Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 12:53

Përderisa vitin e kaluar ishin shfaqur shumë probleme, pasi që bodrumet nuk dëshironin të pranonin rrushin e fermerëve të Rahovecit, një problem i tillë nuk pritet të ndodhë edhe këtë vit, pasi janë krijuar disa bodrume shtesë. Vreshtarët shprehin shqetësimin se dukshëm janë rendimentet e rrushit më të vogla këtë vit, pasi që në pranverë kanë mbretëruar temperatura të ulëta.



Moti i keq pranveror ka bërë që sivjet në vendin tonë të shënohet niveli më i ulët i rendimenteve të prodhimtarisë së rrushit. Por, përveç motit gjendjen në sektorin e vreshtarisë në Rahovec vitin e kaluar e patën rënduar dhe dy bodrumet e verës, të cilat nuk morën asnjë kilogram rrush nga fermerët e asaj ane.



Këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avdullah Isufi ka thënë se problemet e rrushit që janë shfaqur gjatë vitit të kaluar, nuk do të përsëriten, pasi që fermerët kanë gjetur alternativa të tjera. Përveç bodrumit të “Stone Castle”, janë hapur edhe disa bodrume të tjera të vogla që do të pranojnë rrushin.



“Ne si ministri kemi kontaktuar edhe me Shoqatën e vreshtarëve dhe me disa bodrume që kanë shfaq interesim për të grumbulluar sasinë e vjelë të rrushit për verë dhe unë mendoj në këtë drejtim nuk do të ketë probleme. Mos të harrojmë se Ministria e Bujqësisë sektorin e vreshtarisë e ka përkrahur më së tepërmi dhe vitet e fundit këtë sektor e ka mbështetur me 2.5 milionë euro dhe vetëm këtë vit janë miratuar 86 projekte të fermerëve në ri-konstruktimin e vreshtave”, ka theksuar Isufi.



Ndërsa rrushi i tryezës asnjëherë nuk ka pas ndonjë problem, sepse ka gjetur treg në Kosovë. Por Isufi vlerëson se koha që ka mbretëruar në sezonin pranveror ka bërë që rendimentet e rrushit këtë vit të jenë më të vogla deri në 30 për qind, sesa vitin e kaluar.



“Duhet theksuar, se sivjet rendimentet janë më të ulëta se vitet e kaluara dhe kjo si pasojë e motit të lig, i cili ka mbretëruar gjatë pranverës ku kemi pas temperatura të ulëta dhe këtë sektor temperaturat e ulëta e kanë goditur, kështu që sivjet planifikuar rreth 20 deri në 30 për qind rendiment më të ulët”, ka thënë Isufi.



MBPZHR gjatë vitit të kaluar ka mbështetur prodhuesit e rrushit, gjegjësisht të gjithë fermerët të cilët kanë pasur të mbjell mbi 20 ari vreshta, por më vonë për shkak të mungesës së evidencës kanë mbetur edhe 40 mijë euro pa u mbuluar prej Ministrisë së Bujqësisë.



Por, Isufi thotë se janë duke u bërë përpjekje që të gjenden fonde edhe për të mbuluar këtë pjesë të fermerëve që kanë marrë subvencione. Nga ana tjetër, Labinot Shulina kryetar i Shoqatës së Vreshtarëve ankohet për rendimente të ulëta të rrushit gjatë këtij viti.



“Nëse vjet për një hektar janë marr 10 mijë kg rrush, sivjet merren 1 mijë kg. 90 për qind është dëmtuar rrushi prej bore”, ka thënë Shulina përmes telefonit për Kosovapress.



Për më tepër ai ka shtuar se subvencionet e vitit kaluar janë përfunduar, por për këtë vit ende nuk ka asgjë. Sipas tij njerëzit janë të varur vetëm prej rrushit dhe kanë investuar në hardhi, por me këtë që ka dalë, vetëm kanë humbur.



Bodrumet sivjet e kanë pranuar rrushin, sepse ka një sasi të vogël, ndërsa kryetari i Shoqatës ankohet edhe në çmimin e ulët të shitjes së rrushit me shumicë, i sillet nga tetë deri në dhjetë centë për kilogramë.



Ndryshe, vitin e kaluar vreshtarët e Rahovecit kishin mbajtur protesta, të cilat madje edhe kishin eskaluar në dhunë, ku kishte edhe të lënduar, për shkak të pakënaqësisë me humbjet e shkaktuara nga prodhimi i rrushit, që sipas tyre shkonin deri në dhjetë milionë euro.



Vreshtarët e Rahovecit patën kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kompania “Stone Castle” që t’u krijojnë një vend për grumbullimin e rrushit. Problemi ishte zgjidhur pasi që përfaqësuesit e fermerëve pranuan ofertën e Qeverisë me të cilën secili prej tyre do të merrte nga 1 mijë euro për çdo hektar të mbjellë me rrush, në këmbim të shpenzimeve për çdo hektar gjatë kultivimit të rrushit.