Kryeministri Edi Rama vazhdoi bashkëbisedimin me të tjerë fermerë. Pas Zharrëzës së Fierit u ndal në Karbunarë të Lushnjes për të diskutuar mbi hapat që janë hedhur lidhur me rritjen e mbështetjes së prodhimit bujqësor, rritjen e përfituesve nga skemat e subvencionuese, heqjen e TVSH-së për makineritë e prodhimit që importohen, rimbursimin e TVSH-së për produktin bujqësor etj. I vetëdijshëm për nevojën akoma dhe më të madhe të financimit të bujqësisë Kryeministri Rama nënvizioi fort vënien në funksionim të instrumentit të ri financiar, Fondin Kombëtar të Garancisë deri 300 milionë euro në tre vitet e ardhshme, një bashkëpunim me BERZH dhe bankat e nivelit të dytë. Një Fond ky që do të hapë mundësi të reja për fermerin. Janë 50 milionë euro të gatshme të cilat nëse janë projektet e duhura nga fermerë dhe investitorë në bujqësi mund të lëvrohen në investime që gjatë këtij viti. Por jo vetëm kaq, Sportelet Unike që po ndërtohen do të asistojnë fermer?t në hartimin e projekteve e tyre.

"Fondi Kombëtar i Garancisë do të funksionojë edhe si fond garancish për interesat. Ka një pjesë të Fondit që garanton interesat. Ata që do të marrin kredi nga bankat, në një pjesë të tyre, sipas projekteve, do t'i kenë ato pa interes, sepse interesat do t'i garantojë shteti. Nga ana tjetër po ndërtojmë sportelet unike për fermerët, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të informohen, të konsultohen dhe të ndihmohen përmes këtyre sporteleve për projektet e tyre për financim," - u shpreh Kryeministri.

Qeveria i ka akorduar pushtetit vendor, paketën më të madhe financiare të mbështetjes së ujitjes dhe kullimit. Janë mijëra hektarë në të gjithë territorin, që për herë të parë kanë marrë ujë dhe qindra kilometra kanale vaditëse e kulluese të pastruara. Së shpejti pritet të nisë realizimin projekti jetik për fshatin, ai i zëvendësimit të sistemit të vjetër të ujitjes me një sistem modern të ujitjes së mbuluar.

"Brenda pak javësh fillon një projekt i ri për ujitjen dhe kullimin. Ai që kemi, është një sistem ujitje e kullimi primitiv. Ndërkohë që sistemi që do të fillojë të instalohet në këtë pellg dhe që do të përfshijë zonën e Divjakës, një pjesë të mirë të Lushnjës, një pjesë të Roskovecit dhe një pjesë të Fierit, është një sistem i ujitjes i mbuluar, ashtu siç janë ujësjellësit të mbuluar, në mënyrë që të mos kemi problem në të ardhmen me llumëra, me ferra, inerte etj. dhe të kemi një administrim shumë më të mirë të ujit që vjen për ujitje. Kjo falë një projekti që prej 2 vitesh kemi punuar me Bankën Botërore dhe tani fillon realizimi," - u shpreh Kryeministri.

Një tjetër incentivë madhore e kësaj qeverie, që rrit garancitë për financim dhe investime në fshat, është procesi i titujve të pronësisë. Proces i cili ka nisur dhe qeveria është e vendosur për ta përmbyllur sa më parë.

"Do të çojmë më tutje procesin e titujve të pronësisë. Ne e kemi hapur procesin në të gjitha bashkitë, për të dhënë përfundimisht tapitë për tokën. Këtë proces do ta çojmë me shpejtësi përpara", - u shpreh Kryeministri.

Kryeministri nënvizoi edhe vetëdijen e plot? për problemet e mëdha që ka fshati dhe ata që jetojnë me tokën, por garantoi se kanë në krah qeverinë, me një vizion dhe program të qartë për të ndërtuar ekonominë e fshatit që krijon sipërmarrje.