Emisioni Stop ka publikuar mbrëmjen e djeshme një video e cila tregon se si Joleza Koka, ish kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, gjatë kohës që punonte si këshilltare në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, është paguar pa shkuar as edhe një ditë në punë.


Në pamjet filmike që emisioni investigativ publikoi , tregohen dëshmitë e punonjësve pranë kësaj ministrie, të cilët shprehen se Jolezën nuk e kanë parë të vinte asnjë ditë në punë, edhe pse paguhej çdo muaj.


Ish-kryetarja e Forumit Rinor të Partisë Socialiste, Joleza Koka përpara disa ditësh sulmoi drejtuesin e programit Stop Saimir Kodrën, duke e akuzuar për thyerje të etikës televizive dhe përdorimit të gjuhës ofenduese.


Joleza Koka ka nisur edhe një peticion për çështjen në fjalë, madje është ankuar te Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të cilët kanë ndërhyrë për fshirjen e emisionit të asaj date në Youtube.


Si kundërpërgjigje, emisioni Stop publikon një skandal me përmasa edhe më të mëdha se çështja parimore e Jolezës.


Saimir Kodra u shpreh se ndaj saj së shpejti do të ngrihet edhe një padi për vjedhje, pasi dy vite punë Joleza nuk denjoi të paraqitej as në zyrë.