Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, është shprehur mjaft i kënaqur pas fitores 2-0 në Copa del Rey, kundër Valencias dje në mbrëmje. Golat nga Diego Godin dhe Raul Garcia dërguan madrilenët në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 3-1, pasi javën e kaluar barazuan 1-1 në Mestalla. Fitorja erdhi tre ditë pas barazimit 0 me 0 të Atleticos me Barcelonën ndërsa Simeone e ndjen se ekipi i tij ka heshtur kritikët të cilët dyshonin në performancën e tyre.
“Lojtarët ishin përsëri të mrekullueshëm. Dhe pas ndeshjes kundër Barcelonës, njerëzit dyshonin në përgjigjen tonë. Në këtë fitore kanë luajtur rol lojtarët, doktorët dhe gjithë të tjerët. Ju nuk mund të luani lojë intensive pa ambicie. Lodhja ka filluar të shfaqet por ne kemi mënyrat se si të përballemi me këtë. Ne duhet të pushojmë, të hamë ushqim të mirë dhe të analizojmë ndeshjet gjithmonë” ka thënë Simeone në konferencën për media.
Klubi ka qenë në një formë të shkëlqyer këtë sezon, duke siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve ku do të luaj ndaj Milanit, ka pasur fillimin më të mirë në La Liga dhe aktualisht ka pikë të barabarta me Barcelonën në krye.
“Kemi fuqi të mjaftueshme në skuadër për të luftuar në të tria garat, gjë të cilën jemi duke e bërë”, u shpreh mesfushori Raul Garsia që shënoi edhe një ndër golat në fitoren e mbrëmshme.