Pasionin për muzikën e ka shfaqur edhe kur ka qenë në qendër të akuzave për trafik ndërkombëtar droge me kushërinjtë e tij Habilajt nga Vlora, por tashmë Saimir Tahiri duket se është afirmuar si këngëtar i vërtetë në zonën e ish-bllokut.


Ish-ministri i Brendshëm ka kaluar mbrëmjen e djeshme në barin e njohur Charls, ku luhet muzikë live dhe siç duket nga video e siguruar nga Gazeta Shqip nuk ka mundur ti rezistojë dëshirës për ta djegur skenën.


Tahiri ka rrëmbyer mikrofonin dhe ja ka marrë këngës, në një duet me të mirënjohurën Eneda Tarifa.


Ish-ministri u kap për dore dhe të dy filluan të këndonin. Tahiri shfaqet i qeshur dhe kërcen e shijon ritmet e muzikës së lehtë shqiptare bashkë me miqtë e tij.


Tahiri mesa duket është i pasionuar ndaj muzikës shqiptare, pasi ka kënduar me zell një këngë të njohur për publikun duke e elektrizuar këtë të fundit.



Ai gjithashtu ka kënduar mbrëmjen e djeshme me Sindrit Bejlerin. Tahiri dhe këngëtari shkodran këndojnë një këngë të njohur me vargjet: Asgjë tjetër nuk ka rëndësi..


Tahiri sipas burimeve të Shqip ka qëndruar gjatë në skenë, duke konkurruar denjësisht edhe këngëtarët që ndodheshin aty.


Kujtojmë se pasionin për muzikën, Saimir Tahiri e ka shfaqur gjithmonë. Edhe në 2017 kur LSI e drejtuar nga Ilir Meta kërkonte kokën e tij kur ishte ministër i Brendshëm, Tahiri u shfaq në një festë ribashkimi të gjimnazistëve të maturës 1998 të Sami Frashërit, ku ja mori këngës.


Ai gjithashtu është fotografuar disa herë në lokale të ndryshme në Bllok, duke kënduar, madje edhe me miq të tij socialistë.