skenderbeu kukesiSkandali i trukimit të ndeshjeve të Skënderbeut, i cili e la për 1 vit jashtë Ligës së Kampionëve ka marrë përmasa të tjera.

UEFA ka publikuar së fundmi emra zyrtarësh të këtij klubi të cilët pas hetimeve të bëra kanë rezultuar të lidhur me kompanitë e basteve.

Në raportin e Inspektorëve të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA, thuhet se gjatë viteve të fundit Skënderbeu ka manipuluar mbi 50 ndeshje ndërkohë që bie në sy dhe emri i ish-ministrit të Financave dhe financuesit të klubit korçar, Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual, Ardijan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.

Në raportin e Inspektorëve të UEFA-s shkruhet se Skënderbeu ka qenë i përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në veprimtarinë e fiksimit të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë 6 viteve të fundit.

Janë mbi 50 ndeshje të manipuluara nga Skënderbeu mes të cilave 5 nga Champions League, 2 nga Europa League, 41 Superliga e Kupa e Shqipërisë dhe 6 ndeshje miqësore.

Në atë raport flitet gjatë për ish-ministrin dhe financuesin e klubit korçar, Ridvan Bode, integriteti i të cilit sipas hetuesve të UEFA-s vihet në pikëpyetje pas privatizimit të Lotarisë Kombëtare dhe hetimit për fshehje të borxhit kombëtar.

Aty shkruhet se Bode mendohet të ketë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve të Skënderbeut ndaj Dinamos, atë vit ku Skënderbeu në mënyrë të çuditshme i shpëtoi rënies nga kategoria.

Në këtë raport flitet dhe për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Shkumbinit, ku donatori kryesor i klubit peqinas është Dashnor Sula, miqësia e të cilit me Boden vjen pasi të dy ishin anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë nga e njëjta parti.

Dy ndeshjet e luajtur nga Skënderbeu kundër këtij klubi u kapën edhe nga BFDS, institucioni që monitoron me algoritëm elektronik trukimin e ndeshjeve.

Vendimi i zbardhur pohon se fatkeqësisht bëhet fjalë jashtë çdo dyshimi për trukim ndeshjesh dhe përjashtim të Skënderbeut nga sezoni i Champions League.

Top Channel ndërkohë kontaktoi Prokurorinë qendrore dhe atë të Korçës.

Burime nga kjo e fundit thanë se nuk kane kompetencë për të hetuar rastin, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme është ende duke e shqyrtuar atë, por ende nuk ka marrë një vendim nëse do të hapë apo jo hetimet për këtë skandal të zbardhur në detaje nga UEFA.

Ndërkohë pas këtij raportoi reagoi edhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

"I habitur dhe i indinjuar, mësova nga mediat se është përmendur emri im, Ridvan Bode, ne justifikimin e një vendimi për dënimin e klubit të futbollit "Skënderbeu" me pezullim nga pjesëmarrja në kompeticionet e ligës europiane të futbollit.

Për opinionin publik dua të sqaroj se:

-Nuk kam qenë asnjëherë financues, donator apo anëtar bordi në asnjë organizim shoqëror, kulturor apo sportiv në Shqipëri apo jashtë saj.

-Si fans futbolli dhe veçanërisht i klubit të futbollit Skënderbeu, kam dhënë mbështetjen time nga shkallët e stadiumit siç bëjnë mijëra sportdashës. Asnjëherë nuk kam kontaktuar për të influencuar në ecurinë e futbollit as drejtuesit e klubit, as trajnerin apo lojtarët. Kurrë nuk jam takuar apo biseduar për ndeshje apo rezultate me presidentë, trajnerë apo lojtarë të asnjë ekipi futbolli.

-Nuk kam lidhje me privatizimin e klubit të futbollit Skënderbeu (me sa di ai nuk është i privatizuar). Klubi ka qenë në pronësi të bashkisë ku kryetar ka qenë zv.kryeministri aktual dhe çdo procedurë transformimi apo privatizimi kryhet nga Bashkia Korçë.

Për sa me sipër do të ndjek ligjërisht shpifjet e ulëta e denigruese ndaj meje në të gjitha instancat kompetente.

P.S: Nuk jam njohur me asnjë material zyrtar. Reagimi im bazohet në sa është shkruar në media," thuhet në reagimin e Bodes.

Ndërkohë tifozët e ekipit të Kukësit, që ka dalë nënkampion i Shqipërisë për periudhën kur flitet për trukime dhe baste, thonë se u takon atyre të shpallen kampionë.