Poeti, gazetari e një prej figurave me kontribut në letërsinë shqipe para viteve 90-të Llambro Ruci është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë dhënë miqtë shkrimtarë e intelektualë përmes një njoftimi të firmosur nga shumë emra ku shprehet dhembja për këtë ikje të beftë. Llambroja lindi në Dhërmi në vitin 1946, në fshatin ku ka lindur edhe shkrimtari i madh Petro Marko.


Pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Tiranë dhe në qytete të tjera, shpirti i tij nuk u nda për asnjë çast nga Bregu i detit, nga Dhërmiu dhe Himara, bukuritë dhe shpirtin e të cilave ai i plazmoi në krijimtarinë e tij të shumanshme, në poezi e prozë, në monografi, reportazhe e studime shkencore. Por lidhjen e fortë me Himarën, ai e përmblodhi disa vjet më parë në librin voluminoz Himara, Zëra e Akrokerauneve: rrëfime, përshkrime, dokumente dhe këngë, një punë që i ka kushtuar shumë e shumë vite punë hulumtuese dhe analitike.


Rrugëtimin e tij në fushën e letrave ai e filloi si poet në vitet 60 duke botuar me dhjetëra vëllime me poezi, përfshi edhe letërsinë për fëmijë. Poezia e tij shquhej për origjinalitet, ndjeshmëri të lartë, lirizmin e hollë dhe ngrohtësinë njerëzore që transmetonte. Llambro Ruci ka punuar si gazetar dhe kryeredaktor në disa organe qendrore të shtypit letrar, si Drita, Nëntori (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve), revistën Ylli etj. Duke qenë se dinte shkëlqyeshëm greqishten (pasi kishte lindur në një fshat greqishtfolës) ai ishte prej shumë vitesh një ndër përkthyesit më të spikatur nga kjo gjuhë në poezi dhe prozë.


Ndër veprat më të rëndësishme të përkthyera prej tij janë Odisea nga Homeri, Apologjia e vërtetë e Sokratit, e autorit Kostas Varnalis, poezi nga Konstatin Kavafis, Jorgo Seferis, Safo, Elitis e dhjetëra autorë të tjerë grekë, klasikë e modernë. Përkthimet e Llambros shquhen për skrupulozitetin e tij për ti qëndruar sa më pranë origjinalit greqisht, por edhe për ta sjellë atë sa më ëmbël dhe më bukur në shqip. Ai nuk ngutej që ti butonte shkujdesshëm këto përkthime, pasi e çmonte vlerën e tyre, ndaj dhe u kthehej e rikthehej disa herë para se ato të shihnin dritën e botimit.


Këtë punë ai e bënte me një përgjegjësi të lartë, jo vetëm se ishte vetë krijues, por edhe për faktin se një sërë nga autorët që ai sillte në shqip, ishin përkthyer edhe nga autorë të tjerë. Ndër monografi, prozë e studime e botuara nga Llambro Ruci në vite veçojmë Llambro Andoni, Ali Pasha, tiran apo reformator, Pëshpërima për të tjerë e për vete: esse, prozë e poezi dhe përkthime etj. Ndërkohë që ishte duke punuar dhe për një sërë veprash të tjera, që ai i kishte në kujtesën e kompjuterit dhe nuk arriti tu jepte dorën e fundit, siç e kishte zakon. Gjithsesi, punët që ka bërë dhe veprat që ka botuar e fusin Llambron në një vend të nderuar të kulturës sonë.


I përjetshëm qoftë kujtimi i Llambro Rucit! Limos Dizdari, Xhevat Lloshi, Xhevat Beqaraj, GëzimTafa, Arif Hasko, Agim Vinca, Bashkim Kuçuku, Virgjil Kule, Kristaq Laka, Aleksandër Çipa, Xhevdet Shehu, Gjikë Kurtiqi, Xhevahir Spahiu, Diana Çuli, Sokrat Habilaj, Mehmet Gëzhilli, Sadik Bejko, Myzejen Shapllo, Bashkim Hoxha, Luan Rama, Petraq Risto, Stavri Dajo, Fatos Tarifa, Petro Kokushta, Fluturak Gërmenji, Bardhosh Gaçe, Spartak Gjini.


10 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)