me ngjarje politike, të cilat shpeshherë kanë kapërcyer kufijtë e normalitetit për një shtet dhe shoqëri demokratike të stabilizuar. Raportet "pozitë-opozitë" jo pak herë kanë qenë të tendosura, konfliktuale dhe destabilizuese për vendin. Gjatë këtyre viteve, shoqëria shqiptare, me një tesut social të dëmtuar rëndë nga regjimi totalitar, nuk ka mundur dot të shërbejë si amortizator e flukseve të pasioneve politike.
E megjithatë, asnjëherë nuk ka ndodhur në këta 20 vjet ajo që opozita socialiste, e udhëhequr nga Z.Rama, po tenton sot: të projektojë një shtet paralel. Ky me sa duket është qëllimi përfundimtar i Z.Rama dhe partisë që ai drejton: të mbjellë mosbesimin për institucionet e ligjshme të vendit, të hedhë dyshimin e paarsyeshëm në shifrat dhe deklaratat e tyre zyrtare, të sfidojë ligjet e vendit, duke vepruar në një mënyrë të personalizuar, për të demonstruar se shteti nuk është shtet dhe se institucionet e këtij vendi nuk janë institucione.
Rasti me flagrant është sfida kapricioze që Z.Rama, me petkun e kryebashkiakut të Tiranës, po u bën institucioneve të ligjshme të vendit, në debatin e hapur së fundmi mbi planin rregullues të sheshit "Skënderbej". Duke shkelur haptazi ligjin dhe duke injoruar kërkesën për bashkëpunim nga ana e Kryeministrit të vendit si dhe kërkesat dhe shqetësimet e panumërta që vijnë nga ana e qytetarëve të Tiranës, Z. Rama kërkon të demonstrojë se në Tiranë nuk ka shtet dhe nuk ka institucione. Për më tepër, ai është zoti i Tiranës dhe mund të bëjë çfarë të dojë, të ndërtojë pa leje, të mos respektojë ligjin dhe të mos pyesë as për institucionet. Nuk është pa qëllim një sjellje e tillë: Z. Rama tenton t'i induktojë opinionit publik se shteti ka rënë, ai është shumë i dobët për të kundërvepruar edhe në rastin e shkeljes flagrante të ligjit (siç është pikërisht ky rast). Pra, me pak fjalë, kujt i hyn në punë një shtet që nuk funksionon? Një logjikë absurde, që nuk të çon asgjëkund. Por, ky nuk është thjesht një aksion politik i Z. Rama, me qellim përfundimtar realizimin e projektit belg të sheshit. Përkundrazi, në këtë rrjedhë të ngjarjeve "sheshi" është instrumenti, më shume sesa qëllimi përfundimtar.
Për hir të analizës sonë, le të ndërmarrim një retrospektivë për të dalluar më qartë simptomat e projektimit të shtetit paralel të Z. Rama, duke u nisur jo më larg se sa zgjedhjet e fundit parlamentare.
Përpara fillimit të fushatës së fundit elektorale të vitit 2009, opozita e drejtuar nga Partia Socialiste deklaroi se kur të vinte në pushtet, nuk do të njihte asnjë nga kontratat e mëdha koncesionare të nënshkruara në sektorin e energjisë elektrike, nuk do të njihte privatizimin e OSSH dhe as privatizimin e ARMO-s, të cilat ajo i quante "afera korruptive", madje nuk do të njihte asnjë lloj privatizimi të kryer nga Qeveria Berisha e viteve 2005-2009. Një deklaratë që edhe vetë regjimi totalitar i Enver Hoxhës do ta kishte zili. Nuk kish ndodhur asnjëherë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri që opozita të mos i njihte detyrimet kontraktuale shtetërore, madje edhe në vitin 1991 Partia Demokratike në opozitë nuk e bëri një gjë të tillë, edhe pse pasioni politik dhe rrethanat e kohës mund të justifikonin deklarata të tilla.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Z. Rama nxitoi të mos njohë rezultatin e tyre (edhe pse më vonë e njohu) duke u shprehur se " ...Parlamenti shqiptar nuk përfaqëson vullnetin politik të popullit shqiptar, e për rrjedhojë, vendimet e tij janë nul e të pavlera... " mosnjohja e Parlamentit, edhe pse nën kontekstin e mosnjohjes së humbjes për hir të karrierës së tij politike, përsëri është një hap i vendosur i Z. Rama drejt projektimit të shtetit paralel, eventualisht aje ku Parlamenti i ligjshëm zëvendësohet me të vërtetën shteruese, që buron vetëm nga mendja dhe goja e Z. Rama.
Gjatë përmbytjeve masive në ultësirën e Shkodrës dhe Lezhës në fillim të këtij viti, si rezultat i kushteve tejet ekstreme të motit, ndodhi hapi tjetër i projektimit të shtetit paralel: Z.Rama deklaroi se ndihmat nuk po shkonin në destinacionin e kërkuar, se strukturat e emergjencave civile nuk po funksiononin, se policia dhe ushtria nuk po e kryenin siç duhej detyrën e tyre etj. Këto deklarata ishin shumë absurde veçanërisht për banorët e këtyre zonave dhe atyre, që nëpërmjet mediave vizive informoheshin realisht dhe minutë pas minute nga terreni. Pikërisht në këtë kontekst, Z.Rama shpalli se Partia Socialiste me strukturat e saj do t'i mblidhnin vetë ndihmat dhe do t'i shpërndanin vetë ato, do të organizoheshin vetë në grupe militantësh, të cilët do të ndihmonin fizikisht banorët, do të identifikonin dëmet dhe sipas tyre, do të shpërndanin kontribute financiare, që vetë PS-ja do t'i menaxhonte. Kjo histori ishte më shumë se qesharake, ishte tragjike. Struktura paralele që Z.Rama po tentonte të ngrinte në Shkodër ishte një ide halucinante dhe në të njëjtën kohë hidhte një ndriçim të frikshëm mbi qëllimin e fundëm të kryetarit të Partisë Socialiste: mosbesimi i publikut në strukturat shtetërore.
Javë më pas, me një akt tragjikomik, kryetari i grupit parlamentar të PS Z. Ruçi, hodhi dyshimin (pervers) mbi kartat e identitetit të shtetasve, apo ndryshe, dokumenti thelbësor i shtetit shqiptar. Këtë e bëri në mënyrë të kalkuluar, të ftohtë dhe cinike, m'u në mes të një seance plenare që transmetohej direkt, duke lënë një shije të hidhur tek të gjithë ata që e shikonin dhe duke mos dhënë asnjë shpjegim të mëtejshëm për deklaratën e tij.
Më tej, në një aksion të organizuar, shënjestra e radhës u bë INSTAT. Ky institucion, i cili prodhon statistikat jetike për vendin, për ekzekutivin dhe legjislativin, asnjëherë, madje edhe në kohën e tensioneve politike shumë herë më të larta, nuk ishte sulmuar në mënyrë kaq të hapur e drejtpërdrejt. Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste, në deklarata të njëpasnjëshme i hodhën poshtë si të pavërteta deklarimet periodike të INSTAT mbi rritjen ekonomike sipas tremujorëve, mbi shifrat e papunësisë, mbi nivelin e inflacionit në vend. Edhe pse INSTAT punonte dhe monitorohej nga ekspertiza ndërkombëtare, edhe pse stafi i këtij institucioni kishte demonstruar se ishin profesionistë dhe metodologjia e punës së tyre bazohej në procedura korrekte dhe transparente. Por problemi nuk ishte tek INSTAT, por tek goditja e përllogaritur që Z. Rama po u bën statistikave të shtetit. Kjo më qëllimin e vetëm të dëmtimit të besueshmërisë së tij, në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar. Për më tepër, Z. Rama mori kurajën të deklaronte vetë, sipas përllogaritjeve të eksperteve të tij, (!!) se sa ishte rritja e vërtetë ekonomike, se sa ishte inflacioni real dhe shifra korrekte e papunësisë. Edhe në këtë rast, në thelb të këtij aksioni politik qëndron dëshira e Z. Rama për të projektuar një shtet paralel (INSTAT paralel), sepse ky që kemi sot është thjesht i pabesueshëm.
Aksione të tjera politike po synojnë të projektojnë një realitet të ndryshëm edhe në sektorin e ekonomisë, synojnë të projektojnë krizë ekonomike edhe pse ajo nuk ekziston, synon të projektojë mosbesimin e publikut te sistemi bankar, edhe pse ky sistem gëzon shëndet të plotë.
Në historinë 20-vjeçare të demokracisë shqiptare tensionet politike, pjekuria e paktë institucionale dhe opinioni indiferent publik kanë rezultuar të dëmshme për vetë rrugën e Shqipërisë në një zhvillim normal të saj. Por asnjëherë, askush, nuk ka marrë përsipër të godasë shtetin shqiptar, institucionet e tij, të sfidojë ligjet e vendit në një mënyrë të tillë siç po bën Z. Rama. Askush nuk ka dashur të projektojë me logjikë të ftohtë një shtet paralel.