Paris - Shkrimtari dhe akademiku i njohur, Maurice Druon, ndërroi jetë dje në kryeqytetin e Francës, Paris. Vdekjen e 90-vjeçarit francez me origjinë ruse e bëri të ditur politologjia, dhe njëkohësisht sekretarja e Akademisë Franceze, Helene Carrere Encausse.



Maurice Druon ishte njeriu më i afërt i ish-presidentit, Charle de Gaulle. Në vitet 70-të ai u emërua ministër i Kulturës, ku pjesën më të madhe të karrierës ia kushtoi mbrojtjes së gjuhës franceze. Në vitin 1948 shkrimtari Druon mori çmimin më prestigjioz të letërsisë franceze, "Goncurt", për veprën "Familjet e Mëdha".



Maurice Druonit i bëri homazhe edhe presidenti aktual i Francës, Nikolas Sarkozy. "Maurice Druon do të mbetet në histori për ‘Këngë Partizane’ që e shkroi së bashku me Joseph Kessel. Ai rrezikoi jetën për pasionin e tij për Francën dhe lirinë e saj. Druon ka vënë talentin dhe energjinë e tij në shërbim të kulturës dhe gjuhës franceze'', deklaroi Presidenti Sarkozy.