Zyrtarë të subjekteve politike në Gjilan kanë mohuar deri më tani të jetë arritur ndonjë marrëveshje për koalicion në nivelin lokal, por kanë pranuar që bisedime ka dhe se mundësitë janë të hapura që shumë shpejt të bëhen publike marrëveshje të tilla.
Subjektet politike që kanë hyrë në garën e balotazhit për kryetar komune, PDK dhe LDK, kanë pohuar se kanë bërë lëvizjet e para me partitë tjera në drejtim të arritje së ndonjë marrëveshjeje, sikundër që edhe partitë më të vogla kanë pranuar që kanë pas ofertat e para nga të dyja partitë politike, por të dyja palët kanë mohuar të ketë ndonjë marrëveshje.
PDK e cila në zgjedhjet e 15 nëntorit doli e para, por që fitorja e saj nuk mundëson që ajo ta ketë shumicën në asamblenë komunale, ka pranuar se është takuar pothuajse me të gjitha subjektet politike për ti nis bisedimet për ndonjë koalicion të mundshëm.
Izmi Zeka, kryetar i PDKsë në Gjilan dhe shef i Shtabit Zgjedhor ka thënë se PDK është në bisedime me të gjitha partitë dhe vlerëson se marrëveshjet eventuale me të gjitha partitë politike janë të pranueshme, për të pasur një qeverisje efikase. (KosovaPress)