Një nga aktorët më të njohur të para viteve 90, Luan Qerimi, u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare. Aktori i mbi 70 roleve në teatër dhe kinematografi, prej vitesh ishte tërhequr nga jeta artistike, e megjithatë, në mendjen e dashamirësve të ekranit e skenës, kanë mbetur rolet e tij në Arturo Ui, Otello, Orët e Kremlinit, Gracka, Vdekja e kalit, etj.


Luan Qerimi lindi në Lushnje, 15 tetor 1929 dhe i hyri botës së aktrimit, fillimisht me lëvizjen amatore, për tu aktivizuar në Teatrin e Ushtrisë, ku talenti i tij do të spikaste. Ishte 25 vjeç, kur në vitin 1954 do të hynte në Teatrin Popullor, që ishte ëndrra e çdo të riu që dëshironte të bëhej aktor.


Karriera e tij nisi me një rol episodik në komedinë Prefekti në vitin 1954, në rolin e Skënderit, por që atëherë, me dhjetëra do të ishin rolet që do ti besoheshin. Kjo për portretin e tij të veçantë, zërin kumbues, seriozitetin dhe mënyrën se si i përshtatej çdo karakteri, që nga cubi, tek heroi, nga i infiltruari tek njeriu i besuar, nga gangsteri tek malësori.


Ndër rolet e tij spikatin ato në veprat skenike: Toka jonë, Orët e Kremlinit, Otello, Hamleti, Dragoi i Dragobisë, Përkolgjinajt, Cuca e maleve, Arturo Ui, Epoka para gjyqit, etj. Në kinematografi ka luajtur në filmat Qëndresa, Vdekja e kalit, Shpella e piratëve, Telefoni i një mëngjesi, Eja, Koha nuk pret, Gracka, Nëntori I Dytë, Shembja e idhujve, Toka jonë, Debatik, etj. Po ashtu ka interpretuar mbi 200 role në Teatri në mikrofon, siç ka kontribuar edhe në emisionet Heroizmi i popullit tonë në shekuj dhe Fjala artistike në mikrofon.


Luan Qerimi mbante titullin Artist i merituar, që prej vitit 1989.







2 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)