Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e 11-të mbarëkombëtar të Institutit Alb-Shkenca:

Me lejen tuaj, nuk po i jap vetes rëndësi më shumë seç më takon në këtë takim, duke dalë në podium, thjesht po them disa fjalë, pa pretenduar të jap orientime dhe direktiva në një mjedis që i takon njerëzve të shkencës.

Dua të falënderoj mikun tim, "fatkeqësisht" shumë të vjetër. Them "fatkeqësisht", sepse kisha vite pa e parë dhe njeriu nuk e kupton se si dhe sa kalojnë vitet, përveçse duke parë shokët e fëmijërisë. Kur e pashë Nikon, mendova se kur bën vërtet miq shumë të vjetër, d.m.th. , koha ikën. Por ajo që vlen në këtë moment takimi, është fakti se qysh në kohët e hershme, kur unë shkoja herë pas here në shtëpinë e Nikos, ishte një vend ku flitej për diasporën, flitej për shqiptarët e ikur, për shqiptarët e mëdhenj që kanë bërë historinë e këtij vendi, duke kontribuuar nga ana tjetër e oqeanit dhe për çfarë përfaqësonte diaspora.

Rrethanat dhe fati e deshën që njëri nga dy vëllezërit mendjendritur të asaj familjeje, Niko, që është bërë edhe sebepi i krijimit të këtij Forumi, të shkonte matanë oqeanit dhe të dy të jetojnë të ndarë në mes nga një oqean, njësoj siç në të kaluarën jetonin të ndarë me gjeografinë e një diaspore që ishin nga të paktët në atë kohë që e njihnin dhe e studionin.

Ju jam mirënjohës të gjithëve që përmes këtij Forumi keni dhënë një shembull modest, por kuptimplotë të faktit se sa shumë potencial të pashfrytëzuar ka bashkësia jonë, - nuk flas vetëm për vendin, shtetin e bashkësinë tonë, - nga pikëpamja e dijeve. Në fund të fundit, besoj që biem dakord këtu se vendet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara nuk dallohen për shkak të asaj që kanë, por për shkak të asaj që dinë. Fakti që ka vende, të cilat nuk kanë, por janë shumë të zhvilluara, apo vende që kanë, por janë shumë më pak të zhvilluara, është shumë kuptimplotë lidhur me dijen.

Nuk do harroj kurrë takimin me, tanimë, ish-Presidentin e Izraelit, Shimon Peres, i cili, në një aktivitet që u organizua gjatë vizitës sime në Izrael me komunitetin shqiptar atje, tregoi sesi, kur u çlirua toka e shumë ëndërruar e Izraelit dhe ata u kthyen për të rindërtuar shtetin e tyre, asgjë rreth e rrotull nuk krijonte vend për optimizëm, nga pikëpamja e pasurive.

Një vend me një det, por deti i vdekur; një vend me një lumë, por lumi kishte më shumë histori se ujë; një vend me resurse natyrore zero. Ai, pasi bëri këtë përshkrim, duke nënvizuar se nga të katër anët, vendi ishte i rrethuar vetëm me armiq që donin zhdukjen e tij dhe ishte i ndaluar të armatosej, tregoi se sa shumë eksperimente kishin bërë në Institutin e tyre Bujqësor, duke besuar se mund të gjenin mënyra se si të zhvillonin prodhimin e tyre, deri në pikën që kishin bërë eksperimente duke vaditur ullinjtë me ujë të nxehtë. Në një moment, të gjithë, - tha, - u vetëdijesuam dhe kuptuam se ajo, çka ne jo më kot kërkonim të nxirrnim nga toka që nuk e kishte, ishte këtu. Gjithë qasja jonë u kthye nga rreth e rrotull dhe nëntokë, brenda vetes dhe në trup.

Besoj që sot, ky është një diskutim shumë i lehtë për t'u bërë, në një kuptim, sepse nuk jemi në atë kohë. Ju jeni në një kohë që bota e madhe e distancave të largëta është bërë dhe po bëhet gjithmonë e më shumë një fshat global, ku, pavarësisht pozicionit gjeografik, distancat janë zeruar, sepse mjafton një "klik" këtu, për t'u dëgjuar dhe për të komunikuar me dikë që është mijëra kilometra larg.

Edhe në këndvështrimin tim modest është momenti që ne, jo vetëm të bëjmë një reflektim serioz dhe të thellë për çfarë mund të përfitojmë si vend dhe si bashkësi shqiptare nga globalizimi, në kuptimin e instrumenteve të reja për të ndërtuar urat e ndërveprimit dhe të përçimit të dijes, duke u fokusuar tek potenciali i mendjes, që e kemi faktikisht të shpërndarë dhe jo të përqendruar në një pikë.

Edhe Samiti i parë i Diasporës synon pikërisht këtë gjë: të krijojë një parakusht, që, siç ju prej 11 vitesh mblidheni në një forum, të gjithë të mund të mblidhen në një forum më të gjerë, që krijon kapacitetin për të thithur, për të analizuar dhe për të sintetizuar prurjet e ideve, të opinioneve dhe të burimeve njerëzore që krijon një ndërveprim i tillë.

Në vizionin tim, Samiti duhet kthyer në një institucion që nuk duhet të jetë institucion qeveritar. Qeveria sot ka detyrën ta promovojë si institucion dhe shpresa ime, të paktën, është që ai institucion të merret në dorë nga vetë protagonistët dhe të kthehet nga një Samit i organizuar nga qeveria, në një Samit të organizuar nga vetë protagonistët, me mbështetjen e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, për t'i dhënë sa më shumë hapësirë autonomie dhe sa më shumë liri veprimi e ndërveprimi. Njëkohësisht, për të përfituar sa më shumë nga shkrirja e kufijve dhe e paragjykimeve që mund të krijohen, qoftë edhe për shkak se këtë e organizon qeveria.

Ne do bëjmë çmos që të jetë një Samit, i cili t'ju përcjellë të gjithëve mesazhin që nuk ka të bëjë fare me përkatësinë politike të qeverisë aktuale dhe nuk synon të instrumentalizojë, apo të nxjerrë ndonjë përfitim të atypëratyshëm politik nga prania e protagonistëve, por thjesht të hapë rrugën që vetë protagonistët, siç jeni dhe ju, ta marrin në dorë këtë institucion. Më pas, qeveria të jetë partnere, mbështetëse, por jo diktuese e axhendës së punës dhe vazhdimësisë së këtij Samiti.

Sfida është që ky eveniment të mos mbarojë në momentin që mbyllet mbledhja në Tiranë, por të ketë një fill vazhdimësie deri në Samitin e ardhshëm, që duhet vendosur nëse duhet të jetë çdo dy apo tre vjet. Kjo është një çështje për t'u diskutuar.

Duke u kthyer vetëm për një moment të shkurtër tek ky aktivitet dhe tek fjala e Nikos, që e dëgjova me shumë vëmendje, është e natyrshme që të përfshihen gjithë grupet e interesit, nëse me lejen tuaj mund ta quaj grup interesi edhe grupin e njerëzve të shkencës, vendi ku mblidhen dhe qajnë hallet, apo përpiqen që të kalojnë përtej halleqarjes dhe të japin dhe një kontribut, pra, të ndjekin me ose pa vetëdije porosinë e mrekullueshme të Nënë Terezës që thoshte: "Në vend të mallkosh errësirën, më mirë ndiz një qiri!"

Prapëseprapë, gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi dhe del në pah nevoja për më shumë mbështetje nga qeveria dhe përmendet buxheti. Është mese normale që një shkencëtar që vjen nga Shtetet e Bashkuara të flasë për një aparaturë që në SHBA mund të jetë si radiot "Iliria" të dikurshme, aq banale dhe aq prezente kudo ku hapet dera e një laboratori, ndërkohë që këtu, mesa duket, mungon. Por, nga ana tjetër, ne nuk mundet dot t'i adresojmë të gjitha problemet tona, madje nuk mund të adresojmë edhe një pjesë të problemeve që domosdoshmërisht duhen adresuar, duke iu drejtuar vetëm buxhetit.

Unë jam i bindur dhe këtë gjë, për surprizën e shumëkujt, por edhe timen, na e tregoi edhe një anketim paraprak që bëmë me diasporën shqiptare në Amerikë. Samiti duhet të synojë të mbledhë diasporën shqiptare kudo. Por ne anketimin e bëmë në Amerikë, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin Ndërkombëtar të Harvardit. Ishte befasuese për ta, jo për ne, jo për mua të paktën, që pyetjes "Sa të gatshëm jemi që të kontribuoni për Shqipërinë, pavarësisht se jetoni në Amerikë?" - ishin 78% që i përgjigjeshin pozitivisht.

Sipas statisticienëve të vënë në dispozicion nga Qendra për Zhvillime Ndërkombëtare e Harvardit, kjo ishte një shifër aq e pabesueshme, sa mund të dyshohej për vërtetësinë apo seriozitetin në kryerjen e sondazhit, në rast se ata nuk do e kishin organizuar e monitoruar vetë. Nuk ka, - sipas tyre, - një emigracion që të ketë këtë disponibilitet.

Nga ana tjetër, edhe shpjegimi është i thjeshtë. Është një emigracion i ri, që e ka ende shumë të fortë lidhjen me shtëpinë, me rrugicat e lagjes, me kolegët e dikurshëm. Nuk është një emigracion ku kush vjen, nuk e gjen më në sallë kolegun, sepse është një gjeneratë tjetër.

Në këtë aspekt, besoj që reflektimi shkon në dy drejtime; Nga njëra anë, unë jam i bindur që në rast se krijohen kushtet për t'u hapur një kapitull i ri në raport me diasporën, për t'u krijuar një hapësirë ku nuk flasim për shqiptarë që jetojnë këtu dhe shqiptarë që nuk jetojnë këtu, por për shqiptarë që jetojnë në të njëjtën hapësirë, falë teknologjisë, në funksion të disa qëllimeve, atëherë me siguri do të kemi shumë më tepër ide dhe shumë më tepër oponencë. Këtu flas në aspektin më pozitiv, për çka ne bëjmë këtu, në të gjitha nivelet. Me siguri do të kemi shumë më tepër njerëz nga diaspora, të interesuar dhe të përfshirë edhe në financimin e projekteve apo të nismave të caktuara, deri në financimin e aparaturës që tragjikisht na mungon.

Besoj, po ashtu, që juve që jeni këtu, por dhe shumëkush që nuk është këtu dhe që iu përket atyre që vazhdojnë punojnë me mendjen jashtë atdheut tonë, ka një kontribut për të dhënë në këtë fazë edhe për Akademinë tonë të Shkencave.

Unë e shoh absurde që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të mos jetë prezente, të mos jetë mirëseardhëse, të mos jetë aktivisht e lidhur me Alb-Shkencën. Është ulëritëse dhe domethënëse, jo thjesht për Alb-Shkencën këtu, por për shumë e shumë të tjerë që mund të jenë të organizuar në një forum si i juaji, por mund të mos jenë fare të organizuar.

Është tronditëse që Akademia e Shkencave sot të mos ketë një regjistër të të gjithë atyre që bëjnë, ose përpiqen të bëjnë shkencë dhe që janë shqiptarë dhe që jetojnë kudoqoftë në glob, një regjistër të vendndodhjes së aktivitetit dhe të mos ketë asnjë kontakt.

Sigurisht që kjo bëhet më pak tronditëse, po të mendosh që vetë shteti ynë nuk i ka të numëruar dhe nuk i di ku i ka shqiptarët jashtë atdheut. Ndërkohë që nuk jemi aq shumë, sa të mos numërojmë dot njëri-tjetrin. Për më shumë kur mendon që kinezët numërojnë në kohë reale çdo bashkëkombës që del nga një fakultet në çdo pikë të globit dhe regjistrohet menjëherë në regjistrin e burimeve njerëzore të Kinës, pavarësisht se mund të mos shkelë më kurrë në Kinë. Ndërkohë që ne ende sot nuk kemi të regjistruar popullin shqiptar.

Prej një viti e ca kemi filluar një projekt, me një emër shumë kuptimplotë, por edhe me një kuptim tronditës "Popullimi"; Popullimi i regjistrit tonë të të dhënave me të dhënat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, për t'iu dhënë mundësinë që të jenë pjesëmarrës që në jetën politike, sepse duam që shqiptarët të votojnë. Kjo është një fjalë gojë për t'u thënë, por është një det i tërë për t'u kapërcyer nga pikëpamja teknike. Për t'iu dhënë mundësinë të gjithëve të votojnë, duke shfrytëzuar postën e shpejtë, atëherë duhet që posta e shpejtë të dijë ku janë, por që Posta e shpejtë të dijë ku janë, duhet ta dimë ne se ku janë.

Do dëshiroja shumë t'ju ftoja që të merrnit pjesë në procesin e reformimit të Akademisë së Shkencave që ne kemi nisur. Është një proces që e kemi nisur sëbashku me ata që janë në Akademinë e Shkencave, duke u nisur nga një gjykim shumë i thjeshtë, që është sistemi i shkencës që ka rënë dhe është sistemi i Akademisë që ka rënë dhe të njëjtët njerëz mund të sillen dhe mund të prodhojnë gjëra krejt të ndryshme, në dy sisteme krejt të ndryshme. Janë të gjithë të përfshirë, por do donim të përfshinim sa më shumë të tjerë, për ta parë edhe nga larg, edhe në distancë procesin e për të kontribuuar.

Kemi gjetur mirëkuptim të plotë, pasi të gjithë, edhe kur nuk e thonë, janë të vetëdijshëm që Akademia e Shkencave sot në Shqipëri është pamja më kuptimplotë e rrënimit të të gjithë sistemit të të bërit shkencë në Shqipëri. Mjafton të parafytyrojmë për një moment sikur Eqerem Cabej të ngjallej dhe të bënte një vizitë në Akademinë e Shkencave, besoj që askush nuk ka guximin të thotë që do mahnitej me progresin e bërë që pas vdekjes së tij.

Jam i bindur që modestisht, ne mund të bëjmë shumë më mirë e mund të bëjmë shumë më tepër. Por që të bëjmë shumë më mirë e të bëjmë shumë më tepër, Akademia e Shkencave duhet të jetë e atyre që merren me shkencë dhe e atyre që janë drejtpërdrejtë të interesuar që ajo të jetë qendra e gravitetit e të gjithë forumeve dhe e sistemit shkencë të shqiptarëve. Sisietem që duhet parë e duhet konceptuar si sistem që vepron në një yjësi ku ka shumë autonomi të të gjithë qendrave dhe burimeve të dijes, po ku të gjithë bashkë kanë vendin e tyre në këtë yjësi.

Nuk mund të bëjmë Akademinë shtetërore të Shkencës, atë institucionin hijerëndë që dikton dhe përcakton se "kush" është "kush". Por me sa më shumë fleksibilitet, liri dhe ndërveprim, duke u krijuar të gjithëve kushtet që të marrin pjesë, mund të ndërtojmë pak nga pak, një sistem shkence që në radhë të parë t'i shërbejë gjërave edhe më bazike. Nuk besoj që do t'i mbetet shkencës këtu në Shqipëri, që të zgjidhë të gjitha enigmat e ngrohjes globale. Me siguri që shkencëtarët shqiptarë në Amerikë mund të kontribuojnë atje, por shkencës në Shqipëri besoj se i takon të kontribuojë dhe të zgjidhë disa probleme më të thjeshta. Që nga përmbytjet që lidhen me shkatërrimin e sistemeve tona dhe oponencat e projekteve më bazike, që sot ne nuk i kemi më.

Mjafton t'ju them që, në rast se ne duhet të diskutojmë në qeveri për problemet që mund t'i shkaktohen këtij vendi nga dalja jashtë kontrollit e ujërave, askush nga njerëzit me të cilët këshillohemi nuk është nën 70 vjeç. Mund të thërrasësh dhe nën 70 vjeç, por nuk dinë më të flasin për ujërat. Ky është fakt! Që do të thotë që është një rrënim i madh, por është një fat i madh dhe një potencial i madh që shumë shqiptarë, edhe të gjeneratave të mëpastajme dhe të gjeneratave të reja, janë sot në gjendje të flasin edhe për ujërat, edhe për yjet dhe jetojnë në diasporë.

Pa ju penguar punën e tyre dhe karrierën e tyre atje, besoj se duke shfrytëzuar disponibilitetin e tyre për të kontribuuar për këtë vend, mund të ndërtojmë një sistem fleksibël, duke shfrytëzuar fshatin global.

Më falni se si zakonisht u zgjata, edhe kur bëj çdo përpjekje për të folur shkurt. Por mbase edhe për të respektuar deri në fund kontributet tuaja dhe ftesën tuaj shumë dashamirëse, nuk desha të abuzoj me faktin që më duhet të iki me vrap për një takim tjetër.

Shumë faleminderit!