Burime ushtarake sirianë kanë përgënjeshtruar lajmin e një sulmi të ri me raketë në rajonin e Homsit. Mbrojtja ajrore siriane është aktivizuar menjëherë, por autoritetet kuptuan se bëhej fjalë për një alarm fals.


Televizioni shtetëror kishte folur për një agresion që po kryhej në bazën ajrore të Shayratit në Homs, i goditur edhe gjatë bombardimeve të së shtunës së shkuar, por sulmi i ri (i përgënjehstruar edhe nga SHBA-të), nuk pati konfirmime.


Raporti nuk tregoi se kush mund t’i ketë hedhur raketat mbi rajonin Homs, por e cilësoi aktin si “agresion”.


Reuters citoi zëdhënësin e Pentagonit, Eric Pahon, të ketë thënë se “aktualisht nuk ka aktivitet ushtarak të SHBA-së në atë zonë”. “Nuk kemi detaje shtesë për të ofruar”, tha Pahon.


Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë hedhur mbi 100 raketa në Siri, më 14 prill, duke goditur tre objekte të armëve kimike.


Operacioni u krye në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur më 7 prill në qytetin Duma dhe që dyshohet se është kryer nga forcat qeveritare siriane.


Dhjetëra persona besohet se janë vrarë në këtë sulm.


SHBA, vitin e kaluar, ka sulmuar bazën ajrore Shajrat, në përgjigje të një tjetër sulmi kimik në qytetin Khan Sheikhun.


Siria e ka mohuar përgjegjësinë për këtë sulm, i cili ka lënë të vrarë së paku 80 njerëz.


17 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)