Ministritë e Jashtme të dy vendeve caktojnë 5 tetorin si datë për takimin
Takimi zyrtar i ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, me homologun e tij grek, Dhimitris Avramopulos, do të zhvillohet në datë 5 tetor. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme konfirmuan dje për Shqip se vizita e parë e dy kryediplomatëve e parashikuar për në fillim të shtatorit është shtyrë, nisur nga axhendat e ngjeshura të dy diplomatëve. Ky takim konsiderohet si tepër i rëndësishëm nisur nga shumë çështje të mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë. Çështja më delikate që do të diskutohet mes tyre është ajo e ndarjes së ujërave detare mes dy vendeve. Grupet e punës në Shqipëri për këtë çështje janë ngritur, por sipas palës shqiptare ato nuk kanë nisur ende të negociojnë me palën greke. Çështja është bërë delikate për shkak të faktit se Gjykata Kushtetuese shqiptare hodhi poshtë marrëveshjen e parë për këtë çështje dhe nga i gjithë vendi pritet që marrëveshja e re të ketë terma dhe kufij të ri. Por pala greke ka deklaruar përmes zyrtarëve të saj se ajo nuk do të pranojë një marrëveshje të re. Madje, në këtë kuadër, mediat greke kanë bërë publike plane të qeverisë së tyre për të kërkuar naftë në atë pjesë të detit që Greqia pretendon se i takon, por nga ana tjetër ende nuk ekziston një marrëveshje zyrtare. Një çështje që pritet të diskutohet gjithashtu mes palëve lidhet me regjistrimin e minoritetit grek në Shqipëri, ku pala greke ka shprehur kontestime të shumta. Kjo ka bërë që pak javë më parë krerët e Omonia-s të deklaronin se do të nisin procesin e regjistrimit të popullsisë së tyre, nisur nga besimi i pakët që kishin në lidhje me censusin kombëtar. Po kështu me palën greke, Panariti do të diskutojë dhe për çështje të tjera bilaterale, siç janë dhe shkëmbimet ekonomike. Kjo e Panaritit është vizita e parë zyrtare e një përfaqësuesi të qeverisë shqiptare në shtetin fqinj pas formimit të qeverisë së re në Greqi.
F.Mejdini
Shtyhet vizita e Panaritit në Greqi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip