Nobelisti Aleksander Sollzhenicin u nda nga jeta në moshën 89 vjecare. Fituesi i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1970 do të ndiqet nga emblema rebele si shkrimtari që nxori në dritë krimet e regjimit të Stalinit dhe bëri të njohur tmerrin e gulagëve. Preludi i varrosjes së carizmit të Romanovëve, solli më pas futjen e Rusisë në epokën e gulagëve solzheciniane. Një epokë që e bëri shkrimtarin rus të gjente veten e tij në të dy skajet e linjës; mes të lejuarës dhe të ndaluarës








Shuhet shkrimtari i gulagëve








Rusëve iu ikën ndërgjegja e kombit. Dje, komentet mbi vdekjen e shkrimtarit Aleksandër Solzhenicin kanë arsye të mbështeten mbi këtë pohim, duke qenë edhe një besimtar radikal i kishës ortodokse, i parë me skepticizëm nga perëndimi.


Aleksandër Solzhenicin, fituesi i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1970 do të ndiqet nga emblema rebele si shkrimtari që nxori në dritë krimet e regjimit të Stalinit dhe bëri të njohur tmerrin e gulagëve. Preludi i varrosjes së carizmit të Romanovëve, solli më pas futjen e Rusisë në epokën e gulagëve solzheciniane.


Një epokë që e bëri shkrimtarin rus të gjente veten e tij në të dy skajet e linjës; mes të lejuarës dhe të ndaluarës. Në vitin 1963, me ndërhyrjen personale të kryeministrit sovjetik, Nikita Hurshovin u botua romani i tij mbi jetën në një kamp përqëndrimi, “Një ditë nga jeta e Ivan Denisovicit”. Dy romanet e tij të mëdhenj “Rrethi i pare” (1968) dhe “Pavioni i kancerozëve” (1968-1969), gjithsesi u ndaluan ne Bashkimin Sovjetik. Ato u botuan në ribotime të vazhdueshme në Perëndim, edhe në kundërshtim me dëshirën e autorit në disa raste. Versioni romanesk i përvojave të tij riformulon saktësisht vetë jetën e tij si veteran lufte, si një banor për një kohë të gjatë i "gulageve", kampeve të përqëndrimit sovjetike dhe si viktimë e sëmundjes kanceroze. Vepra e tij përbën një thirrje profetike për një pastrim shpirtëror të kombit të tij, një kthim drejt një “socializmi etik” dhe një botë në të cilën e vërteta e thjeshtë dhe mirësjellja të mbizotërojnë. Protesta e tij ndaj censurës, ndaj përjashtimit të tij nga Lidhja e Shkrimtarëve Sovjetike dhe kundër praktikimit të izolimit të intelektualeve disidente nëpër çmendina njerëzore përbën një jehonë unikale të asaj kohe përtej interesave morale të tjetërsuara. Pikërisht në këtë kohë shkrimtari rus vlerësohet me çmimin Nobel, një çmim që u mallkua dhe u dënua nga Lidhja e Shkrimtarëve Sovjetikë dhe nga shteti sovjetik.


"Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit", libri i shkruar mbi përvojën tetë vjeçare të Sollzhenicinit si i burgosur politik, ishte vepra e parë letrare që dënonte drejtpërsëdrejti gulagun sovjetik.


Libri i publikua në vitin 1962 dhe pa dritën e botimit falë udhëheqësit sovjetik të kohës Nikita Hrushov, i cili donte të nxirrte në shesh disa nga krimet e Stalinit. Të dyja botimet e librit u shitën sa hap e mbyll sytë. Por liberalizmi i Hrushovit duket se zgjati pak, pasi në vitin 1964 në krye të Bashkimit Sovjetik erdhi Leonid Brezhnjevi. Kur Solzhenicini mori çmimin Nobel, autoritetet e regjimit nuk e lejuan të udhëtonte në ceremoninë e Nobelit në Stokholm. Më pas Solzhenicini punoi për trilogjinë "Arkipelagu Gulag". Në vitin 1974 shkrimtarit iu hoq nënshtetësia ruse dhe u largua në mërgim.


Po në këtë vit Solzhenicini mundi të marrë nga duart e mbretit të Suedisë Karl Gustav çmimin Nobel për letërsi. Pavarësisht mërgimit në ish Bashkimin Sovjetik njerëzit e lexonin fshehurazi Solzhenicinin.


Solzhenicin pas largimit nga Rusia në vitin 1974 qëndroi për një kohë të shkurtër në Zvicër dhe më pas u vendos në Vermont të Shteteve të Bashkuara.


Jeta në Perëndim nuk ishte ajo e dëshiruara për shkrimtarin, pasi për të njerëzit ishin zhytur në kotësi dhe konsumizëm. Me ardhjen në pushtet të Mihail Gorbaçovit, Solzhenicinit iu rikthye nënshtetësia sovjetike dhe akuzat për tradhëti iu hoqën. Solzhenicin, i cili gjithmonë kishte thënë se donte të vdiste në Rusi filloi të projektonte kthimin. Pas 20 vitesh mërgimi shkrimtari u rikthye në atdhe si hero në maj të vitit 1994. Ndër gjërat e para që bëri ishte nderimi për miliona të vdekurit në gulgët sovjetikë.


Me t’u vendosur në Moskë, Solzhenicin vazhdoi të cilësohej si ndërgjegja e Rusisë, duke bërë thirrje për rikthimin e vlerave ruse bazuar në besimin ortodoks.


Solzhenicin ishte plotësisht i pakënaqur me kapitalizmin që po zhvillohej në Rusi.


"Ajo çfarë ne kemi sot nuk mund të quhet demokraci. Sot kemi një oligarki dhe pushtetin e vendosur në një rreth të mbyllur", tha Solzhenicin para Dumës ruse në dhjetor të vitit 1994. Ardhjen në pushtet të Putinit, ish pjesëtar i KGB-së, shkrimtari e pa me shqetësim, por më vonë mirëpriti hapat e Putinit kundër oligarkëve dhe rivendosjen e kontrollit të shtetit mbi burimet natyrore. Megjithatë, mediat theksojnë se raportet e tij me Kremlinin asnjëherë nuk ishin të qarta.


Sipas një shkrimi të një gazetare ruse, të publikuar dje në DW, Solzhenicin ishte ai që i hoqi vellon mitit të revolucionit dhe e quajti okupimin e pushtetit nga ana e Leninit dhe përkrahësve të Trockit grusht shteti.


“Për një kohë të gjatë pushtetarët në Kremlin bënë sikur shteti i parë i punëtorëve dhe bujqve ishte parajsa në tokë. Sollzhenicin shkroi në artikullin e tij "Në rrethin e parë të ferrit" në "Arkipelagun Gulag" dhe në vepra të tjera të vërtetën për jetën e miliona të pafajshmeve në burgjet e perandorisë së kuqe’”, citohet në artikull. Me rënien e Bashkimit sovjetik thuhet se Sollzhenicini e kritikoi vetëkanqësinë, dhe paaftësinë e pushtetarëve për të stabilizuar ekonominë e vendit se po shkatërronte pasuritë e Rusisë. Solzhenicini komentohet si një kristian i bindur, antar i kishës ortodokse ruse. Pikërisht mbi këtë besim flitet se shkrimtarin nuk e kuptonin saktë në perëndim, duke u komentuar si një arsye pse Sollzhenicini shihej me skepticizëm. Në vitin 1974 kur komunistët e dëbuan Sollzhenicin, ai shkoi në Gjermani ku u takua me mikun e tij Hajnrih Bëlin. Ishte një kohë që shkrimtari rus e njihte dhe e donte kulturën gjermane. Sollzhenicini duke i takuar brezit që kishte marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore ai u përpoq gjatë gjithë jetës për pajtimin mes dy popujve të mëdhenj. Për këtë dikur shkrimtari rus shkruante: "Mua m'u bë e qartë se kufiri që ndan të mirën nga e keqja nuk kalon mes shteteve, nuk kalon mes klasave as mes partive, por mes për mes çdo zemre njerëzore."


Në harkun kohor të viteve 1960-1970 Solzhenicini shkroi shumicën e veprave të tij duke u bazuar në përvojën e tij jetësore si i burgosur sovjetik. Më vonë ai e pa këtë si mision primar për të rishkruar historinë e Rusisë dhe periudhën e revolucionit. Sollzhenicini është pasardhës i një familje intelektuale kozake.


Me kalimin e moshës ai filloi t'i mënjanonte gjithnjë e më shumë mediat, televizionin, apo gazetat. Në Rusi është krijuar më 1997 çmimi me emrin e Sollzhenicinit. Qysh kur ai u rikthye, ka publikuar punët personale, por në perëndim idetë e tij nuk kanë pasur interes. Megjithatë, një ese e botuar nga një gazetë ruse, më 1990, kishte shumë lexues dhe nxiti një debat të madh. Më vonë librat e Sollzhenicinit përfshijnë kolapsin e Rusisë në vitin 1998, një goditje që i bën qeverisë dhe biznesit rus. Ai ka shkruar gjithashtu edhe dy volume për marrëdhëniet e rusëve me çifutët. Duke sugjeruar se ata ishin sa viktima aq edhe keqbërës të shtypjes sovjetike, puna e Sollzhenicin shkaktoi zemërim të madh në mesin e udhëheqësve hebrenj.


Solzhenicin u lind në vitin 1918. Kreu studimet e larta për matematikë në një universitet të Rusisë. Në vitin 1945, Sollzhenicin u dënua me 8 vjet burgim dhe më pas u internua në Kazakistan sepse i kishte dërguar një letër kritike nga Josif Stalinit një mikut të tij. Ai i shpëtoi për mrekulli prekjes nga kanceri. Por shkrimet e tij kritike ndaj Kremlinit në vitet që pasuan, u ndaluan, dhe Sollzhenicin përndiqej vazhdimisht nga KGB-ja.


Kur Sollzhenicin fitoi çmimin Nobel në vitin 1970, Kremlini i hoqi atij më pas shtetësinë ruse dhe e largoi nga vendi në vitin 1974 për romanin e tij "Arkipelagu i Gulagut", që u botua në perëndim. Ai u kthye në Rusi në vitin 1994.