Komisioni Qendror i Regjistrimit të popullsisë ka marrë vendim që në komunat Prishtinë, Deçan, Partesh, Kllokot e disa komuna të tjera të shtyhet afati për regjistrim deri të martën. Sërish ka pasur reagime për moszregjistrimin e popullsisë në veri të Kosovës.


Nga Express më 16 prill 2011 në ora 08:38

Komisioni Qendror i Regjistrimit ka vendosur të shtyjë edhe për disa ditë, në Prishtinë dhe disa komuna të tjera, regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. Autoritetet përgjegjëse për regjistrim kanë bërë të ditur se në përpjekje që procesi të jetë më gjithëpërfshirës, regjistrimi është shtyrë deri të martën në disa komuna të Kosovës si Prishtinë, Deçan, Partesh, Kllokot dhe në disa komuna të tjera.



Në këtë proces, i cili nisi më 1 prill, janë angazhuar 4900 regjistrues. Ata janë mbikëqyrur nga 900 kontrollorë, 110 mbikëqyrës dhe 40 inspektorë të shtetit, të cilët kanë ofruar këshillat e nevojshme gjatë punës në terren. Po ashtu, edhe Operacioni Monitorues Ndërkombëtar (IMO) dhe EUROSTAT-i përmes 27 monitoruesve ndërkombëtarë kanë përcjellë procesin e regjistrimit. Në veri të vendit, regjistrimi nuk ka filluar fare.



Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, tha se për shkak se ambienti politik ka bërë që në Veri të mos jetë realizuar regjistrimi. Ai tha se duhet të përmbushen disa kushte dhe se duhet të arrihet një marrëveshje me vendimmarrësit e ndryshëm, por nuk saktësoi se për cilët vendimmarrës bëhet fjalë. Deri në ditën e 12-të të regjistrimit, ishin regjistruar rreth 1.5 milion qytetarë, kurse nga regjistrimi i 95 për qind i popullatës në Prishtinë, ka dalë se në kryeqytet jetojnë rreth 200 mijë banorë.



I pritur tridhjetë vjet, regjistrimi i popullsisë dhe pronave në Kosovë përfundon sot. Zyrtarë të Entit të Statistikave kanë paralajmëruar se rezultatet e para të këtij procesi do të publikohen në ditët në vazhdim. Gjatë ditës, pritet që Komisioni shtetëror të dalë me një analizë të përgjithshme për rrjedhën e procesit të regjistrimit që prej një prilli. Siç është njoftuar, në pjesën veriore të vendit, serbët kanë bojkotuar regjistrimin, kurse UNOPS-i dështoi ta bëjë këtë gjë. Pavarësisht nga dështimet atje, të dhënat e mbledhura do t’u ndihmojnë planifikuesve në përcaktimin e strategjive afatshkurta e afatgjata zhvillimore. Qysh tash, disa të dhëna tregojnë se ka pasur ekzagjerime në mungesë të të dhënave të verifikuara. Në kryeqytet, deri më 12 prill janë regjistruar rreth 200 mijë banorë, kanë konfirmuar zyrtarët e komisionit komunal për regjistrim, që sinjalizon se kryeqyteti i vendit nuk i ka as 800 mijë, as 600 mijë, as 400 mijë banorë, siç manipulohej gjatë debateve.




Reagojnë për Veriun



Kuvendi i të Rinjve të Kosovës shpreh indinjatën e thellë për mosfillimin e regjistrimit të popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, meqenëse sot përfundon afati i rregullt për regjistrimin e popullsisë, ndërsa pjesa veriore ka mbetur jashtë këtij procesi shumë të rëndësishëm për Kosovën.



“Ne konsiderojmë se projekti madhor për regjistrimin e popullsisë duhet të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, gjithashtu KRK-ja shpreh brengën ndaj strukturave paralele në Veri, të cilat po e pengojnë integrimin e banorëve të kësaj pjese të Kosovës në shoqërinë kosovare dhe në procesin e regjistrimit të popullsisë”, thuhet në reagim.



“KRK-ja deklaron se nëse nuk fillon së shpejti ky proces, do të detyrohet që ta mobilizojë rininë kosovare për të organizuar protesta masive në shenjë pakënaqësie për mosfillimin e regjistrimit të popullsisë në këtë pjesë të vendit dhe që Republika e Kosovës të ketë sovranitet në tërë territorin e saj.