
Mika Yamamoto, gazetarja e vrarë në Siri
Një gazetare japoneze, është vrarë teksa raportonte për luftimet në Alepo të Sirisë, ka bërë me dije Ministria e Jashtme japoneze. Mika Yamamoto, 45 vjeçe, ishte e vetmja reportere japoneze që përcillte konfliktin në Siri për vendin e saj dhe punonte si korrespondente lufte për agjencinë Japan Press, me seli në Tokio.
Në momentin që u vra ajo ishte bashkë me një koleg, i cili identifikoi trupin për autoritetet, njofton më tej një zëdhënës i ministrisë. Ende nuk dihet me saktësi momenti i vrasjes, por lajmi filloi të qarkullonte mbrëmjen e së hënës dhe forcat opozitare fajësuan ushtrinë e Al Asad për ngjarjen.
Trupi i saj është transferuar në Turqi, ka deklaruar Masaru Sato, një përfaqësues i diplomacisë japoneze për Associated Press. Në një lajm të publikuar në agjencinë e lajmeve Kyodo News, Yamamoto përshkruhej si një gazetare veterane dhe fituese e shumë çmimeve në publicistikë, mes tyre dhe çmimi Pultizer.
Sipas faqes së internetit të kompanisë, Yamamoto, që ishte bashkuar me agjencinë në vitin 1995, kishte eksperiencë në mbulimin e luftërave pas Irakut dhe Afganistanit. Ajo është reporterja e katërt e huaj që humb jetën që nga fillimi i konfliktit në Siri.
21 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Siri, vritet një gazetare japoneze burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip