Qyteti i Manchesterit ngjyroset në blu, pasi në Etihad Stadium ishte City i Guardiolës që bëri ligjin dhe mori një fitore 3-1 përballë rivalëve të qytetit, United.


Qytetarët e nisën mjaft mirë takimin dhe gjetën golin që në minutën e 12, kur David Silva përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së United dhe mposhti portierin De Gea.




Me rezultatin 1-0 u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa menjëherë sapo filloi 45-minutëshi i dytë, Sergio Aguero shënoi një gol mjaft të bukur, duke dyfishuar shifrat e avantazhit.


Mourinho vendosi të ndryshojë dhe hodhi në fushë sulmuesin belg Romelu Lukaku, i cili në prekjen e parë të topit, fitoi një 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të portierit Ederson.




Penalltinë e mori përsipër sulmuesi francez Anthony Martial, i cili gjuajti mjaft saktë dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë, duke rihapur takimin.


Gjithsesi, kur trajneri Mourinho vendosi të hedhë në fushë dy sulmues si Mata dhe Sanchez, për të tentuar barazimin, ishte sërish City që gjeti edhe golin e tretë, me anë të mesfushorit gjerman Yilkay Gundogan, duke vënë në kasafortë fitoren.


Me këtë 3-pikësh skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola rimerr sërish vendin e parë, në kuotën e 32 pikëve, 2 më tepër se Liverpooli ndjekës dhe vijon rrugën drejt mbrojtjes së titullit kampion.




Zhgënjen sërish Arsenali, që nuk shkoi më shumë se rezultati 1-1 ndaj Wolvesit dhe regjistroi barazimin e dytë radhazi, duke humbur njëkohësisht edhe kontaktet me kreun e renditjes.




Topçinjtë e panë veten në disavantazh që në fillim të sfidës , ndërsa arritën të rikthejnë baraspeshën vetëm në minutën e 86, me anë të fantazistit armen Mkhitaryan.


Gjithsesi minutat e mbetura në dispozicion ishin shumë të pakta dhe nuk pati më kohë për një tjetër gol që do të ngrinte në peshë tifozët e pranishëm në Emirates Stadium.


11 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)