Daniel Boga, ish-scout i Chelsea-t, ka zbuluar një prapaskenë të 6 viteve më parë me talentin francez, Kylian Mbappe, tashmë në sezonin e tij të dytë te PSG. Kur ishte vetëm 13-vjeç, ai udhëtoi drejt Londrës me mamanë e tij, për të zhvilluar një provë në akademinë e Chelsea-t. Specialistët e bluve të Londrës nuk u bindën plotësisht rreth aftësive të tij, duke i kërkuar që të rikthehej për një provë të dytë. Mirëpo në këtë moment, shpjegon Boga, nëna e Kylian Mbappesë, Fayza Lamari, refuzoi.


Fayza Lamari, nëna e Mbappe

E ftova bashkë me familjen e tij për të kaluar një periudhë prove të Chelsea. Që atë kohë kishte cilësitë që ka edhe sot. Luajti kundër Charltonit dhe fitoi 7-0. Pas një jave, e ftuam në zyrë dhe i thamë: i vlerësojmë shumë cilësitë e tua, por duhet të vish për një provë të dytë dhe më pas do të vendosim. Më kujtohet reagimi i nënës së tij në gjuhën franceze dhe unë duhej ta përktheja. Ajo tha: më dëgjo, djali im nuk do të vijë më, nëse ata e duan, duhet ta marrin tani, në të kundërt, pas 5 vitesh do tu duhet të paguajnë 50 milionë paundë.


Ai kishte shumë talent, por në Angli donin lojtarë punëtorë, që luanin sa në mbrojtje në sulm. Në atë kohë, ai nuk ishte i tillë. Në fazën mbrojtëse linte për të dëshiruar. Kur merrte topin, ishte i pabesueshëm, por në lojën pa top nuk punoi mirë.


Kylian Mbappe, pak kohë më pas, iu bashkua akademisë së Monacos dhe vazhdimi dihet. Më shumë se një vit më parë PSG e bleu djaloshin e mrekullive për një shumë totale 180 milionë euro. Sa shumë duhet të jenë penduar te Chelsea!


13 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)