Ndërpritet qarkullimi për katër orë. Kërcënojnë me grevë pa afat


unazaMë të vendosur se kurrë, përfaqësuesit e sindikatave të pavarura të punonjësve të transportit në kryeqytet do të hyjnë sot në grevë, e cila, sipas tyre, do të zgjasë katër orë rresht. Vendimin e tyre nuk ka mundur ta mposhtë as i ftohti i javëve të fundit, që do të rëndojë edhe më shumë në kurrizin e qytetarëve, që për çdo ditë i hipin autobusit për të shkuar në punë a shkollë. Sot, atyre do tu duhet të nxitojnë me këmbë, sepse asnjë linjë e transportit urban nuk do të jetë në shërbim të tyre. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të sindikatave të transportit, greva do të zgjasë plot katër orë, për shkak se nuk janë paguar ende nga shoqëritë e transporteve, ndonëse shlyerja duhet të ishte kryer deri më datë 28 janar.


Të enjten, nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 09:00, transporti urban nuk do të funksionojë fare, tha Zija Hasanaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transporteve të Shqipërisë.


Në dhjetor të vitit 2013, Sindikatat e Pavarura të Punonjësve të Transportit, paralajmëroi zhvillimin e një greve nga transporti urban, të gjashtë shoqërive që mbulojnë 10 linja në kryeqytet, e cila u anulua, për shkak se prisnin përgjigje nga institucionet përgjegjëse, të cilat ishin vënë në dijeni të avarisë së krijuar si pasojë e mosshlyerjes së pagesave, në një periudhë mbi 3-mujore, si për fatorinot edhe për shoferët e autobusëve. Përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Pavarura bëjnë me dije se përgjigjja zyrtare nuk mbërriti asnjëherë në zyrat e tyre, por nëpërmjet një marrëveshjeje mes palëve arritën në një zgjidhje, që data e fundit për derdhjen e parave nga operatorët e transportit do të ishte 28 janari, afat që praktikisht nuk u zbatua. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, duhej që deri me datë 28 janar të derdheshin pagesat e prapambetura të punonjësve. Kemi të dhëna që edhe pagesa e janarit nuk do të shlyhet, theksoi kryetari i Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit.


Nga ana tjetër, shoqëritë e transportit kërkojnë rritjen e çmimit të biletës së autobusit nga 30 në 70 lekë, ndërsa nëse qeveria do ti subvencionojë, kërkojnë që çmimi i biletës së autobusit të bëhet 50 lekë. Ata kërcënojnë se nëse Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve nuk do të marrë situatën në dorë për të gjetur një zgjidhje, duke qenë se tashmë propozimi ndodhet në tryezat e tyre, pas 15 ditësh do të nisin grevën pa afat. Sh.Mezini


 


Ky shkrim Sindikata e Transportit Publik paralizon Tiranën u publikua me pare te Gazeta SHQIP.