19/04/2012 Edmond Panariti: Reforma në respekt të dinjitetit njerëzor dhe besimit fetar
Sistemi i ri i administrimit të varrezave ekzistuese do t’u vijë në ndihmë banorëve të kryeqytetit që të 10 vjetët e ardhshëm, që të mos përballen me stresin dhe kaosin e krijuar nga mungesa e vendeve në varreza. Lidhur me debatin e nisur për sistemimin dhe reformën që do të prekë shërbimet funerale, fillimisht me sistemimin mural të varreve të vjetra, nënkryetari i Bashkisë Edmon Panariti tregon se i gjithë procesi do të realizohet në respekt të plotë të dinjitetit njerëzor dhe besimit fetar. Më poshtë do të gjeni të detajuar procesin që do të ndjekë sistemimi i shërbimeve funerale.
Ngërçi i krijuar nga shterimi i vendeve në varreza
“Reforma që Bashkia e Tiranës synon të ndërmarrë për të miradministruar procesin e varrimeve në Tiranë udhëhiqet nga respekti i plotë i dinjitetit njerëzor dhe i ndjeshmërisë fetare. Aktualisht, edhe sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë në Tiranë, në qytetin tonë banon rreth 30% e popullsisë së vendit. Tendenca është që edhe në vijim popullsia e kryeqytetit të rritet çdo vit me rreth 3%, gjë që do të thotë se për më pak se 10 vjet popullsia në Tiranë do t’i kapërcejë një milion banorë. Mund të imagjinohet trysnia në rritje që ky bum demografik ushtron mbi hapësirat urbane, përfshirë këtu hapësirat jetësore, hapësirat e gjelbra, hapësirat ekonomike dhe socialkulturore, përfshirë këtu edhe hapësirat për varrime. Vdekja është pjesë e jetës dhe ajo meriton atë vëmendje dhe atë trajtim sikundër edhe aktivitetet e tjera jetësore të njeriut, për të garantuar së pari dinjitet dhe respekt për ata që ndahen nga jeta, por edhe një vend të denjë për familjarët dhe për komunitetin për të përkujtuar ata që nuk jetojnë më. E parë në këtë këndvështrim, sot në Tiranë situata nuk është e mirë. Aktualisht nevojat për varrime në qytet përballohen vetëm nga dy varreza publike, përkatësisht varreza e Sharrës, e deklaruar tashmë e mbyllur, dhe varreza e Tufinës, e cila po ecën drejt ezaurimit të plotë të hapësirave. Çdo vit qytetit tonë i duhet të përballojë kërkesat për rreth 3000 varrime, gjë që do të thotë se kërkimi për truall të ri për t’i plotësuar këto nevoja të familjeve të Tiranës presupozon gjetjen e përvitshme të mbi 15000 metrave katrorë sipërfaqe, ku përveç varrit përfshihen edhe shërbimet mbështetëse, si: rrugët ndërmjetëse, pemët, gjelbërimi dekorativ etj.”
Nevoja imediate për reformimin e shërbimeve funerale
“Bashkia nuk mund ta mbështesë plotësimin e kësaj nevoje në rritje vetëm duke kërkuar zgjerim të sipërfaqeve të reja për varre, thjesht sepse kjo është e pamundur fizikisht dhe financiarisht. Për arsyet që përmenda, të cilat janë të shtresuara dhe të akumuluara tashmë në vite, ky dinjitet është i cenuar dhe nën kërcënim. Për mungesa hapësirash varret po prekin gjithnjë e më shumë shërbimet mbështetëse të varrezave, si rrugët ndërmjetëse etj. Qytetarëve për të vizituar të afërmit e tyre që nuk jetojnë më u duhet të shkelin mbi varret e të tjerëve, gjë që nuk është as pjesë e moralit qytetar dhe as e besimit fetar. Nga presioni i papërballueshëm për hapësira varre po hapen në vende të papërshtatshme, si vende me shkallë të lartë erozioni buzë përroit të Tufinës, në vende grumbullimi mbeturinash, si dhe në territore që në planin urbanistik të qytetit nuk janë të parashikuara si vende për varrim. Përveç se cenojnë rëndë moralin qytetar dhe ligjin, këto praktika janë në shkelje të drejtpërdrejtë edhe të normave fetare. Ja se ç’thuhet, për shembull, në ligjin islam për kriteret e varrimit:
Neni 628: Nuk lejohet varrimi i një të vdekuri mysliman në një vend të papërshtatshëm, të padenjë, siç mund të jetë vendgrumbullimi i mbeturinave.
Neni 629: Nuk lejohet që të bëhet varrimi në toka të uzurpuara dhe as në toka që nuk janë të parashikuara për varreza.
Nisur nga kjo, ne propozojmë nisjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme për të mundësuar administrimin e një procesi dinjitoz të varrimit, si pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe respektimit të besimit të tyre fetar.”
Varret që do të zhvendosen të parat
“Pjesë e kësaj reforme janë ndërtimi i varrezave murale, një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për zhvendosje të varreve të vjetra dhe shumë të vjetra në sistem vertikal varrimi të tipit mural, mjaft më dinjitoz se gjendja tashmë e degraduar dhe e shpërfillur e këtyre varreve. Si fillim synojmë ta fillojmë me zhvendosjen e varreve mbi 40 vjet dhe pa dyshim aty ku ekziston konsensusi edhe për varre të tjera. Kështu, sipas statistikave të shërbimit funeral të Bashkisë, përllogariten përafërsisht rreth 5300 varre të zhvendosur në Tufinë nga ish-varreza e Bamit në vitin 1964. Po kështu rreth 11 parcela në të dyja varrezat janë varre të vjetra e shumë të vjetra me të porsalindur. Vetëm në intervalin 1964-1980 janë varrosur përafërsisht 15000 banorë.”
Çlirimi i sipërfaqeve për 10 vjetët e ardhshëm
“Shqyrtimi selektiv dhe i kujdesshëm i këtyre rasteve dhe kalimi i tyre në sistemin mural, në një mënyrë shumë dinjitoze, do të mundësonte çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme nga varrezat aktuale, të cilat nga bllokimi i plotë do të mund të funksiononin edhe për 10 vjetët e ardhshëm. Ajo që është më thelbësore të theksohet është se të gjithë të larguarit nga jeta do të vazhdojnë si më parë të varrosen në tokë dhe se do të respektohet në çdo rast koha shumëvjeçare e tretjes së trupit të të ndjerit, por kjo do të bëhet në hapësira dinjitoze, me të gjithë parametrat ekologjikë, sanitarë dhe infrastrukturorë të duhur. Mbas dhjetëra vjetësh, sipas akteve normative të paracaktuara dhe për të cilat Bashkia është duke punuar, të ndjerët do të zhvendosen sipas të gjitha kritereve në sistem tjetër varrimi, ashtu siç ndodh edhe në vende të tjera të zhvilluara, duke ruajtur dhe rifaktorizuar identitetin e të larguarit nga jeta dhe garantuar respektin ndaj tij, si dhe nderimet në çdo kohë nga familjarët. Në këndvështrimin tim nuk ka asnjë ndalesë fetare në këtë drejtim. Në fenë kristiane nuk ka ndalesa në këtë drejtim. Në fenë islame gjithashtu nuk arrij të shoh pengesa, madje në ligjin islam kjo është e artikuluar mjaft qartë në nenin 630 mbi varrimet, ku thuhet: «Nuk lejohet të bëhet zhvarrosja për ta ripërdorur një varr për një varrim tjetër, nëse nuk garantohet se varri është shumë i vjetër dhe se trupi i mëparshëm është plotësisht i tretur.» Pikërisht reforma jonë ecën mbi të njëjtat parime dhe synon që të fillojë zbatimin e sistemit të ri të varrimit me varret e vjetra dhe shumë të vjetra. Kjo do të mundësojë çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme, të cilat Bashkia do t’ua vërë në dispozicion qytetarëve të Tiranës për të njëjtin qëllim. Ne synojmë që me anë të kësaj reforme të rikthejmë dinjitetin dhe të rivendosim respektin për këtë çështje mjaft delikate dhe sensitive për qytetarët e Tiranës.”