Rreth 30 mijë mbështetës të partisë kryesore opozitare në Pakistan u mblodhën në qytetin pakistanez Lahore për të djegur një portret të presidentit Asif Ali Zardari duke kërkuar, në të njejtën kohë, largimin e tij nga pushteti.


Agjencia franceze e lajmeve AFP raportoi se Liga Myslimane e Pakistanit ka organizuar protestën, gjatë të cilës autoritetet u kritikuan edhe për korrupsion dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.


Ndërkohë, rreth 2000 njerëz protestuan jashtë ndërtesës së ambasadës amerikane në kryeqytetin pakistanez me kërkesën për ndaljen e sulmeve të telekomanduara të Shteteve të Bashkuara.


Sipas protestuesëve, nga sulmet në fjalë, kanë vdekur më shumë civilë se sa talebanët dhe militantët e Al Kaidas që, në fakt, janë cak i sulmeve të tilla.


Të enjtën, zyrtarët pakistanezë thanë se nga dy mjete të telekomanduara amerikane kanë vdekur të paktën 10 militantë në Vaziristan-përfshirë të vëllain e një komandanti lokal të talebanëve.