Ndeshja e parë e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit e luajtur mbrëmë në orën 21:00, është transmetuar përveç paketës Supersport, që ka të drejtën ligjore dhe ekskluzive, edhe nga Televizioni Publik Shqiptar.


Një shkelje flagrante me të dyja këmbët, kur dihet se e drejta ekskluzive për transmetimin e ndeshjeve mbrohet me ligj dhe është nën mbikëqyrjen e plotë të Autoritetit të Medias Audiovizive.


Por si u vodh ndeshja e Kupës së Mbretit mbrëmjen e djeshme nga TVSH-ja? Mësohet se kjo e fundit e ka transmetuar nga sinjali i TVSH Kuvendi. Pasi kanë hequr logon, regjisorët e këtij skandali kanë futur më pas sinjalin e ndeshjes.


Një praktikë e re me sa duket dhe një gjetje për ta çuar vjedhjen deri në fund me sukses. Të pyetur nga Gazeta Shqip, kompania Supersport nuk ka dashur të prononcohet, ndërkohë që është AMA ajo që duhet të reagojë, qëndrim të cilin nuk e ka mbajtur deri më tani.


Është për tu theksuar, që paketa dixhitale Supersport, gjithnjë ka respektuar të drejtat televizive të transmetuesve të tjerë, pavarësisht një tregu kaotik dhe ku konkurrenca e lirë nuk respektohet si në rastin konkret.


Gazeta Shqip