Tiranë - Pjesa më e madhe e vendit u përfshi mbrëmjen e shkuar nga reshje të dendura shiu, çka shkaktuan edhe përmbytje në një sërë zonash.

Për këtë arsye, qeveria mblodhi grupin koordinator për të vlerësuar nevoja dhe dhe përcaktuar ndërhyrjet për normalizimin e shpejtë të situatës.

"Si rrjedhojë e angazhimit maksimal me njerëz e mjete logjistike nga Ministria e Punëve të Brendshme; Ministrja e Mbrojtjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë; Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, sot situata në vend paraqitet normale në shumicën e qarqeve dhe drejt normalizimit të plotë në 2 qarqet Lezhë e Fier", tha zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Nga informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, situata paraqitet si më poshtë:

Qarku Lezhë: Në qarkun e Lezhës reshjet kanë pushuar në orën 1 pas mesnate. Në nënstacionin e Lezhës u arrit që me punën intensive të forcave të zjarrfikësve, të KESH-it dhe OSSH-së të largohen ujërat dhe të rilidhet energjia për të gjithë operatorët si të Hidrovoreve, ashtu edhe të njësive vendore.

Në të gjithë qarkun e Lezhës situata është normalizuar edhe po punojnë intensivisht forcat dhe mjetet e Bordit të Kullimit për largimin e ujrave nga tokat bujqësore.

Mjete zjarrfikëse, po vazhdojnë largimin e ujërave nga banesat e përmbytura. Sot në orën 10:00, nën drejtimin e Prefekti të Lezhës është kryer një takim tjetër të Komisionit të Emergjencave të qarkut për të analizuar gjendjen e krijuar pas rivënies në punë të hidrovoreve dhe pompave në Balldre, Shëngjin dhe Lezhë si dhe marrjen e masave për dhënien e ndihmës banorëve të cilët ju prekën banesat nga përmbytja.

Në komunat Balldren, Blinisht dhe Shëngjin, reshjet kanë pushuar dhe situata është drejt normalizimit për shkak të largimit të ujërave nga puna e hidrovoreve me kapacitet të plotë të pompave thithëse.

Për normalizimin e situatës në Lezhë operuan 80 trupa ushtarake për bllokimin e ujërave që futeshin si dhe dhjetra mjete për pastrimin e ujërave. Gjithashtu këto forca vendosën edhe barriera në disa biznese dhe banesa për të mos lejuar përmbytje.

Është paraqitur një situatë problematike lidhur me furnizimin me ujë të Spitalit Rajonal të Lezhës, problem i cili tani është adresuar plotësisht duke garantuar ujin e pijshëm nëpërmjet autoboteve deri në normalizimin e situatës.

Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore po bëjnë vlerësimet e dëmeve nëpërmjet Komisioneve të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile dhe po raportojnë për masat e marra në rivendosjen e normalitetit në territoret e njësive që kanë përgjegjësi.

Qarku Tiranë

Në qarkun e Tiranës, reshjet janë ndërprerë në orën 24:00 dhe situate është normalizuar. Zjarrfikëset po punojnë për largimin e inerteve dhe ujërave në disa banesa njëkatëshe dhe në katet e para të pallateve si në rrugën Don Bosko, Komuna e Parisit, Medar Shtylla, Kombinat, Kodra e Priftit, Sami Frashëri, etj.

Në Paskuqan dhe Laknas është normalizuar situata dhe po punohet për adresimin e atyre problemeve që paraqiten në disa toka bujqësore që janë përmbytur nga reshjet.

Qarku Fier

Në qarkun e Fierit ka patur probleme në një fshat të Komunës Libofshë dhe 3 fshatra të komunës Allkaj ku ka patur prezencë uji në disa banesa dhe përmbytje vetëm në 5 prej tyre. Familjarët në këto banesa fillimisht u evakuuan emë pas u punua për largimin e ujit.

Qarku Gjirokastër

Në këtë qark ka patur reshje por jo intensive dhe nuk pati përmbytje. Në rrugën hyrëse të qytetit të Gjirokastrës inertet që zbritën nga pjesa e kalasë bllokuan rrugën kryesore dhe që në orët e para të mëngjesit po punohet intensivisht për hapjen e saj.

Qarku Durrës

Nga reshjet e rëna në qytetin e Durrësit ka patur probleme në në rrethrrotullimin e Shkozetit, rrugën e Currilave, rrugën e Kënetës dhe në afërsi të Portit. Në mëngjes situata është normalizuar.
Qarku Shkodër, Elbasan, Korça, Vlora, dhe Gjirokasta nuk kanë paraqitur probleme me reshjet e shiut.
Ndërkohë që Grupi Koordinator do të vazhdojë të ndjekë situatën nga afër deri në adresimin e plotë të gjitha problemeve të shfaqura. /Start/

Bilanc tragjik nga stuhia, tre të vdekur

Laç (09:10)- Tre të vdekur. Ky është bilanci tragjik i stuhisë së fuqishme që përfshiu mbrëmjen e shkuar vendin tonë.

Viktimat janë regjistruar në Laç, ku dy prej tyre janë nga e njëjta familje. Kështu, kanë humbur jetën shtetasit Gjon Kola, 62-vjeç, drejtor i një shkolle në Laç dhe vajza e tij, Dorina, 23-vjeç. Ajo u gjet disa orë më vonë, rreth 2 km larg vendit ku makina me të cilën ata udhëtonin u rrëmbye nga ujërat. Ndërkohë, rasti tjetër u regjistrua në Kurbin, kur dy persona që udhëtonin me një motor ranë në ujërat e një lumi pas shembjes së urës. Për pasojë, shtetasi Liman Balloku, ka përfunduar në rrjedhë duke mos u gjendur ende, ndërsa personi tjetër, shtetasi Guri Ndreca ka arritur të mbijetojë.

Situata e përmbytjeve sipas Ministrisë së Brendshme:

QARKU LEZHË

Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujrave. Në nënstacion niveli i ujrave është rreth 0,80 m.

Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë paisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.

Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratësa dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.

Në komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.

Në qytetin e Rëshenit për shkak të daljes së ujrave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujrat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.

QARKU TIRANË

Në bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit.

Njësia nr.1: Në rrugët "Ali Demi", "Shemsi Haka", te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujrave nga shtrati i Lanës.

Njësia nr.2: Rruga "Gramos Pashko" dhe zona e "Qytetit Studenti" kanë përmbytje dhe ujrat janë futur në disa banesa.

Njësia nr.3: Në "Kodrën e Priftit", në "Rrugën e Kokonozve", rruga "Bardhyl", rruga "Qemal Stafa" ka probleme nga dalja e ujrave sipërfaqësore.

Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.

Njësia nr.5: Në rrugën "Sami Frashëri", rrugën "Komuna e Parisit" dhe rrugën "Medar Shtylla" ka dalje të ujrave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.

Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjja "Shaban Bardhoshi" sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.

Njësia nr.9: Rruga "Don Bosko" ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.

Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.


/Start/