Kriteret për realizimin e fotos, e cila duhet të jetë e 6 muajve të fundit. Kujdes! Cilësia dhe kushtet teknike të fotos mund t’ju skualifikojnë


Çdo person që aplikon duhet të marrë në konsideratë një sërë kërkesash për bërjen e fotografisë dhe dërgimin e saj. Organizatorët kanë vënë një rregull që fotoja duhet të jetë bërë në 6 muajt e fundit. Nuk do të pranohen fotografi në grup të të gjithë anëtarëve të familjes, por secili duhet të ketë foton e tij. Në raste të tilla bashkëshorti, bashkëshortja dhe çdo fëmijë nën moshën 21 vjeç duhet të ketë foto të veçantë sipas specifikave. Përveç fëmijëve të natyrshëm, gjithashtu edhe fëmijët e adoptuar ligjërisht apo fëmijët e bashkëshortit/es, edhe në qoftë se një fëmijë është shkëputur nga banimi me ju, ose nuk dëshiron të emigrojë me ju, duhet të ketë të plotësuar në formular foton e tij. Nëse ndonjëri nga fëmijët tuaj është me shtetësi amerikane, ose me rezidencë të përhershme ligjore, nuk është e nevojshme që të dërgoni foton e tij. Nëse dështoni të regjistroni fotografitë e kërkuara për bashkëshorten dhe secilin fëmijë do të rezultojë si regjistrim i papërfunduar në sistemin e regjistrimit të aplikimit dhe do t'ju duhet të riregjistroheni. Nëse dështoni të regjistroni fotografinë e duhur për secilin pjesëtar të familjes, atëherë aplikimi juaj dhe i të gjithë pjesëtarëve të familjes do të skualifikohet në kohën kur ju do të intervistoheni për vizë. Një fotografi dixhitale e juaja, e bashkëshortit/es tuaj dhe secilit fëmijë duhet regjistruar në internet së bashku me Formularin Elektronik të DV-2010.

Detaje teknike

Fotografia mund të prodhohet nga një aparat fotografik elektronik dixhital, ose duke e skanuar fotografinë me një skaner elektronik dixhital.

Regjistrimet janë subjekt i skualifikimit dhe refuzimit të vizave për rastet kur fotografitë nuk janë të kohës së tashme, ose janë manipuluar, ose nuk përmbajnë specifikimet e shpjeguara më poshtë: Fotografia duhet të jetë një imazh dixhital ose e skanuar dhe duhet të ketë këto specifikime, ndryshe aplikimi nuk do të pranohet: Pozicioni i kokës duhet të jetë me fytyrë drejt aparatit; Koka e personit nuk duhet të jetë e vendosur lart, poshtë ose anash; Koka e personit duhet të mbulojë rreth 50% të sipërfaqes së fotografisë.

Personi që fotografohet duhet të jetë përpara një sfondi të bardhë të shndritshëm. (Për më shumë detaje, shih modelin dhe 3 shembujt e fotove korrekte).

Fotografi me sfond të errët ose me ngjyra të ndryshme nuk do të pranohen. (Shih shembujt e tjerë të fotove të gabuara). Fotografia duhet të ketë fokus në qendër. Fotografitë, te të cilat personi që fotografohet mban syze dielli, apo sende që zvogëlojnë sipërfaqen e fytyrës, nuk do të pranohen. Fotografi ku aplikanti ka vendosur shami apo kapele pranohen vetëm për shkak të besimit fetar, edhe në qoftë se ndodh një gjë e tillë, fytyra nuk duhet mbuluar; Fotografitë ku aplikanti ka mbuluar fytyrën jo për shkak të besimit fetar, nuk do të pranohen; Fotografitë ku aplikanti ka vendosur kapele për shkak të detyrës (ushtarak, infermier etj.) nuk do të pranohen.

Të dhëna teknike

Fotografitë me ngjyra me thellësi "24-bit" janë të preferuara. Fotografitë mund të shkarkohen nga një aparat fotografik dixhital në kompjuter ose ato mund të skanohen në kompjuter. Në qoftë se ju përdorni një skaner, përbërja e fotografisë duhet të jetë "TrueColor" ose "24-bit". Fotografitë me ngjyra ose bardhezi duhet të skanohen me këtë përbërje për kërkesat e DV-2010. Në qoftë se aplikanti bën një fotografi të re me anë të një aparati dixhital, ajo duhet të jetë e formatit JPEG. Madhësia e saj duhet të jetë jo më shumë se 62,500 bytes. Rezolucioni i fotografisë 320 pika (pixels) e lartë me 240 pika (pixels) e gjerë. Në lidhje me thellësinë e ngjyrave të fotografisë ka këto kërkesa:

Ngjyra 24-bit ose bardhezi 24-bit thellësia e ngjyrave (Shënim: Fotografi Monokrome ose nën 2-bit, 8-bit ngjyra, 8-bit stil gri nuk do të pranohen). Në qoftë se aplikanti skanon një fotografi me skaner dixhital; përpara se ajo të skanohet, duhet të ketë këto specifikime të stampimit (printimit): Përmasat e stampimit (printimit) 50mm x 50mm katrorë.

Ngjyrat e stampimit (printimit) fotografia mund të jetë me ngjyra (e preferuar) ose 24-bit stil gri. Mbas stampimit (printimit), fotografia duhet të ketë këto specifikime të skanimit:

Rezolucioni i Skanimit: Të skanohet me rezolucion 150 dots per inch (dpi). Kërkesat e tjera teknike për foton e skanuar janë të ngjashme si në rastet kur bëhet shkarkimi nga aparati digjital. Nëse nuk do të plotësojnë kriteret e përcaktuara tek fotografitë, sidomos përmasat, lloji i fotos (JPG) dhe pesha e saj më bajt, atëherë do të refuzojë të vazhdojë në procedurat e mëtejshme.







KU NUK DUHET TË GABONI



1. Nuk duhet të aplikoni më shumë se një herë. Kompjuteri do t’ju skualifikojë automatikisht nëse do të regjistrohen dy formularë me të njëjtin emër, edhe nëse dikush tjetër do të aplikojë për ju

2. Në listën e anëtarëve të familjes duhet të përfshini: bashkëshortin/bashkëshorten, fëmijët e pamartuar dhe ata nën moshën 21 vjeç (përveç atyre që kanë fituar tashmë nënshtetësinë amerikane), fëmijët e birësuar dhe thjeshtërit. Nëse ju nuk i keni regjistruar ata në fillim, në plotësimin e formularit dhe kërkoni t'i përfshini në aplikimin e vizës, rasti juaj do të skualifikohet.

3. Aplikimi bëhet vetëm me anë të internetit. Mos dërgoni formularë me postë.

4. Nëse nuk keni një arsim 12-vjeçar ose dy vjet punë në pesë vitet e fundit, punë e cila ka kërkuar dy vjet trajnim ose eksperiencë, ju nuk do të pranoheni. Ky është një kriter i Programit të Lotarisë Amerikane dhe megjithëse nuk ka një limit për moshën e aplikuesit, sipas kërkesës së mësipërme, i bie që personat nën moshën 18 vjeç skualifikohen.

5. Fotografitë nuk mund të dërgohen të ndara me aplikimin. Pra nuk mund të plotësoni formularin dhe më pas fotografitë. Nëse dërgoni formularin fillimisht dhe fotografitë më pas, ju skualifikoheni.

6. Fotografitë duhet të jenë individuale dhe jo grupi apo familjare. Pra, fotografia e aplikuesit, por edhe e familjes se tij, duhet të jetë secila veç e veç dhe duhet të plotësoje të gjitha specifikimet e duhura.

7. Nuk duhet ta plotësoni formularin më shkëputje kohore. Pra nuk mund ta ruani dhe të ktheheni prapë dhe të mbaroni pjesën e mbetur të formularit. Formulari elektronik është dizenjuar për t'u plotësuar brenda 60 minutash, duke marrë parasysh problemet e vonesat e rrjetit. Ju duhet të merrni të gjitha materialet e duhura për plotësimin e formularit.

8. Jini i sigurt kur të plotësoni formularin e aplikimit. Hyni vetëm në faqen zyrtare, pasi mund të dalin edhe faqe mashtruese. Për çdo gjë konsultohuni me të dhënat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.



TË PREFERUARIT NË EUROPË

(Pranimet për vitin 2009)



UKRAHINË 5502

UZBEKISTAN 3284

SHQIPËRI 2894

TURQI 2331

ARMENI 1285

BJELLORUSI 1240

BULLGARI 1154





Edhe për vitin 2010 lotari amerikane



Edhe këtë vit do të ketë lotari amerikane. Për vitin 2010 janë parashikuar për t’u pranuar 50 mijë aplikime nga e gjithë bota. Një vit më parë u diskutua ideja për mbylljen e saj. Por sërish do të ketë pranime edhe pas dy vitesh. Për vitin 2009 janë është në përfundim faza e “Green Card”-it, ku nga Shqipëria kanë marrë përgjigje pozitive 2894 aplikime. Ndërsa në vitin 2007 janë pranuar 2862 persona, të cilët tashmë kanë shkuar. Shqipëria është ndër tre vendet e para të preferuara nga organizatorët e Lotarisë Amerikane. Të gjithë personat që fitojnë të drejtën për të punuar dhe jetuar në SHBA shpërndahen në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në ato shtete të Amerikës ku ka pak popullsi dhe ka nevojë për forca të reja pune. Së fundi, kini kujdes nga faqet mashtruese, të cilat shfaqen shpesh herë në internet. Për çdo gjë konsultohuni me faqen zyrtare të organizatorëve të lotarisë apo të Departamentit Amerikan të Shtetit.







3 Tetor 2008