Analisti Mustafa Nano ka folur së fundmi për krizën politikë në vend dhe vendimin ekstrem të opozitës për të djegur mandatet. Sipas tij Lulzim Basha ka vepruar gabim dhe vendimi i marr prej tij na turpëron të gjithëve.


Nano thekson se kreu i opozitës ka vepruar kështu për ti treguar popullit se ka këllqe, por sipas tij Basha duhet së pari ti mbushë mendjen vetes se mund të mposhtë Edi Ramën dhe të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit.


Çfarë ndodh pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve?


Përsëris, ky është një vendim poshtërsisht i gabuar që komprometon opozitën, komprometon stabilitetin, komprometon edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ka opozitarë që gëzohen kur lajmi i djegies së mandateve kalon kufijtë, por duhet ta dinë se ky lajm na turpëron të gjithëve. Ashtu siç na turpërojnë edhe zërat që bëjnë thirrje për përplasje civile. Ka dhe kolegë tanët, që i thonë Bashës se Rama mundet vetëm me dhunë. Edhe Basha, për tu demonstruar atyre se nuk është i dobët përballë Ramës, apo se nuk ka shitur interesat e opozitës te Rama, për të cilën e akuzojnë në mënyrë idiote në fakt, për tu treguar atyre pra se ka këllqe, shkoi dhe mori një vendim të gabuar. Donte ti bindte ata se është i fortë. Por forca nuk tregohet kur ti merr vendime të gabuara. Tregohet kur ti merr vendime të mençura.


Çfarë duhet të bëjë Basha?


Duhet të futet në zgjedhjet lokale, të mobilizojë në terma elektoralë të gjithë ata njerëz që dolën në protestën e parë dhe ata njerëz janë një bazë e mirë, mbi të cilën mund të ngrihet opozita. Dhe të bëjë një fushatë frymëzuese, me një ekip të mirë, e kështu tu mbushë mendjen shqiptarëve se di të bëjë diçka ndryshe. Por para se të bëjë këtë, duhet ti mbushë mendjen vetes se Rama mundet dhe se ai mund ta mundë. Pa bërë këtë të fundit, asgjë tjetër nuk vlen.


Basha thotë se Rama i vjedh votat..


Kjo është një alibi, ska gjë se është e vërtetë, aq sa është e vërtetë. Të gjithë i kanë vjedhur votat. Edhe Basha i ka vjedhur votat. Edhe në partinë e vet nuk mundi të bënte një palë zgjedhje normale, një garë normale. Lëre pastaj që u bë kryetar bashkie në Tiranë ashtu si u bë. Ai e vodhi mandatin e kryetarit të bashkisë, e vodhi në mënyrën më të pacipë që mund të mendohet. E bëri Berisha në fakt, dhe atij i shijoi ajo punë. Nuk i shkoi mendja ta refuzonte atë punë. Basha do duhet të kërkojë falje për këtë gjë. Duhet të kërkojë falje edhe për vjedhjen e zgjedhjeve që ka bërë PD-ja e Sali Berishës. E vetëm pas kësaj, ai mund ti futet një beteje për zgjedhje të ndershme.


A është në siklet pushteti i Ramës?


Nuk është fare në siklet, e thashë që sundon gjithçka, përveç disa gojëve që nuk i mbyll dot, opozitën e ka të dobët, doli nga Parlamenti. Ndërkombëtarët i ka me vete.


Pse i ka me vete, i ka blerë ndërkombëtarët? I ka blerë?!


Kjo është turp të thuhet. Ka shumë kolegë që e thonë se Rama ka blerë dhe ndërkombëtarët. Unë mendoj se ndërkombëtarët e mbështesin Ramën se nuk kanë parë njeri tjetër më të besueshëm. Dhe fakti që ata mbështesin një Ramë të tillë, të bën të mendosh se sa pak ua mbush mendjen opozita.