Nga sot, nis pilotimi në 175 shkolla të vendit. Provimi do të jetë me shkrim


Shkolla_9_vjecare_Jeronim_de_Rada_1Për herë të parë në vendin tonë, nxënësit e klasës së nëntë do të zhvillojnë test ndërkombëtar për gjuhën angleze. “Aptis for Teens” quhet testi, i cili është produkt i hartuar dhe i administruar nga Këshilli Britanik. Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit sqarojnë për gazetën Shqip, se duke filluar nga sot, ky institucion, në bashkëpunim me British Council, do të pilotojnë në 175 shkolla në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore, testin që do të jetë i shkruar dhe do t’i nënshtrohen vetëm nxënësit e klasave të nënta. Bëhet fjalë për një test ndërkombëtar, që do t’i vendosë 15-vjeçarët shqiptarë përballë atyre europianë, ndërsa lidhur me shkallën e vështirësisë së testit, mësohet se përmbajtja e tij u përgjigjet njohurive të marra nga nxënësit gjatë 9 viteve të studimit të këtij cikli shkollor. Por zyrtarisht mësohet se, pavarësisht se anglishtja apo një tjetër është provim i detyruar në provimet e lirimit, nota nuk do të ndikojë në përllogaritjen e mesatares, e cila është një nga kushtet për regjistrimin në shkollën e mesme. Në nenin 72 të ligjit të ri për arsimin parauniversitar, pika 4, shprehet qartë se provimi i gjuhës së huaj i arsimit bazë i shtrin efektet e zbatimit në vitin 2015. Në këtë mënyrë, nxënësit e klasave të nënta aktualisht duhet të nisin përgatitjet për një tjetër provim kombëtar që i pret në vitin pasardhës, i cili përkon me mbarimin e arsimit bazë. Edhe pse nuk i tremben një fakti të tillë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare sqarojnë se për të pasur rezultate më të mira në mësimin e gjuhëve të huaja është e nevojshme që të rishihet mundësia e shtimit të orëve të mësimit që duhet të zhvillojnë në shkollë. Kjo, pasi në planin aktual, orët e përcaktuara shihen si të pamjaftueshme, çka i detyron të rendin drejt ndjekjes së kurseve private individuale. Ndërsa mësueset e gjuhës angleze në shkollat 9-vjeçare, shprehen se duke parë prioritetet që po merr mësimi i gjuhëve të huaja, kanë shtuar orët e mësimit të gjuhës së huaj në javë. Kjo, për të ndihmuar nxënësit që të përvetësojnë si duhet tekstet, të cilat janë marrë nga metoda të përshtatura sipas niveleve dhe moshës së nxënësve. Siç edhe ka ndodhur vitet e fundit, sa u takon rregullave për zhvillimin e provimeve të lirimit, specialistët sqarojnë se masat e sigurisë janë pothuajse të njëjtat me ato të provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas Ministrisë së Arsimit, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas ekuivalentohen në notë. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe atë të konvertimit të pikëve në nota. Pas çdo provimi, dërgohet skema e vlerësimit në komisionin shkollor të provimeve të lirimit. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që korrigjon. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar, shpjegojnë specialistët e AKP-së.


Ky shkrim Sivjet, test ndërkombëtar anglishteje në provimet e lirimit u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.