Zbardhet ligji më i fundit për sigurinë e kolegjeve penale të këtyre gjykatave. Ministria e Drejtësisë, asnjë nismë për sigurinë e gjyqtarëve që punojnë në gjykatat e tjera


Laureta Rryçi



Tiranë - Gjyqtarët që për shkak të detyrës u rrezikohet jeta, familja apo pasuria do të mbrohen me masa speciale nga shteti. Ky rregull në të vërtetë është i vlefshëm për gjyqtarët që janë pjesë e kolegjeve penale të gjykatave të dy niveleve të Krimeve të Rënda. Garancia jepet nga Ministria e Drejtësisë, e cila ditët e fundit përgatiti projektvendimin që mori miratimin e qeverisë vetëm pak ditë më parë. Ndërsa gjyqtarët e Shkallës së Parë do të kenë të njëjtën mbrojte si qytetarët e thjeshtë. E thënë ndryshe, në rastet kur ata e ndiejnë se u kanoset jeta, atëherë do të bëjnë kërkesë për mbrojtje speciale fizike.

Mbrojtja

Sipas ligjit më të ri për sigurinë e gjyqtarëve në vend, gjyqtarëve të gjykatave për krime të rënda dhe të apelit u sigurohet mbrojta e veçantë personale, familjare dhe pasurore kur për shkaqe që lidhen me detyrën u rrezikohet jeta, familja ose prona, mbrojtje kjo që kupton masat me karakter organizativ dhe profesional. Shqyrtimi i kërkesës së gjyqtarit në rrezik do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, që përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Brendshme dhe Financave, Policisë së Shtetit si dhe kryetari i Gjykatës pranë së cilës ushtron detyrën gjyqtari në rrezik. Kur rreziku ndaj gjyqtarit është serioz, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Komision urdhëron strukturat e kësaj policie të marrin masa të menjëhershme që garantojnë jetën, familjen ose pasurinë e gjyqtarit deri në mbledhjen e Komisionit që vleftëson masat e marra.

Shoqëruesit

Gjithashtu, ky ligj përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin brenda së cilës sigurohet mbrojtja si dhe masa të tjera që lidhen me këtë mbrojtje. Projektvendimi mësohet se është dërguar për konsultime edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Kjo nismë konsiderohet si tepër pozitive në mbarëvajtjen e punës së gjyqtarëve, të cilët në disa raste kanë rënë preh e sulmeve nga individë të ndryshëm. Pak kohë më parë, një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, mbeti i plagosur me armë zjarri pas një sulmi të hapur ndaj tij, nga persona që ende nuk janë identifikuar nga organet e hetimit. Ndërsa atentati ndaj tij u dënua ashpër nga të gjithë aktorët e sistemit të Drejtësisë si dhe forcat politike.







15 Qershor 2009