APELI



SHKODËR - Shteti shqiptar nuk iu del në mbrojtje fëmijëve të braktisur duke i lënë në mes të rrugës.



Edhe në ato raste kur organizata të ndryshme humanitare përpiqen që këta fëmijë t'i marrin nën përkujdesje, përballen me mjaft burokraci dhe pengesa dhe në vend që të përkrahen e ndihmohen, ato frenohen në aktivitetin e tyre.



Kjo është pohuar nga përfaqësues të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër, gjatë një tryeze të rrumbullaktë me temë "E drejta për të qenë fëmijë", e organizuar nga "World Vision Albania". Qëllimi i takimit ka qenë diskutimi mbi situatën e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Shkodër, dhe kishte në përbërje përfaqësues të institucioneve që merren drejtpërdrejt me fëmijët.



Alfred Koçobashi, përfaqësues i Avokatit të Popullit në Shkodër, i cili për 3 vjet ka drejtuar zyrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e cila ka funksionuar në kuadër të një projekti-pilot, ka theksuar se ka pasur mjaft raste kur janë depozituar ankesa nga të miturit apo prindërit e tyre.



Sipas Koçobashit, në Shkodër këto ankesa kanë qenë në drejtim të komisariateve të policisë ku, pas verifikimeve të bëra, ka rezultuar se ka pasur raste kur të mitur janë keqtrajtuar nga ana psikologjike e fizike nga uniformat blu, raste të heqjes së paligjshme të lirisë gjatë shoqërimit të bërë nga olicia, marrja në pyetje pa praninë e prindërve ose të avokatit, lënie në paraburgim e të miturve në një ambient me të rritur etj.



Për gjyqtaren e gjykatës së shkallës së parë në Shkodër, Arta Llazari, shteti nuk i mbështet fëmijët e braktisur. Sipas saj, dje ka pasur në gjykim një rast ku kërkohet që fëmijë të braktisur të merren në kujdestari nga një organizatë humanitare, por shteti përmes shumë dokumentesh e proceduarash të stërzgjatura e pengon këtë.



Ajo ka treguar se askush nga punonjësit socialë të bashkisë nuk merren me rastet e fëmijëve që vijnë në gjykatë, nuk i trajtojnë ato dhe pushteti vendor nuk është prezent në problemet e familjes.



Ka mjaft raste, ka shtuar gjyqtarja Llazari, kur prokurori e merr të miturin në pyetje dhe i thotë a do marrësh avokat, ndërsa ky as nuk ka mundësi ekonomike dhe as nuk e di se çfarë do të thotë të kesh avokat, ndërkohë që ligji thotë se marrja në pyetje e të miturit duhet të jetë patjetër me praninë e një avokati.



Sensibilizimi i gjithë faktorëve, ndërgjegjësimi për të drejtat e fëmijëve dhe rastet kur ato shkelen, kompensimi moral dhe mbështetja psikologjike për fëmijët e dhunuar e të braktisur, kanë qenë disa nga idetë e hedhura në këtë tryezë.