Shyqyri Alushi virtuozi i muzikës dhe këngës popullore qytetare shkodrane, është shuar në moshën 85 vjeçare. Ikja e tij është një humbje për kulturën muzikore në vend. Pasionin për muzikën popullore, që do të kthehej më pas në jetën e tij, ai e trashëgoi prej babait. Ai interpretonte me fyell dhe zumare.


Alushi u rrit duke kënduar në shtëpitë dhe ambientet muzikore të lagjeve të Shkodrës, duke dëgjuar drejtpërsëdrejti, ose nga pllakat e gramafonit, mjeshtra të ahengut, si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj. Në moshën 10 vjeçare këndon me shokët dhe lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të kinema Republikës në Shkodër.


Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e NënShkodrës, më lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerave. Në lulishten 1 Maji, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension.


Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj. Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 i jepet titulli Artist i Merituar, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet Çmimi i Karrierës.


Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin Krenaria e Qytetit. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë i thërrasin mjeshtri i ahengut shkodran. Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: Thotë lulja për lulen, Kur natyra kenka veshur, Nëpër fusha në kodrina, Pranvera filloi me ardhë, Tparën herë kur jena pa, Eni more shokë. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës.


“Pranvera filloi me ardhë” e humbi bilbilin e fundit të ahengut shkodran, por jo zërin shkodran që do të jetojë përjetësisht edhe pas ikjes. Mirënjohje për kontributin e një jete, pasionin e dashninë për Këngën Popullore, shkruan Ministrja e Kulturës Elva Margariti për këtë humbje. Alushi do të mbetet një pjesë e rëndësishme e një ansambli vlerash e traditash që do të jetë gjithnjë pjesë e trashëgimisë së çmuar të qytetit të Shkodrës.


Gazeta Shqip