Mero Baze 2Nga Mero Baze


Në sy të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u tha se Lazarati prodhon afërsisht 4.5 miliard euro në vit drogë, pak më shumë se buxheti faktik i shtetit shqiptar, i cili planifikohet 4.5, por realizohet 3.5 miliard. Shifra duket e ekzagjeruar, por sado i lartë të jetë ekzagjerimi, baza reale e saj mbetet e frikshme. Sado më e vogël se kaq të jetë kjo shifër, ajo mbetet tanimë një problem serioz që kërkon një strategji të qartë për tu përballur me të.

Problemi i parë serioz që nxjerr kjo shifër është se Shteti i Lazaratit ka injektuar miliona euro në ekonominë shqiptare, pa të cilat me sa duket ne duhet ti kishim edhe më keq seç i kemi punët në ekonominë shqiptare. Me pak fjalë, e vetmja mrekulli ekonomike e pushtetit të Sali Berishës, rezulton të mos ketë ndodhur në shtetin shqiptar, por në Shtetin e Lazaratit. Mënyrat se si janë injektuar këto pare në ekonominë shqiptare, mbetet të shihen, por është e besueshme se ato janë investuar në ndërtime dhe blerje pasurish të patundshme dhe fare pak në biznese prodhuese. Si i tillë, ky injeksion nuk ka shërbyer për ndonjë rritje ekonomike të vendit, por ka mbajtur ende gjallë me sa duket sektorin e falimentuar të ndërtimit.

Problemi që ka qeveria e re tani është të hetojë me kompetencë dhe realizëm ku janë injektuar këto pare, në funksion të evidentimit të pasojave që do të ketë ndërprerja e këtij injeksioni. Shifra ngjan tmerrësisht e lartë për të qenë një shifër që mbetet në ekonominë tonë. I grumbulluar në disa duar monopolistësh me mbështetje politike, ky produkt duket se e shumëfishon vlerën e tij jashtë Shqipërisë dhe këtu mbeten pagesat për punën e zezë dhe ndonjë fitim për grosistët që e grumbullojnë atë. Në këtë pikë dhe hetimi është më i lehtë, dhe pasojat e bllokimit ndoshta më të pakta.

Problemi i dytë serioz është inkriminimi i Lazaratit dhe demontimi i një sistemi, i cili tashmë është kthyer në mbijetesë për ata banorë. Lazarati është qendra më e madhe e banuar në Jug nga ato që nuk quhen qytete. Aty banojnë rreth 5 mijë vetë, me moshë mesatare shumë të re, në një pllajë shkëmbore të thatë, e cila është gjallëruar duke u kthyer në plantacione hashashi. Ndërprerja e këtij trafiku është mes të tjerash një shock social për banorët dhe një proces i tërë stabilizimi të tyre në jetën normale si banorët e tjerë të Shqipërisë. Të kthyer në një geto politike, duke mitizuar paprekshmërinë e tyre nga policia, lazaratasit në fakt nuk janë qytetarë të privilegjuar të Shqipërisë, por qytetarë të penalizuar për nevoja politike të disa qendrave të trafikut në pushtet. Në Lazarat, por dhe në gjithë Jugun, ta tregojnë se kush ua siguronte mbështetjen nga Policia e Shtetit, kush ua përcillte mallin në rrugë të sigurt nga policia dhe kush përfitonte shumë herë më tepër se ata. Bëhet fjalë për kupolën me çifteli në Polici të Shtetit. Pra, fillimi i normalizimit të situatës në Lazarat, nuk mund të fillojë nga Lazarati, por nga Policia e Shtetit, që ka administruar realisht këtë trafik. Atyre u duhet ndjekur dhe monedha e fundit, për të kuptuar se ku kanë shkuar miliardat e Lazaratit, për të cilat po penalizohet Shqipëria. Vetëm kur lazaratasit të shikojnë se garantët e tyre u pastruan nga pushteti, do të binden se biznesit të tyre i erdhi fundi dhe do fillojnë të sillen si qytetarë normalë. Legjendat urbane të përplasjes me policinë, janë legjenda që i hap vetë policia, e cila është garante e këtij trafiku.

Nëse njerëzit në Lazarat shikojnë se ata që u blinin mallin nuk janë më në krye të pushtetit, atëherë marrin sinjalin e parë se këtij biznesi po i vjen fundi.

Policia e Shtetit ka përdorur kritere kriminale në këtë histori. Në fshatrat e tjerë të Jugut ka ndodhur që ka arrestuar një banorë pse i ka gjetur 50 gram farë kanabis, ndërsa në Lazarat ka mbikëqyrur disa hektarë që mbillen, ujiten dhe korren në sytë e policisë pa u ndëshkuar askush. Kjo ka krijuar doemos dhe një diskriminim pozitiv për Lazaratin në sytë e të tjerëve në Jug si një bastion droge i pushtetit. Nëse dhe për Lazaratin do të përdoreshin kritere të njëjta të luftës kundër drogës si në fshatrat e tjerë, atëherë mund të shikohej si fenomen i zakonshëm trafiku. Kështu siç po ndodh, Lazarati është një shtet me vete që jeton prej drogës, nën mbështetjen e shtetit shqiptar. Dhe kjo është një kryeakuzë politike për Sali Berishën dhe klanin e tij kriminal në Policinë e Shtetit, që lejohet të vrasë njerëz për arsye politike dhe pastaj shpërblehet të jetë tutor i drogës në Lazarat.

Por kryeproblemi i çmontimit të këtij shteti brenda shtetit mbetet modeli i qeverisjes së re. Droga në Lazarat mund të ndalet dhe fshati të kthehet në gjendje normale. Trafikantët grosistë mund të arrestohen. Policia e Shtetit mund të pastrohet nga banda e çiftelisë dhe të normalizohet. Por nëse qeveria nuk hap një perspektivë të qartë zhvillimi për fshatin, nëse fshatarët nuk arrijnë të mbijetojnë me tokën dhe punën e tyre, nëse perspektiva e punësimit nuk preket me dorë prej tyre, beteja me trafikun e drogës nuk ka për tu fituar. Sali Berisha ka mbuluar me trafikun e drogës paaftësinë e tij për të qeverisur. Ai i ka përdorur bastionet e drogës si Lazarati për fshehur dështimet e qeverisjes dhe për të krijuar iluzionin e ekonomisë produktive. Njësoj si piramidat e mandatit të parë, ai përdori këtë buxhet të fshehur për të financuar pushtetin e tij informal, shtetin e tij personal, badigardët dhe njerëzit e Familjes, të cilët janë praktikisht kryepleqtë realë të Lazaratit.

Qeveria e re nuk e ka betejën me Lazaratin si betejë ushtarake, policore apo si ndërhyrje speciale. Ajo betejë kryhet për 24 orë. Beteja që duhet fituar është të sigurojmë që lazaratasit, si gjithë banorët e Jugut, të jetojnë në shtëpitë e tyre me një punë që i bën të ndjehen të respektuar dhe pa makthe për të ardhmen. Atëherë shteti i Lazaratit shuhet vetë nga harta. Në të kundërt do shumëfishohet gjithandej.