Tiranë - Krejt i qetë, Julian Sinanaj, i cilësuar si `vrasës me pagesë`, u ka konfirmuar prokurorëve të Krimeve të Rënda, se ekzekutimet e biznesmenëve i kryente thjesht e vetëm për para.

Nën masa të rrepta sigurie, ai është transferuar të shtunën në ambientet e prokurorisë, ku është njohur zyrtarisht me akuzat e rënda, për të cilat rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm. Por, për shkak të statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë, Sinanaj i shpëton këtij dënimi maksimal dhe pozita e tij do të jetë e lehtësuar.

Ndaj ky fakt, duket se e ka bërë atë që të hapë "kutinë e tij të Pandorës", për të rrëfyer krimet monstruoze. "Veprova për llogarinë time, jo si grup i strukturuar kriminal. Unë bëra gjithçka për paratë. Por nëse ju më cilësoni si grup të strukturuar, vëreni dhe këtë akuzë", - është shprehur Sinanaj para prokurorëve. Ai qartazi ka lënë të kuptohet se krimet i ka kryer, jo si pjesë e një grupi, por vetëm për paratë.

"Ishte krejt i qetë. Pasi i lexuam të gjitha aktet dhe i kërkuam të rikonfirmojë dëshmitë e dhëna, e bëri krejt qetësisht. I vetmi moment që nuk ishte dakord lidhej me faktin se nuk e konsideronte veten pjesë të një grupi të strukturuar kriminal", tha një pjesëtar i grupit të hetimit. Julian Sinanaj, që prej momentit të arrestimit në janar 2014, ka pranuar bashkëpunimin me drejtësinë, e kësisoj u ka rrëfyer hetuesve krimet e kryera prej tij, si dhe ka nxjerrë në dritë emrat e të gjithë personave me të cilët ka bashkëpunuar. Por përpara sesa Sinanaj të "pendohej", ishte Ndriçim Gjokona, njeriu që hapi "thesin" e rrëfeu për aktivitetin kriminal të së ashtuquajturës "Banda e tritolit".

I penduari i bandës, Ndriçim Gjokona, ashtu sikurse ish-miku i tij Sinanaj, ka rrëfyer përpara prokurorëve gjatë një seance pyetjesh, edhe njëherë mënyrën sesi bashkëpunonte me "killerin me pagesë" për të ekzekutuar biznesmenët apo persona të tjerë. Gjokona, që në krye të herës shfaqte një frikë të tmerrshme për jetën e tij dhe të familjes, gjatë seancës së përballjes me prokurorët, është shfaqur i qetë dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë. Ai është në rolin e ndihmësit të Sinanajt, pasi e furnizonte me tritol "killerin" me pagesë. Mësohet se Gjokona i ka qëndruar besnik rrëfimit të tij. Por, ndërsa Sinanaj dhe Gjokona pritet të ulen në të njëjtin kafaz të hekurt, prokuroria është kujdesur që të paktën përgjatë 6 orëve të qëndrimit të tyre në ambientet e godinës së xhamtë, të mos kenë asnjë pikë kontakti. /GSH/Start/