Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja që tronditi Shkodrën javën e shkuar. ABC News raporton se  makina e atentatorëve nuk është djegur plotësisht dhe hetuesit besojnë se kanë gjetur gjurmët  dhe prova të rëndësishme për të identifikuar autorët e ngjarjes.


Gjithashtu është mësuar, se ka qenë një patrullë policie vetëm pak sekonda larg banesës, ku edhe ekzekutuan dy vëllezërit Astrit e Brahim Bilali. Tre minuta më vonë kjo patrullë gjeti makinën e autorëve në flakë dhe ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ndihmoi që flakët në Benzi e  atentatorëve të shuhen shpejt, për ta shpëtuar makinën pa u djegur.


Kjo u ka dhënë shpresë hetuesve të ngjarjes, të cilët besojnë që do sigurojnë prova shkencore, çka do ti çonte drejt zbardhjes së ngjarjes.


Por një skandal të vërtetë përbën fakti se grupi i hetimit ka marrë informacion se punonjës të policisë së Shkodrës kanë bashkëpunuar me bandat kriminale me qëllim devijimin e hetimeve në lidhje me vrasjet e ndodhura në 8 muajt e fundit sipas ABC News.


Për këtë gjë shërbimet e posaçme po mbajnë në survejim efektivat blu dhe të dhënat hetimore mbi ekzekutimin po ruhen me fanatizëm. Por pavarësisht hermetizmit të grupit hetimor, ka kaluar një javë nga vrasja e Brahim dhe Astrit Bilalit, dhe autorët nuk janë gjetur.


Shoqërimet në polici kanë qenë të shumta, por dëshmitë e tyre kanë rezultuar pa vlerë. Bilalët u vranë me 30 mars, sapo dolën nga shtëpia e tyre dhe po shkonin tek motra e tyre. Autori shtiu me automatik nga distanca dhe më pas është afruar dhe i ka qëlluar në kokë.