KORÇE- Gjykata e Korcës shpall fajtor kreun e Omonias të këtij qyteti për skandalin e dhunimit të varreve në Boboshticë në tetor të vitit të kaluar. Trupi gjykues dënoi sot Naum Dishon me 1 vit burg. Gjithashtu u shpallën fajtor dhe 2 punëtorët të cilët kryen punime të paligjshme duke dhunar varret e vjetra të fshatit, brenda territorit të Kishës së Shën-Marisë. Ndaj Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi u dha dënimi me 12 muaj liri me kusht.

NEWS24 informon se vendimi ngjalli tension në sallën e gjyqit. "Eshtë një vendim politik dhe i ndikuar nga origjina ime greke" deklaroi për median kreu i Omonias në Korçë, Naum Disho menjëherë pas seancës.
SKANDALI
Skandali u zbulua në tetor të 2010-tës, kur banorët e fshatit denoncuan dhunimin e varreve të të parëve të tyre me qëllim ndërtimin e një memoriali për ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve 40. Sipas banorëve në ato varreza nuk ka patur të varrosur  asnjë ushtar grek. Menjëherë prokuroria nisi hetimet, ndërsa dosja me të pandehur kreun e Omonias në Korcë dhe 2 punëtorët u dërgua në Gjykatë, gati një muaj më vonë, në nëntor 2010.
(s.gera/balkanWeb)