11/04/2009  Punëtorët e uzinës paralajmërojnë grevë nëse nuk u kthehen 40 milionë lekë


Aksionerë vetë punonjësit, u kanë 30 milionë lekë borxh palëve të treta


ELBASAN-Punëtorët e Uzinës Mekanike në kompleksin metalurgjik paralajmërojnë grevë në rast se shteti nuk reagon nëpërmjet ministrive për të shlyer detyrimet e prapambetura që ndërmarrjet shtetërore i kanë kësaj uzine. Rreth 80 punëtorë rrezikojnë të mbeten pa punë pasi kjo Uzinë është në prag falimenti. Maksim Spahiu, drejtues i sindikatës së punëtorëve thotë se shteti i detyrohet Shoqërisë rreth 40 milionë lekë të reja nga mallrat që ka marrë nga kjo ndërmarrje për ndërmarrje të tjera shtetërore dhe nuk ka shlyer paratë. “Për këtë qëllim Drejtuesit e Uzinës i kanë kërkuar takim me ministrat Ridvan Bode dhe Genc Ruli. Në rast se dy ministrat do të vendosin t’i kthejnë paratë shoqërisë, atëherë borxhi është i shlyer pasi ne i detyrohemi shtetit rreth 30 milionë lekë, taksa, tatime dhe sigurime shoqërore, ndërsa shteti na ka borxh rreth 40 milionë lekë të reja. Falimentimi i aktivitetit nuk është zgjidhja e problemit. Janë shumë punëtorë që mbajnë familjet nga kjo uzinë pa llogaritur aksionerët e shumtë. Ata kanë pranuar madje të vazhdojnë punën edhe të pasiguruar pasi i dinë problemet e Uzinës”. Për grevën që pritet të fillojë në ditët në vazhdim është lajmëruar Sindikata e Përgjithshme dhe drejtuesit do të jenë me punëtorët kur të zhvillohet kjo grevë. Situata ekonomike e kësaj uzine ka ardhur duke u përkeqësuar pasi kërkesa ka pësuar një rënie. Në rast se ky ngërç nuk zgjidhet atëherë kjo firmë shpall falimentin. Në situatë të vështirë ndodhen edhe ndërmarrje të tjera si ajo e tullave dhe Uzina e Ferrokromit, e cila i ka nxjerrë punëtorët me 60% të pagës në pritje të përmirësimit të tregut për kromin. Vështirësi po hasin edhe ndërmarrje të tjera më të vogla që kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’i mbështetur pasi në të kundërt shumë punëtorë mbeten të papunë.