• Eduard Zaloshnja

Shkrimin e mëposhtëm e shkrova
    mëngjesin e 15 marsit, pra para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit. Kuptohet që në ditët që vijuan nuk kishte kuptim t’ia dërgoja redaksisë së “Panorama”-s këtë shkrim për botim - tema e Gërdecit ishte aq e nxehtë sa nuk mund të bëhej fjalë për botimin e një shkrimi rreth sistemit zgjedhor. Por tani që i ka ardhur radha diskutimit të amendamentit kushtetues të propozuar nga PS-ja në Kuvend, dhe kur pak ditë na kanë mbetur për plotësimin e kushtit të reformimit të sistemit zgjedhor, vënë nga NATO, ky shkrim besoj se është mëse aktual. Në fakt kur u ula para kompjuterit mëngjesin e 15 marsit, kisha në mendje një tjetër temë. Por tek po prisja që kompjuteri të kryente procedurat e hapjes, dëgjova zërin e Sabri Godos në TV, i cili po argumentonte se sistemi zgjedhor i përkrahur nga dy partitë e mëdha do bënte që një parti e vogël të mos përfaqësohej dot në Qarkun e Dibrës, sepse, sipas tij, do i duhej të merrte 20% të votave atje. Ky shembull i sjellë nga Godo, e i përdorur edhe nga politikanë të tjerë të partive të vogla, më bëri ta lija mënjanë temën që kisha në mendje, për t’iu rikthyer edhe një herë asaj të sistemit zgjedhor.
Shembulli i Godos është ilustrim i aksiomës se çfarëdo sistemi të përdoret në Shqipëri për zgjedhjet, do dalë dikush që t’i gjejë atij një problem. Dhe në fakt, kjo aksiomë është e vlefshme edhe për çdo vend tjetër, jo vetëm për Shqipërinë. Për shembull, sistemi që përdoret për zgjedhjet presidenciale në SHBA, vendi me demokracinë më të konsoliduar, nxori në pah në vitin 2000 dy probleme sipas kritikuesve të atij sistemi. E para, Xhorxh Bushi shkoi në Shtëpinë e Bardhë edhe pse ishte humbësi i votës popullore. E dyta, prania e kandidatit të një partie të vogël të majtë në Florida - shteti ku u përcaktua fituesi - bëri që votat e majta të ndaheshin, duke përfituar kështu i djathti Bush.  (Shënim: humbësi i votës popullore mund të qëllojë të fitojë në SHBA sepse presidenti zgjidhet nga kolegji elektoral, i cili ndërtohet sipas votave në shtete të veçanta, e jo sipas votës kombëtare).
Për të adresuar këto probleme, kritikuesit e sistemit zgjedhor amerikan sugjeruan zgjedhjen e presidentit me votim proporcional kombëtar dhe votën preferenciale, quajtur ndryshe “balotazh i çastit”. Në një votë preferenciale, votuesi vendos numrin 1 përbri kandidatit që do dojë të jetë president i vendit dhe numrin 2 përbri kandidatit që ai do preferonte në rast se zgjedhjet do shkonin në balotazh (prandaj dhe përdoret termi “balotazh i çastit”). Por edhe kjo mënyrë zgjedhjeje do kishte problemet e veta. Votimi proporcional kombëtar do bënte që kandidatët ta përqendronin vëmendjen në problemet që shqetësojnë shumicën e votuesve në përgjithësi, duke lënë pas dore problemet specifike të rajoneve të veçanta. Ndërsa votimi preferencial do shtonte ndërlikime në numërimin e votave, të cilat, edhe ashtu siç ishin, krijuan jo pak probleme në të famshmin numërim të votave në Florida.
Duke u kthyer në Shqipëri, mund të thuhet se ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet të adresojë problemet më të mëdha që ka demonstruar sistemi aktual, por nuk duhet shpresuar se do jetë i tillë që çdo aktor i politikës të mbetet i kënaqur prej tij.  Kështu, çfarëdo sistemi të përdoret, disa votues dibranë (të marrë si shembull nga Godo), përsëri do mbeten të pa përfaqësuar në Kuvend. Kjo, sepse edhe sikur sistemi më i pastër proporcional të përdoret – ai kombëtar – disa parti të vogla nuk do e arrijnë dot pragun e futjes në Kuvend. Por ky nuk është problemi më i madh që do i duhet të adresojë sistemi i ri zgjedhor.
Problemet më të mëdha që sistemi zgjedhor aktual ka demonstruar janë dy. Problemi i parë është stimulimi i kandidatëve “të fortë” në zonat individuale, të cilët, me financime të dyshimta, e të mbështetur nga militantë të ashpër, janë gati të bëjnë çdo gjë (të ligjshme e të paligjshme) për të fituar. Si rezultat, në Kuvend kanë arritur të futen disa Tom Doshëra, të cilët të nxijnë syrin me grushte po i ngacmove pak. Ndërsa problemi i dytë që sistemi zgjedhor aktual ka demonstruar është futja në Kuvend e partive të vogla me një elektorat thuajse jo ekzistent, thjesht sepse sistemi stimulon taktika të turpshme si famëkeqtë “Dushk i Vogël” e “Dushk i Madh”.
Problemi i parë zgjidhet duke hequr nga sistemi zgjedhor çdo element të konkurrimit individual. Ndër sistemet e shumta që përdoren në vendet demokratike, sistemi që arrin maksimumin në këtë drejtim është sistemi proporcional kombëtar. Por, siç e përmenda më sipër, votimi proporcional kombëtar do bënte që partitë ta përqendronin vëmendjen në problemet që shqetësojnë shumicën e votuesve në përgjithësi, duke lënë pas dore problemet specifike të rajoneve të veçanta. Për këtë arsye, mund të kalohet në një zgjidhje të mesme - siç është, për shembull, sistemi proporcional rajonal. Ndërsa problemi “dibran” që ky i fundit krijon, mund të zgjidhet duke grumbulluar votat e partive të vogla që nuk fitojnë deputetë nëpër qarqe, dhe duke i shpërndarë ato në rang kombëtar. Kështu, një parti që nuk fiton asnjë deputet nga qarqet, por fiton 4% në rang kombëtar, mund të fitojë disa vende në Kuvend nëpërmjet shpërndarjes kombëtare.
Problemi i dytë i sistemit zgjedhor aktual - ai i partive të vogla parazite - zgjidhet duke caktuar një prag kombëtar prej të paktën 4% për futjen në parlament. Në këtë mënyrë, partitë poshtë 4-përqindëshit do detyrohen të bëjnë zgjedhjen midis konfederimit me parti më të mëdha të krahut të tyre politik dhe kthimit në OJQ-ra…