Vendimi i opozitës së bashkuar për djegien e mandateve ka bërë që të rritet vëmendja për rezervistët, të cilëve KQZ u ka njoftuar se u takon të zënë vendet e lëna bosh në Parlament.


Nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike janë aktualisht 11 kandidatë rezervë në lista që nuk kanë firmosur formularin për të hequr dorë nga mandatet.


Ata kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ. Në këtë listë përfshihet edhe kandidati i LSI për Tiranën, Ylli Shehu. Ish-deputeti që ka përfaqësuar Partinë Republikane dhe LSI-në në Kuvend ka folur për Gazeta Shqiptare duke thënë se është duke e menduar dhe konsultuar për rikthimin e tij në politikë pas gati dy vitesh mungesë.


Por kush është Ylli Shehu?


Në qershor 2017 kur e prezantoi para elektoratit në Kamëz, Presidenti Ilir Meta asokohe kryetar i LSI tha se Shqipërisë i duhen përfaqësues të komunitetit si Ylli Shehu.


Por  Ylli Shehu mund të merret si shembull për mënyrën se si u katapultua në politikë, por jo për CV-në e tij, për studimet, për karrierën profesionale apo për fjalimet në parlament, pasi ai nuk ka folur kurrë edhe pse ka qenë për 4 vite në Parlament.







Nga CV-ja e Ylli Shehut, vihet re se ai ka përfunduar dy fakultete, pasi në  vitin 2006 ka nisur studimet në Universitetin Kristal dhe i ka përfunduar në 2011 për Drejtësi.


Gjatë viteve 2009-2011 ai ka punuar si jurist në Prefekturën e Kukësit, ndërsa në vitin 2009 ka nisur studimet në Fakultetin Ekonomik, por nuk jep të dhëna nëse e ka përfunduar ose jo.


Ylli shehu gjithashtu ka qenë për dy vite këshilltar i Xhelal Mziut në Bashkinë e Kamzës, për të kaluar më pas në Ministrinë e Mjedisit si këshilltar i Fatmir Mediut.


Shehu si duket e la të mrekulluar Mediun me punën e tij, saqë ky e kandidoi të parin në Tiranë me Partinë Republikane dhe kështu ai u bë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë në moshën 32-vjeçare.


Shqiptarët e morën vesh që Ylli Shehu ishte në Parlament vetëm pas dy vitesh, kur ai u revoltua me Fatmir Mediun sepse nuk mbështeti kandidaturën e Agron Dukës për bashkinë e Durrësit dhe u transferua në radhët e LSI-së.


Prej atij momenti, Shehu u kthye në kryfejalën e mediave, të cilat i zbuluan të shkuarën si këngëtar me çifteli, por edhe i publikonin statuset plot gabime gramatikore dhe fotot e çudtishme që postonte.